E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te dhenat e BSH shumica e kredive ne kryeqytet

Përqendrimi i aktivitetit tregtar, ekonomik dhe popullsisë në Tiranë ka bërë që rreth 70 për qind e kredisë së dhënë t`i përkasë kësaj zone. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë që financimet me kreditë e bankave të nivelit të dytë janë dhënë më së shumti në kryeqytet, duke treguar dhe rëndësinë ekonomike të zonës.

Për vitin 2010, Banka e Shqipërisë bën me dije se kredia për biznese ka qenë e përqëndruar në Tiranë, ndërsa ajo për individë është e shpërndarë në gjithë vendin. Për këtë pjesë, banka sqaron se individët në Tiranë kanë përfituar rreth 57 për qind të stokut total të kredisë, ndërsa pjesa e mbetur është e shpërndarë më njëtrajtësisht në rrethet e tjera të vendit.

Një tregues tjetër është për kredinë hipotekore, ku për vitin 2010 mbi 80 për qind është dhënë në rrethet Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier, çka tregon qartë dhe zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme. Duket se nevoja për konsum ka qenë e njejtë në të gjithë vendin, pasi kredia me këtë qëllim është ndarë rreth 53 për qind për Tiranën dhe pjesa tjetër për rrethet e tjera.

Në total, gjatë vitit 2010, kredia e dhënë në Tiranë u rrit me një pikë përqindje krahasuar me vitin 2009. Në Tiranë operojnë rrerth 40 për qind e bizneseve të gjithë Shqipërisë.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›