E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Te respektojme standardet e mjedisit dhe ndertimeve

Bordi i Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim miraton procedurat për realizimin e dy projekte turistike.

Nën kryesinë e kryeministrit Berisha, kjo agjenci diskutoi dhe mori vendim për zhvillimin e procedurave, që do të çojnë në ngritjen e resorteve në bregdetin e Kavajës dhe konkretisht në Gose dhe në Synej.

Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishëm respektimin e standardeve në ndërtim dhe ruajtjen e zhvillimin e mjedisit në zonat turistike.

“Ne kemi rreth 90 për qind të bregut të pazhvilluar. Kjo do të thotë se nuk duhet të jemi asnjëherë lakmitarë për shfrytëzim intensiv.

Ne duhet t’u mbetemi standardeve më të mira të shfrytëzimit, të ruajtjes së mjedisit, të hapësirave dhe të lartësive të ndërtimeve”, - u shpreh Kryeministri.

Këto dy projekte janë edhe projektet e para ku AIDA do të punojë në funksion të misionit të saj për të qenë pika qendrore e kontaktit dhe shërbimeve ndaj investitorëve vendas dhe të huaj.

Projekti i parë parashikon ngritjen në një sipërfaqe prej 650 hektarë të një qyteze me qëllime multi-funksionale dhe do të zbatohet nga konsorciumi britanik Development.

Kurse projekti i dytë propozon ndërtimin e një porti jahtesh dhe krahas tij, të një qyteze turistike në këtë zonë, me një sipërfaqe prej 160 hektarë dhe do të zbatohet nga konsorciumi zviceran Finsec.

Në përfundim të tyre, këto projekte shkojnë deri në 1 miliardë euro investim secili.

Bordi miratoi edhe amendimin e dy akteve nënligjore dhe një projekt-akt të ri që lidhen me fonde grantesh që qeveria ka vënë në dispozicion të SME-ve dhe eksportuesve vendas, të cilat do të menaxhohen nga AIDA dhe synojnë rritjen e konkurueshmërisë dhe inovacionin e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›