E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e qershorit. Sondazhi i PD-së nxjerr fituese PS-në

419 persona kanë votuar Partinë Socialiste

Eljona Ballhysa
Në një periudhë kur mediat televizive po konkurrojnë me njëra-tjetrën me emisionet e sondazheve për fituesit e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, edhe partitë politike po realizojnë sondazhet e tyre. Por ajo që ka rënë në sy është sondazhi më i fundit i Partisë Demokratike, i cili gati 4 muaj para zgjedhjeve nxjerr fituese Partinë Socialiste. Ky sondazh është publikuar në faqen zyrtare të Partisë Demokratike në internet. Kjo faqe zyrtare është përditësuar vetëm tri ditë më parë, pra në datën 16 shkurt. Sipas sondazhit on-line të PD-së, në të cilin kanë marrë pjesë 419 persona, Partia Socialiste rezulton fituese e zgjedhjeve në rast se zgjedhjet realizohen në momentin e votimit. Sondazhi e nxjerr PS-në fituese me 50% të votave, ndërsa PD-ja renditet e dyta, me 49% të votave. Pjesa tjetër e partive marrin vetëm 1%. Ky sondazh nuk do të përbënte objekt për diskutim në rast se do të ishte publikuar nga ndonjë prej organizatave të shumta sondazh-bërëse, por në rastin konkret sondazhi është bërë nga faqja zyrtare e PD-së në internet. Mendohet se shumica e pjesëmarrësve në këtë sondazh janë anëtarë të Partisë Demokratike ose simpatizantë të saj, që në këtë rast kanë votuar pro PS-së.
Sondazhet
Megjithëse zgjedhjet parlamentare janë gati katër muaj larg, në mediat shqiptare janë publikuar dy rezultate të ndryshme zgjedhore nga dy kompani të ndryshme, të cilat, sipas politikanëve, njëra mbështet PS-në dhe tjetra PD-në. Po kështu dhe rezultatet e kompanive kanë qenë diametralisht të kundërta. Njëra kompani ka nxjerrë fituese me diferencë të lartë PD-në dhe tjetra ka nxjerrë fituese PS-në. Publikimi i këtyre sondazheve ndezi debatin politik. Partitë politike kundërshtuan rezultatet e sondazhit që i nxirrte humbëse. Edhe PD-ja reagoi kundër sondazhit të kompanisë që e nxori atë humbëse të zgjedhjeve të qershorit. Por në rastin konkret PD-ja po deklaron zyrtarisht se sondazhet e nxjerrin humbëse. Nuk dihet ende nëse ky është një gabim teknologjik i faqes zyrtare të partisë, apo është e sulmuar nga piratët e internetit, por ajo që duket qartë është se sondazhi i saj e nxjerr PD-në humbëse në zgjedhje. Në rast se do të klikoni në internet në faqen www.partiademokratike.com, në fund të faqes, djathtas, është një link që lexon “sondazhe”. Nëse klikon mbi të, të del një tabelë me tre pyetje, midis të cilave dhe pyetja: “Po të bëhen zgjedhjet parlamentare nesër, kush mendoni se fiton?” Më pas del rezultati i votimit, i cili nxjerr fituese PS-në, me 50% të votave dhe PD-në të dytën, me 49% të votave. Në këtë sondazh kanë marrë pjesë vetëm 419 persona.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›