E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të diplomuarit jashtë, 60% s’punojnë në profesion

 

Emigrimi, rrjedhja e trurit dhe mungimi i brendshëm janë tre fenomene, që kanë prekur thellë shoqërinë shqiptare. Jashtë vendit është larguar 35% e popullsisë së aftë për punë. Përpos kësaj, 60% e të diplomuarve jashtë nuk punojnë në profesionin e tyre. Kjo edhe kur kthehen në atdhe. Jo më pak i rëndësishëm e në nivele të larta mbetet edhe migrimi nga rrethet e vendit drejt qyteteve të mëdha. Pikërisht këtu është fokusuar studimi i British Council, i realizuar nëpërmjet Qendrës për Studime Ekonomike e Sociale. Pjesë e tij këtë vit janë bërë 8 qytete të ndryshme të Evropës, ku bëjnë pjesë Tirana, Athina, Bukureshti, Stambolli. Nikozia e Jugut dhe Veriut, si dhe tre qytete në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas të dhënave të studimit, rreth 38% e popullsisë, nga mosha 18-40 vjeç, që nuk kanë emigruar deri tani duan ta bëjnë këtë gjë. Aspekt pozitiv i emigracionit është investimi i kursimeve të emigrantëve brenda vendit. Nga anketimi dhe intervistat në Tiranë, emigrantët e rikthyer i investojnë kursimet e tyre në 46.8% të rasteve për të mbuluar shpenzimet e jetesës, në 37.85 të rasteve në biznes dhe për të blerë një pronë në 12.3% të rasteve. Pjesa më e madhe e tyre në rreth 60% zgjedhin vetëpunësimin. Sipas të dhënave edhe nga Ministria e Punës, Shqipëria është ndër vendet me shifra më të larta në rajon për emigrimin, por edhe për nivelet e larta të migrimit brenda vendit. Me gjithë premtimet e bëra për t’u krijuar kushte, sa i përket punësimit emigrantët, por edhe ata që kanë jetuar gjithnjë këtu i shohin si të vakëta mundësitë që jepen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›