E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depozitat, BSH mori masa për shtimin e sigurisë



Në kuadër të stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa veprime rregullative dhe operacionale, të cilat synojnë forcimin e procesit mbikëqyrës dhe ruajtjen e niveleve të likuiditetit në sektorin bankar. Kështu, BSH-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, ka përgatitur propozimet për ndryshimin e ligjit “Për sigurimin e depozitave”, duke parashikuar mes të tjerash, rritjen e vlerës së sigurimit dhe të kompensimit të depozitës deri në shumën 2.5 milionë lekë, si edhe heqjen e përshkallëzimit të vlerës së kompensimit. “Kjo masë do t’i kontribuojë forcimit të qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe do t’i ofrojë depozituesit shqiptar një standard shumë të afërt me atë që zbatohet për depozituesit në bankat e vendeve të BE-së. BSH-ja është e bindur që kjo masë, prej së cilës përfitojnë si publiku, ashtu edhe sektori bankar, do të gjejë mbështetje të plotë edhe në Kuvendin e Shqipërisë”,- thuhet në raportin e Bankës Qendrore.

"EVN Maqedoni", kërkohet rritja e tarifave të energjisë

"EVN Maqedoni" kërkon shtrenjtim të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në masën e 8,8 për qind. Lajmin e konfirmoi Komisioni Rregullator për Energjetikë, i cili deri në fund të muajit do të vendosë nëse dhe sa do të shtrenjtohet energjia elektrike. Nëse miratohet çmimi i ri, ai do të duhet të llogaritet prej majit të këtij viti. Rritjen e çmimit të energjisë tani për tani e kërkon vetëm "EVN Maqedoni", kurse kompanitë e tjera, "MEPSO" dhe "ELEM", bien dakord të punojnë sipas çmimeve të vjetra. Në tetor të vitit të kaluar, rryma e qytetarëve u shtrenjtua për rreth 13 për qind. Kompania austriake "EVN" është pronare e ish-Korporatës Elektroenergjetike të Maqedonisë, që dikur drejtohej nga shteti. Pikërisht, këtij rasti i druhet edhe qeveria shqiptare, nëse "CEZ", ashtu si "EVN" në Maqedoni, të kërkojë rritje të çmimit pas blerjes së OSSH-së.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›