E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia në shtresat morale



Në kushte të barabarta, një libër rezulton pak a shumë i bukur, sipas asaj që veçoria e vënë në dukje prej tij është pak a shumë e rëndësishme, domethënë, pak a shumë elementare dhe e qëndrueshme; ju do të kuptoni se janë pikërisht shtresat e gjeologjisë morale, që shprehin shkallën e tyre karakteristike të fuqisë dhe kohëzgjatjes. Nëse shqyrtohen veprat e mëdha letrare, do të zbulohet se të gjitha shfaqin një veçori të thellë dhe jetëgjatë, dhe sa më shumë që kjo veçori është jetëgjatë dhe e thellë, aq më të mëdha janë ato. Janë si përmbledhje, që na paraqesin në një formë të kapshme herë aspektet kryesore të një periudhe historike, herë instiktet dhe aftësitë zanafillore të një race, herë ndonjë copëz të njeriut universal dhe të atyre forcave psikologjike të parme, që janë arsyeja e fundit e ngjarjeve njerëzore. Për t’u bindur për këtë, nuk kemi nevojë të shqyrtojmë me kujdes letërsitë e ndryshme; do t’ju mjaftojë të vështroni përdorimin që u bëhet veprave letrare sot në histori.
Hippolyte-Adolphe TAINE

Fillimisht, ekziston një letërsi e modës që shpreh veçorinë më në modë; ashtu si moda, ajo zgjat tre apo katër vjet, ndonjëherë më pak, zakonisht lind dhe pastaj vdes brenda vitit, ashtu si gjethet: bëhet fjalë për romancën, farsën, broshurën, novelën në modë.
Lexoni, nëse keni guxim, një vodevil apo një farsë të vitit 1835: pjesa do t’ju shkaktojë një ndjenjë shkurajimi. Shpesh është kërkuar të përshtatet ndonjë për teatrin, por, ndërsa njëzet vjet më parë një veprim i tillë shkaktonte habi, sot një përshtatje e këtillë vetëm mund t’i mërzisë shikuesit dhe shumë shpejt do të zhdukej nga afishet. Ajo romancë, që këndohej kudo ku kishte një pianoforte, tashmë është bërë qesharake; duket e tepërt dhe e gënjeshtërt; megjithatë, mund ta dëgjoni në ndonjë provincë të largët që nuk ecën në një hap me kohën. Ajo shpreh një nga ato ndjenjat fluturake, që mund të zhduket madje nga ndonjë ndryshim i vogël i zakoneve: ja, pra, ku ka dalë nga moda, ndërsa ne habitemi që jemi interesuar me qejf për marrëzi të tilla.
Kësisoj, mes shkrimeve të panumërta që na rrethojnë sot, koha bën zgjedhjen e vet: duke zhdukur tiparet sipërfaqësore dhe të tundshme, ajo zhduk edhe veprat që i shprehin ato.

1.
Janë të shumta rastet e dukshme, që tregojnë me qartësi të përkryer se si vlera e veprës rritet apo pakësohet me vlerën e veçorisë së shprehur.
Duket pikërisht se në këtë rast natyra, me një skicë të paramenduar, ka përkufizuar përvojën dhe përvojën e kundërt. Mund të përmenden shkrimtarë, që mes njëzet veprave me rëndësi dytësore, kanë lënë një vepër të klasit të parë. Në të dyja rastet talenti, edukimi, përgatitja, përkushtimi ishin të njëllojtë. Megjithatë, në rastin e parë, nga prova ka patur zanafillë një vepër e dorës së dytë; në rastin e dytë, është shfaqur një kryevepër. Në rastin e parë shkrimtari ka shprehur vetëm veçoritë sipërfaqësore e kalimtare, ndërsa në të dytin ia ka dalë të kapë veçoritë e qëndrueshme dhe të thella. Lesage ka shkruar një duzinë romanesh të imituara nga spanjishtja dhe abati Prévost ka shkruar njëzet vëllime me novela tragjike apo sentimentale. Por sot vetëm kureshtarët i kërkojnë ato vepra, ndërsa gjithë të tjerët kanë lexuar Zhil Blasin dhe Manon Leskonë. Për mëse dy herë një ngjarje rastësore ka vendosur në duart e artistit një tip të qëndrueshëm, tiparet e të cilit mund të gjenden nga çdo njeri në shoqërinë që e rrethon apo në ndjenjat që provon në zemër.
Defoe ka shkruar dyqind vëllime dhe Servantesi nuk dihet se sa drama e novela, njëri me vërtetësinë e detajeve, me imtësinë dhe saktësinë e përpiktë të një sipërmarrësi puritan, tjetri me mprehtësinë, shkëlqimin, kufizimin dhe bujarinë e një aventurieri e kalorësi spanjoll: nga i pari na ka mbetur Robinson Kruzoja, ndërsa nga i dyti Don Kishoti.
Robinsoni, para së gjithash, është një anglez i vërtetë, tërësisht i mbrujtur nga instiktet e thella të racës, ende sot të dukshme te marinari dhe eksploratori i vendit të vet; i dhunshëm e kokëfort në vendimet e tij, protestant dhe ndjekës i regullave fetare, i karakterizuar nga një imagjinatë, një vetëdije e shqetësuar dhe e shurdhër, që mund të shkaktojnë çfarëdolloj konvertimi fetar apo të vënë në krizë madje edhe mirësjelljen; ai është energjik, ngulmues, i duruar, i palodhur, i lindur për të punuar, i aftë të hapë rrugën dhe të kolonizojë kontinente të tëra. Ky personazh, përveç karakterit kombëtar, na jep jo vetëm shfaqjen më të dukshme e më të qartë të asaj, për të cilën është i aftë njeriu, por edhe një përmbledhje të aftësisë së tij shpikëse, duke na e treguar individin të çrrënjosur nga shoqëria e qytetëruar dhe të detyruar të rikrijojë, duke u besuar vetëm aftësive të tij, artet dhe zanatet e shumta, nga të mirat e të cialve jemi gjithmonë të rrethuar, pa na rënë në sy, ashtu si peshqit në ujë.
Po ashtu, te Don Kishoti shikoni, para së gjithash, spanjollin kalorësiak, të lojtur mendsh nga tetë shekuj kryqëzatash dhe ëndrrash të marra. Përveç kësaj, ai është edhe një nga personazhet e përjetshme të historisë së njerëzimit: idealisti heroik, sublim, ëndërrimtar, i dobët dhe i mposhtur. Në krah të tij, për të theksuar kontrastin: gjykuesi i trashë, optimist, vulgar dhe i shëndetshëm.
Dua ende t’ju përmend një tjetër nga këto personazhe të pavdekshme, tek i cili shihet një racë dhe një epokë, emri i të cilit është bërë një term i përdorur i gjuhës së përditshme: Figaro i Bomarshe-së, një lloj Zhil Blasi më nervoz e më revolucionar se tjetri. E megjithatë, autori ishte thjesht një njeri me talent, me shumë humor për të krijuar, sikurse Molieri, shpirtra vërtet të gjallë; por një ditë, duke pikturuar vetveten me harenë, marifetet, paturpësitë, përgjigjet e befta e të shkëlqyera, guximin, mirësinë e lindur dhe gjallërinë e vet të pashtershme, pa dashur, ai ka pikturuar portretin e francezit të vërtetë dhe talenti i tij është ngritur deri te gjeniu.

2.
Ekzistojnë, madje, kundërprovat e asaj që kemi thënë: mund t’i vëzhgoni në ato raste, kur gjeniu ka zbritur deri në nivelin e talentit. Një shkrimtar i tillë, që është në gjendje të krijojë dhe t’u japë jetë personazheve më të mëdha, në tërësinë e figurave të tij, vendos një sërë krijesash pa jetë, që brenda një shekulli ose duken të vdekura, ose rezultojnë të urryera, ose bëhen qesharake dhe mund të zgjojnë vetëm kërshërinë e antikuarëve e të historianëve. Për shembull, të dashuruarit e Rasinit janë markezë, veçoria kryesore e të cilëve është mirësjellja. Autori i paraqiste ndjenjat e tyre në mënyrë të tillë, që “mjeshtrat e vegjël” të mos mërziteshin; ai i bënte të njerëzishëm dhe në duart e tij ata bëheshin kukulla. Ende sot të huajt, edhe ata të diturit, nuk mund ta durojnë zotin Hipolit dhe zotin Ksifares.
Gjithashtu, te Shekspiri lolot nuk të bëjnë më për të qeshur dhe fisnikët e rinj duken ekstravagantë. Duhet të jesh kritik apo ndonjë kureshtar profesionist për t’u marrë me ta; lojërat e tyre të fjalës janë të pakuptueshme; diskutimet e tyre të pagjykimta dhe të fryra janë një konvencion i shekullit XVI, ashtu sikurse mënyra e tyre elegante dhe e rafinuar e të shprehurit është një një zakon i shekullit XVII. Edhe këto personazhe janë të modës: aparencat dhe nevojat e çastit janë kaq mbizotëruese tek ata, saqë gjithë të tjerat zhduken.

3.
Pikërisht, përmes kësaj përvoje të dyfishtë, mund të vihet re rëndësia e tipareve të thella dhe jetëgjata, sepse mungesa e tyre e zbret në një vend të dorës së dytë edhe veprën e një njeriu të madh, ndërsa prania e tyre mund ta ngrejë te rangu i parë veprën e një talenti më të vogël.
Ndaj, nëse shqyrtohen veprat e mëdha letrare, do të zbulohet se të gjitha shfaqin një veçori të thellë dhe jetëgjatë, dhe sa më shumë që kjo veçori është jetëgjatë dhe e thellë, aq më të mëdha janë ato. Janë si përmbledhje, që na paraqesin në një formë të kapshme herë aspektet kryesore të një periudhe historike, herë instiktet dhe aftësitë zanafillore të një race, herë ndonjë copëz të njeriut universal dhe të atyre forcave psikologjike të parme, që janë arsyeja e fundit e ngjarjeve njerëzore. Për t’u bindur për këtë, nuk kemi nevojë të shqyrtojmë me kujdes letërsitë e ndryshme; do t’ju mjaftojë të vështroni përdorimin që u bëhet veprave letrare sot në histori. Falë tyre është e mundur të mbushen zbrazëtitë e kujtimeve, të akteve dhe të dokumenteve diplomatike; ata na tregojnë, me një qartësi e saktësi të habitshme, ndjenjat e eopkave të ndryshme, instiktet dhe zakonet e racave të ndryshme, të gjithë mekanizmat e mëdhenj e të fshehtë, drejtpeshimi i të cilëve mban shoqërinë dhe mospajtimi i të cilëve çon te revolucionet.
Historia, në kuptimin e ngushtë dhe kronologjia e Indisë së lashtë, kanë pak vlerë: por na mbeten poemat e saj heroike e të shenjta, ku mund të shihet shpirti i saj lakuriq, domethënë, lloji dhe gjendja e përfytyrimit, gjerësia e logjika e ëndrrave, thellësia e shqetësimi i intuitave filozofike, parimi i brendshëm i fesë dhe i institucioneve të saj.
Vlerësoni Spanjën e fundit të shekullit XVI dhe fillimit të shekullit XVII. Nëse lexoni veprën Lazarillo de Tormes dhe romanet pikareske, nëse studioni teatrin e Lope de Vega-s, Calderon-it dhe të dramaturgëve të tjerë, do të shihni të shpalosen para jush dy figura të gjalla, lamashi e kalorësi, që do t’ju tregojnë të gjitha mjerimet, të gjithë madhështinë dhe të gjithë marrëzinë e atij qytetërimi të çuditshëm.
Sa më e bukur është vepra, aq më intime janë tiparet që shfaq ajo. Nga Rasini mund të nxirret e gjithë skema e ndjenjave monarkike të shekullit XVII, portreti i mbretit, i mbretëreshës, infantët e Francës, portreti i fisnikëve oborrtarë, i zonjave të nderit dhe i klerikëve, të gjitha idetë e përhapura të kohës, besnikëria feudale, nderi kalorësiak, nënshtrimi tipik i oborreve, mirësjellja e pallatit, përkushtimi i nënshtetasit dhe i shërbëtorit, përsosja e manierave, sundimi dhe tirania e mirësjelljes, stërhollimet artificiale dhe të natyrshme të gjuhës, zemrës, krishtërimit e moralit: shkurt, zakonet dhe ndjenjat që përmbajnë tiparet themelore të regjimit të vjetër.
Dy epopetë e mëdha, Komedia Hyjnore dhe Fausti, janë përmbledhja e dy epokave të mëdha të historisë europiane. Njëra na tregon në ç’mënyrë vlerësohej jeta në Mesjetë, ndërsa tjetra në ç’mënyrë e vlerësojmë ne sot. Të dyja shprehin të vërtetën më të lartë që dy shpirtra sovranë (secili në kohën e vet) ditën të kapin. Poema e Dantes është portreti i njeriut të larguar nga kjo botë fluturake, i cili përshkon botën e mbinatyrshme, të vetmen botë përfundimtare e reale; ai zbret i drejtuar nga dy fuqi, dashuria e zjarrtë, që në atë kohë quhej mbreti i jetës njerëzore, dhe teologjia e saktë, që ishte mbretëresha e mendimit spekulativ; ëndrra e tij e tmerrshme e sublime në të njëjtën kohë, është halucinacioni mistik që dukej atëherë si gjendja e përsosur e shpirtit njerëzor. Poema e Gëtes është portreti i njeriut që, pasi ka eksploruar çdo fushë të mundshme shkencore e njerëzore, del i leqendisur dhe i pështirosur, gabon dhe vërtitet në errësirë, e në fund vendos me nënshtrim t’i kushtohet veprimit praktik, edhe pse mes kaq shumë përvojave të dhimbshme e kaq kureshtive të pakënaqura, ai nuk do të reshtë kurrë së pari tej vellos së legjendës, që mbështjell atë mbretëri sipërane të formave ideale dhe të forcave të palëndëta, që mund të depërtohet vetëm nga ndjesitë e zemrës, dhe në kufirin e së cilës mendimi ndalet.

4.
Mes kaq veprave të përkryera, që shfaqin karakterin thelbësor të një epoke apo të një race, është ndonjëra që rastësisht shpreh edhe ndonjë ndjenjë, ndonjë tip të njohur për të gjitha grupet e njerëzimit: për shembull, Psalmet hebraike, që e vendosin njeriun monoteist përballë Zotit të plotfuqishëm, mbret dhe gjykatës; Imitimi i Krishtit, që tregon bisedën intime të shpirtit të dhembshur me Zotin e dashur dhe ngushëllimtar, poemat e Homerit dhe Dialogët e Platonit, që paraqesin rininë heroike të njeriut, që vepron apo adoleshencën e mahnitshme të njeriut që mendon; për shembull, është pothuajse gjithë letërsia greke që pati privilegjin të paraqiste ndjenja të shëndetshme e të thjeshta; së fundi, Shekspiri, krijuesi më i madh i shpirtrave, një nga vëzhguesit më të thellë të njeriut, më largëpamësi mes atyre që kanë kuptuar mekanizmin e pasioneve njerëzore, shqetësimet e vagullta dhe shpërthimet e dhunshme të një mendjeje të pasur me imagjinatë, ngurimin e beftë të ekuilibrit të brendshëm, tiranitë e mishit dhe të gjakut, fatalitetet e karakterit dhe shkaqet e errëta të marrëzisë apo të mençurisë. Don Kishoti, Kandidi, Robinson Kruzo janë libra të këtillë.
Kësi veprash u mbijetojnë shekujve dhe popujve, që i kanë prodhuar. Ato shkojnë përtej kufijve të zakonshëm të kohës e të hapësirës dhe kudo ku gjendet një shpirt që mendon, ato janë të pranishme; popullariteti i tyre është i pacënueshëm dhe kohëzgjatja e tyre e pafundme: ato janë prova përfundimtare e përkatësisë, që lidh vlerat morale me vlerat letrare dhe e parimit që rendit veprat e artit duke i vendosur sipas përparësisë, sipas rëndësisë, sipas qëndrueshmërisë dhe sipas thellësisë së karakterit historik apo psikologjik që ato kanë shprehur.
Përktheu Erion Kristo

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›