E Diel, 1 Nëntor 2026

Të djathtët belgë ofrojnë shpërblim për denoncimin e femrave të mbuluara

Pjesëtarët e së djathtës belge kanë kumtuar se ofrojnë një shpërblim prej 250 euro për të gjithë ata, të cilët lajmërojnë në polici femrat e mbuluara.

Philip Devinter, zyrtar i lartë i partisë së djathtë, Vlaams Belang, deklaroi për agjencinë e lajmeve, Reuters, se kjo gjë do të detyrojë qeverinë që të zbatojë ligjin për ndalimin e bartjes së mbulesës, edhe përkundër protestave kundër kësaj mase.

“Perçja është një burg i tekstilit për femrat, që detyrohen të jetojnë nën të”, theksoi Devinter.

Protestuesit sulmuan javën e kaluar me gurë një stacion të policisë në Bruksel, pasi që policia arrestoi një femër myslimane, e cila refuzoi të heq ferexhenë.

Zëdhënësi i policisë së Brukselit tha se nuk ka njohuri se të djathtit kanë ofruar shpërblim me para, por theksoi se policët, të cilët shohin ndonjë femër të mbuluar, do të gjobisin ato.

Femrat në Belgjikë mund të gjobiten me maksimum 150 euro, nëse dalin të mbuluara në publik. Belgjika dhe Franca vitin e kaluar kanë ndaluar bartjen e ferexhesë në publik.

Sa i përket Devinterit, ai theksoi se nuk e di se sa njerëz janë paraqitur deri me tani për të marrë shpërblimin, ndërsa një zëdhënëse e policisë federative theksoi se ligjshmëria e këtij shpërblimi është një çështje për gjykatat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›