Të drejtat e emigrantëve, raportuesi i OKB-së vizitë në Shqipëri
Raportuesi special i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe të emigrantëve, François Crepeau vjen sot në Shqipëri në një mision nëntë ditor për të vlerësuar zbatimin e politikave, strategjive dhe ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve.
Gjatë misionit të tij nëntë ditor, Raporteri Special do të takojë krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të shoqërisë civile, agjensitë e OKB-së dhe organizatat rajonale dhe ndërkombetare në Tiranë. Ai do të udhëtojë gjithashtu në pikat e kufirit me Greqinë dhe Malin e Zi, do të vizitojë mjediset e pritjes për emigrantët dhe do të dëgjojë pikëpamjet e emigrantëve.
“Unë mezi pres që të bisedoj me të gjitha palët për mundësitë dhe sfidat e emigracionit për zhvillimin ndërkombëtar të vendit dhe integrimin evropian” ka theksuar para vizitës në Shqipëri, raportuesi i OKB-së Crepeau.
Pas përfundimit të të misionit të tij në Shqipëri, Raporteri Special do të japë konkluzionet e tij paraprake në një konferencë për shtyp.
Ky është misioni i parë në Shqipëri i një eksperti të pavarur i ngarkuar nga Këshilli i të drejtave të njeriut të OKB-së për monitorimin dhe raportimin për situatën e të drejtave të njeriut të emigrantëve duke marrë parasysh cënueshmërinë e veçantë të grave, fëmijëve dhe atyre që janë pa dokumente ose në një gjendje të parregullt.
Shqipëria ka ratifikuar Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të drejtave të të gjithë Punëtorëve Emigrantë dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre dhe raportuesi i Kombeve të Bashkuara do të monitorojë nga afër se sa është e zbatueshme kjo konventë në vendin tonë.
Ndërkohë një e katërta e të gjithë qytetarëve shqiptarë janë jashtë shtetit duke ju referuar flukseve të mëdha të emigracionit që në fillim të viteve 90 të cilat e kanë bërë Shqipërinë një vend me përqindjen më të lartë të emigracionit në botë. Kështu nga një popullsi totale prej 3.4 milionë, rreth një milion shqiptarë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.