Kuvend, sot shqyrtohet kodi rrugor dhe buxheti i vitit 2012
Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet sot në seancë plenare ku pritet të shqyrtohen kodi rrugor dhe projektbuxheti i vitit 2012. Seanca e kaluar e Kuvendit u shty nga Konferenca e kryetarëve pasi u debatua për kodin rrugor i cili nuk kishte marrë miratimin e komisionit përgjegjës, atij të veprimatarisë prodhuese. Megjithatë ky kod u kalua në komision pasi opozita solli amendimet e saj ndërsa më herët ai ka kaluar në komisionin e ligjeve.
Ndërkohë një tjetër pikë e rëndësishme në seancën e sotme plenare është edhe miratimi nen për nen dhe më pas në tërësi i projektbuxhetit të vitit 2012. Në seancën e kaluar, Kuvendi miratoi me 74 votat e maxhorancës buxhetin e shtetit për vitin 2012 pas një seance maratonë që zgjati më shumë se 14 orë.
Shqyrtimi i projektbuxhetit në seancën e kaluar solli debate të ashpra mes kryeministrit Berisha dhe deputetëve të opozitës.Shefi i qeverisë e mbrojti buxhetin duke theksuar se qëllimi madhor i tij është rritja e rrogave dhe pensioneve ndërsa opozita votoi kundër draftit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i ofroi qeverisë një marrëveshje për votim konsensual nëse ajo do të plotësonte disa kushte, ku i pari ishte ai për uljen e taksës për pagat e ulta. Por qeveria nuk pranoi asnjë nga propozimet e opozitës dhe kryeministri Berisha i cilësoi ato si një politikë të dështuar.