E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë "Rroftë Berluskoni!"

Kur, gjatë kësaj jave, bashkëshortja e Silvio Berluskonit Veronika Liario - në betejën më të freskët publike me të shoqin - e quajti Kryeministrin italian "perandor", ndoshta pa e ditur, po bënte diçka më shumë se thjesht po zbrazte zemërimin kundër tij. Ajo që tha me zë të lartë bashkëshortja e zemëruar pëshpëritet së fundmi shpesh në politikën italiane, madje duke u kthyer në temë dite - rritja e frikshme e pushtetit të miliarderit të mediave dhe frika se ai po e përdor në rrugë aspak demokratike.

Koncepte të tilla nuk janë aspak të reja. Por javën e ardhshme, kur 72-vjeçari feston përvjetorin e parë të kthimit në zyrën e shefit të qeverisë, di t‘i gëzohet njëherësh edhe grumbullimit të sasive aq të mëdha pushteti e popullariteti, sa asnjë lider tjetër italian që prej rënies së diktatorit fashist, Benito Musolini. Shumë pak njerëz do binin ndesh me gjykimin e Masimo Xhaninit, autor i një libri të publikuar së fundmi mbi Kryeministrin, sipas të cilit, gjatë 12 muajve të fundit, Berluskoni "Përfundimisht ka rishtënë në dorë Italinë". Kryeministri, tepër i gjallë, e gjithnjë i thekur nga dielli, zotëron mazhorancën parlamentare dhe ka pas vetes një parti të unifikuar. Sondazhet e nxjerrin me popullaritet gjithnjë e më të madh dhe dora me të cilën shtrëngon mediat italiane është më e fortë se kurrë.

Ndër shtatë televizionet kombëtare, tri janë të tijtë, duke qenë se zotëron mazhorancën e aksioneve të secilit, ndërsa tre të tjerët, rrjeti shtetëror RAI, u përgjigjen dëshirave të tij si Kryeministër. Në raportin e fundit të organizatës "Freedom House" mbi lirinë e mediave, Italia kishte zbritur nga shkalla "e lirë" në "pjesërisht e lirë", duke u vënë në një nivel me shtete si Shqipëria apo Ukraina.

Verenika Liario nuk është e vetmja që trembet se deri në ç‘pikë mund të arrijë kjo situatë. Xhanfranko Fini, një prej dy zëvendëskryeministrave të qeverisë së shkuar të Berluskonit, nga viti 2001 në 2006, paralajmëroi muajt e parë të këtij viti për rreziqet e "Cezarismit".

Tri procese të veçuara janë vënë në veprim gjatë 12 muajve të fundit. Njëri është homogjenizimi i qeverisë "Berluskoni". Nuk ka më nevojë të jetë e varur nga një parti rebele si e djathta e kristian-demokratëve, të cilët u larguan nga koalicioni i Berluskonit përpara zgjedhjeve të fundit. Në mars, dy grupet më të mëdha të mbetura, Forca Italia e Berluksonit dhe Aleanca Demokratike, e cila është pjellë e lëvizjes së sotme neofashiste, u shkrinë në një bashkim të ashtuquajtur Populli i Lirisë. Në një shtet të mësuar me qeverisje shumë të shkurtra, ndonjëherë vetëm pak javë, kabineti aktual duket se i ka krijuar vetes të gjitha shanset të përmbushë gjithë mandatin pesëvjeçar.

Një faktor i dytë ka qenë tërheqja e opozitës në të gjitha format. Qendrat e rezistencës ndaj pushtetit të tij kanë rënë njëra pas tjetrës - në universitete, unione e politikë. Kur në vitin 2003, Berluskoni u përpoq të miratonte një ligj për t‘i siguruar vetvetes imunitet ndaj çdo hetimi, opinioni publik shfaqi shumë nervozizëm dhe ligji u revokua më pas nga Gjykata e Lartë. Vitin që shkoi, ministri i tij i Drejtësisë formuloi një version të modifikuar të po atij ligji dhe e kaloi me shpejtësi në Parlament pa u përballur me reagime të ashpra.

Studentët me prirje majtas ndërmorën protesta të zhurmshme vitin e shkuar kundër pakësimit të buxhetit në sektorin e shkollimit. Por në zgjedhjet e nëntorit për përfaqësuesit studentorë të universitetit "La Sapienza" të Romës, tri nga pesë vendet që kanë studentët në senat u fituan nga kandidatët e mbështetur nga partitë qeveritare.

Një listë e gjatë politikanësh të majtë kanë deklaruar admirimin ndaj Berluskonit. Shkrimtari Alesandro Bariko, la pa fjalë intervistuesin kur i tha intervistuesit se Kryeministri "është shumë i joshur nga e ardhmja" dhe "ka mendje aq të hapur sa imagjinon projekte që na lënë pa fjalë gjithë kohës". Unionet e tregtisë, greva e të cilëve para 14 vjetësh ndihmoi Berluskonin të bëhej për herë të parë Kryeministër, tashmë janë të përçarë. Greva e dhjetorit kundër qeverisë u mbështet vetëm nga një prej tri federatave kryesore të unioneve dhe në përgjithësi u gjykua e dështuar.

Por më problematike se gjithçka tjetër në këtë kuadër ka qenë kolapsi i opozitës parlamentare italiane. Lideri i saj, Valter Veltroni, u diskreditua në çastin kur plani i tij për të bashkëpunuar me Berluskonin mbi një program reformash për hir të interesit kombëtar u shigjetua nga Kryeministri i ardhshëm triumfues. Pas humbjeve shumë të rënda gjatë një votimi lokal në Sardenjë, në shkurt të këtij viti, ku partia e tij fitoi vetëm 24 për qind të votave, Veltroni u dorëhoq.

Që të gjithë këta faktorë e kanë çuar në majë popullaritetin e Berluskonit. "Jam në nivelin 75.1 për qind", deklaroi para dy ditësh. "Di se sondazhet tregojnë se Obama është në 59 për qind. Kështu që kam arritur rekord". Sondazhi të cilit i referohej nuk qe bërë publik, por edhe një sondazh i kryer nga gazeta e qendrës së majtë "La Repubblica" e shihte të aprovohej nga 56 për qind e votuesve.

Disa prej kritikëve të tij e shohin këtë ngritje rezultat të televizioneve që ka në pronësi. "Televizionet e Berluskonit kanë ndikuar jo vetëm te votuesit, por te i gjithë kombi", tha regjisori Nani Moreti së fundmi.

Sigurisht, një prej motiveve të rritjes së popullaritetit të tij ka qenë përgjigjja ndaj shqetësimeve të votuesve për çështje si rregulli e siguria. Sondazhet tregojnë se italianët janë shumë të trembur nga krimi, emigrantët dhe frika prej pasojave të globalizimit. Edhe pse çështjet kyçe të programit të tij qenë konsideruar të papranueshme nga Komisioni Evropian në Bruksel, qeveria e tij ka vepruar shumë energjikisht në fushën e rregullit e drejtësisë, me elemente të papranueshme në shtete të tjera të Evropës. Kampet e romëve nëpër vend janë shkatërruar dhe të gjithë banorëve të kësaj etnie u janë marrë shenjat e gishtërinjve. Pritet që në Parlament të aprovohet një ligj për legalizimin e patrullave të llojit "vigilantes" të përbërë nga qytetarë, si dhe për zgjatjen në gjashtë muaj të periudhës së mbajtjes së emigrantëve në "qendrat e posaçme të identifikimit e dëbimit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›