Të gjithë në një mendje: Tartufi, dështim
Kur Bajrush Mjaku u pyet nga mediat në Tiranë pse ata të Kosovës e kishin polemizuar aq shumë shfaqjen e “Tartufit”, vetëmbrojtja ishte gati absurde - intelektualët në Kosovë nuk e paskan kuptuar veprën e regjisorit Rahim Burhan. Dy elementë të fuqishëm që e shembin e i japin përjetësi Molierit janë shtylla në vepër: gjinia, pra komedia dhe filozofia. Të dyja këto janë shembur në shfaqjen e “Tartufit”, vënë nga Teatri Kombëtar i Prishtinës me një shumë prej 40 mijë eurosh, ku për ironi është ruajtur emri i autorit, pra Molierit. Mjaftojnë këta dy elementë të rrëzuar në veprën e Burhan, që kjo shfaqje të cilësohet e dështuar, estetikisht. Kështu që deri këtu, aktori Bajrush Mjaku me gjithë dëshirën për t’i rezistuar këtij fati dhe po ashtu për t’i bërë apologji regjisorit rom dhe të njohur, Burhan, bie poshtë. Çështja e “kuptimit” të shfaqjes kur një ditë më parë është ngjitur edhe në skenën e Tiranës, ka hequr “reminishencën” që iu kërkua medias duke zbuluar inferioritetin e aktrimit përballë prirjes regjisoriale për të prodhuar një vepër “aktuale” për Kosovën. Kurioziteti ka qenë i madh nga kritikët e kryeqytetit të Shqipërisë, për të kuptuar pse kjo shfaqje është quajtur më e debatueshmja në Kosovë, nga kolegët e tyre atje. Koha e vëllazërisë dhe sentimentalizmave patriotë duket se ka marrë fund. Është koha që të përballen vlerat. Nëse kjo nuk kthehet në vetëdije si për aktorët e Kosovës dhe të Shqipërisë, atëherë sërish do të përballemi me hipokrizitë në mes shkëmbimit të njohjes së njëri-tjetrit, për të dy vendet. Ndoshta konteksti i “Tartufit” për t’i besuar debatit të hapur ka vlejtur veç për këtë, për të mbyllur një herë e mirë arrogancën e aktorëve shqiptarë. “Tartufi” është një shembull që kërkon sirtarin e tij, jo si kryqëzim i një vepre, por si shembull për të mos qenë servilë, hipokritë, kompromisaxhinj me një vepër arti. Kritika e Kosovës i dha zemër kësaj, ndërsa këtu në Tiranë kritikët ende mbushin faqe lavdëruese pa njohur nivelin e këtyre ballafaqimeve. Në fakt ky është një fenomen që më shumë fundos veprën, regjisorin dhe aktorin dhe nuk i jep sukses. Por a ishte ky debat i “Tartufit”, për një vepër që ia vlejti të diskutohet aq gjatë? Regjisori Burhan, nëse ka dëshiruar këtë, ia ka arritur, por në të kundërt kritikët, si në Kosovë dhe në Tiranë, kanë qenë në një mendje: Tartufi ishte një dështim. Një shfaqje e cekët, që devijon personazhet pa u këmbyer me ndonjë vlerë më të qenësishme, të qëndrueshme, estetike. Shfaqja në Tiranë është duartrokitur vakët, ndërsa regjisori dhe kritiku, Mihallaq Luarasi tregon pikat ku kjo vepra e Molierit shembet - duke mbështetur kështu edhe arsyet mbi të cilat ka polemizuar kritika në Kosovë për këtë shfaqje. Duket se kthimi në shtëpi i aktorit Mjaku nuk përbën dështimin e tij, por dështimin e mbrojtjes për regjisorin Burhan, në mungesë të të cilit ka treguar për mediat se vepra kështu siç na erdhi ka qenë një marrëveshje burrash për të qenë e tillë; një Tartuf mysliman, pa portret, me devijacione të rënda dramaturgjike.
“Tartufi” me regji të Rahim Burhan u shfaq dy herë në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës. Mësova se ju ishit të pranishëm në njërën prej tyre. A mund të na tregoni përshtypjet tuaja mbi këtë shfaqje, e cila në Kosovë nuk është vlerësuar pozitivisht sa i përket konceptit regjisorial?
Mendoj se është momenti që në marrëdhënien me bashkatdhetarët tanë kosovarë të ndryshojë qëndrimi i gjykimit të krijimtarisë së njëri-tjetrit. Shfaqjet e tyre që janë dhënë në skenën tonë gjithmonë i kemi lavdëruar, nuk kemi qenë objektiv, por kemi qenë më shumë atdhetar, vëllezër. Krijimtaria jonë nuk është parë në aspektet profesionale. Edhe ata, në po të njëjtën mënyrë kanë vepruar me ne. Ky lloj qëndrimi mendoj se duhet të marrë fund, sepse nuk është në të mirë të teatrit shqiptar. Shfaqja më befasoi me gabimet e rënda që janë bërë. Është marrë një vepër klasike, shumë e njohur dhe është deformuar, transformuar, “shpartalluar” nga ana dramaturgjike, sepse kështu e ka menduar regjisori nga Kosova. Mirëpo, Teatri Kombëtar i Prishtinës, si një teatër i nderuar dhe me përvojë të gjatë nuk duhet të pranojë çdo gjë, që pretendon një regjisor. Më duket se është goditur në thelb ideja dhe përmbajtja e Molierit. Kjo për tre arsye. Së pari, dua të them se ajo është një komedi, ndërkohë që është kthyer në dramë. Të dyja këto janë gjini të ndryshme të artit teatror. Pikëvështrimi artistik, që në shkrimin e saj ndryshojnë nga njëra-tjetra. Situatat komike nuk mund t’i kthesh në situata dramatike sepse janë situata kur dikush bëhet qesharak dhe na shkakton të qeshur, dhe jo të qarë, apo një reagim tjetër.
Është dëmtuar ideja duke e kthyer goditjen që bën Molieri ndaj një fenomeni të fuqishëm negativ në atë kohë, që ishte hipokrizia, të shthurur fetar. Kjo ishte një karakteristikë e katolicizmit atëherë. Nuk mund ta transformosh këtë aspekt, duke e shndërruar në një fe tjetër vetëm duke konkretizuar disa komportime, disa lutje, sjellje dhe rituale fetare apo edhe nëpërmjet veshjet e tyre tipike.
Cili është problemi që ka ardhur si pasojë e ndërrimit të personazhit, nga i krishterë në mysliman?
Për arsye se personazhi nuk mund të qëndrojë në këmbë, e gjithashtu edhe për faktin sepse për Molierin në atë kohë ka qenë një problem i madh social. Feja ishte pushtet, kishte rëndësi shumë të madhe dhe kishte një shtrirje mjaft të gjerë në shoqëri. Për këtë u desh një revolucion që të ndryshonte situata. Nuk ishte aspak e përshtatshme që regjisori t’i vishte këto lloj karakteristikash një myslimani, sepse nuk shkon. Po ashtu kam evidentuar edhe diçka tjetër. Ka bërë një përplasje me personazhet myslimane dhe emrat e tyre, të cilët i ka lënë po ato, kristianë, Valeri, Marjana, Dorina etj.
Ndërkohë, kalojmë tek problemi i radhës... regjia në Kosovë është cilësuar dështim, po ju si shihni?
Një tjetër problem është po ashtu, se regjia duke u marrë shumë me anën spektakolare, dekorin, i cili për mendimin tim ishte interesant, ka neglizhuar figurën artistike prej aktorëve. Ka lënë pas dore artikulimin e fjalëve të aktorëve, sepse regjisori Burhan duke qenë i huaj, ndoshta nuk ka qenë në gjendje t’i kontrollojë aktorët që të flasin siç duhet, apo jo. Unë isha ulur në radhën nëntë. Tekstin e dëgjoja, por 70% të tij nuk arrija ta kuptoja.
Kjo vinte për shkak të gjuhës, apo...?
Kjo nuk vinte nga gjuha e tyre, sepse unë jam i familjarizuar me të folurën kosovare, dhe në këtë drejtim Teatri i Prishtinës ka avancuar shumë, në drejtim pozitiv. Por problemi qëndronte në artikulimin e fjalëve, sepse një sërë fjalësh të bukura artistike të tekstit të Molierit nuk mbërrinin në veshin tim.
Tartufi ishte personazhi kryesor i interpretuar nga aktori Bajrush Mjaku. Duke shmangur dramaturgjinë, pra nga komedi në dramë, sa afër Tartufit të vërtetë të Molierit qëndronte ky aktor?
Në fakt, ky ishte një tjetër gabim. Roli kryesor, Tartufi nuk mendoj se i shkonte aktorit të shquar, mikut tim Bajrush Mjaku. Nuk është rol i përshtatshëm kryesisht për fizikun e tij, por edhe për mënyrën e interpretimit të tij. Mjaku mund të luante në mënyrë të shkëlqyeshme Falstafin e Shekspirit, i cili është një rol i prerë për të. Ndërsa sa i përket aktorëve të tjerë m’u dukën mirë në përgjithësi. Po koncepti regjisorial ishte i gabuar.
Njëri prej aktorëve, Çun Lajçi, doli nga teksti i parashikuar, duke e përshtatur paksa me ngjarjen e bujshme aktuale, skandali “Pango”. Një ngjarje skenike pothuajse e ngjashme me atë të ish-ministrit të Kulturës, ku aktori në vend të emrit “Tartuf” preferoi ta thërriste “Zoti ministër”. Po ashtu, ai aktroi sikur pësoi një problem shëndetësor në skenë. Cili do të ishte gjykimi juaj?
Fakti që aktori Çun Lajçi doli nga teksti duke përmendur skandalin seksual të ministrit Pango, mendoj se nuk ishte momenti për ta bërë këtë, sepse ky ishte një teatër dramatik. Një gjë e ngjashme, pra që aktori të mund të bëjë ndryshime të momentit në tekst, lejohet në teatrin e estradës, por jo në dramë. Aktori nuk duhet të lëvizë nga teksti, as të shtojë, e as të heqë fjalë nga teksti. Është e palejueshme, sepse ajo është një vepër e mbyllur, e shkruar, e firmosur dhe nuk mund të luash sipas qejfit me tekstin.
Ndriçimi, errësira, ishte një prej karakteristikave të kësaj shfaqjeje. Sa ishte sistemuar ky aspekt në skenë?
Ndërrimi i skenës, errësira e herëpashershme ishte një nga defektet artistike, të cilat gjithmonë janë pasojë e konceptit regjisorial. Duke e konceptuar si dramë, errësira ishte absolute. Ndërkohë që sa i përket ndriçimeve, shpeshherë e kishte përdorur për momente që nuk ishin të nevojshme. Personazhet e mirë dilnin nga një derë, e cila ndriçohej nga prapa. Këtë e vërtetova kur doli i pari personazh, mendova se ishte Tartufi, pra një rol negativ. Por në të vërtetë, nuk ndodhi kështu. Prej aty na doli Valeri, një personazh pozitiv. Kjo ishte e pashpjegueshme se përse shërbente ai lloj ndriçimi. Në këtë rast nuk e shpjegonte figurën e tij. Janë shumë momente që janë aplikuar për efekt, por që kanë dalë jashtë kontekstit të veprës.
Një vepër ku është ndryshuar religjioni, me idenë për t’u përshtatur me skenën shqiptare, ku dominon myslimanizmi. Si e shikoni, a i përputhet një realiteti aktual të Kosovës sipas jush kjo, dhe sidomos atij shqiptar?
Ndikimi në shoqërinë aktuale, të veprave klasike të shkruara shekuj më parë nuk mund t’i tjetërsojmë. Ka shumë raste kur regjisori i ka ndryshuar emrat, vendngjarjet, por në rastin konkret është ndryshuar religjioni. Ndikimi i këtyre veprave bëhet për analogji, që do të thotë se nëse do të flasim për shoqërinë viktoriane, atëherë ishte problem integriteti i personit. Në këtë rast, kjo gjë theksohet në mënyrë të atillë, që ky problem të evidentohet në jetën e sotme. Në rastin konkret, hipokrizia, të shtirurit është një problem për të gjitha shoqëritë dhe për të gjitha kohët. Kështu që për analogji, tek Tartufi i Molierit, kjo gjë theksohet shumë, ndonëse në atë kohë për një tjetër qëllim. Por, e respektoj zgjedhjen e regjisorit duke qenë se ky problem ekziston edhe sot, në shoqërinë tonë. Mesazhi i tij është të jemi të hapur, të sinqertë dhe transparent me të gjithë, gjë që jo të gjithë i zbatojnë më përpikëri. Po ashtu, kam edhe një vërejtje tjetër për t’i bërë vëllezërve tanë të Prishtinës. A nuk ka dramë shqiptare në Kosovë, por kanë zgjedhur një të huaj? Hipokrizia, dyfytyrësia është ajo që trajtohet në këtë shfaqje, por a nuk ka probleme të tjera në Kosovë, siç mund të jetë korrupsioni, papunësia, e shumë të tjera për t’u zgjidhur, për të cilat teatri duhet të flasë me patjetër, sepse është Teatër Kombëtar. Ai ka obligime ndaj kombit. Për këtë unë kisha pritur që në këtë muaj të marrëdhënieve kulturore midis dy vendeve tona, një pjesë origjinale shqiptare.
Çun Lajçi:
“Në të vërtetë aktrova, sikur më ndodhi diçka në skenë. Duke qenë se publiku është tronditur paksa, mendova që të zbus vdekjen time. Ky ishte qëllimi i regjisorit, që të kalonte nga Molieri tek Brehti. Populli nuk e ka kuptuar nëse ishte teatër, apo një ngjarje prej vërteti. Por jam i sigurt se ndodhi të tilla i ka shumë përzemër.
Sa i përket skandalit seksual të ish-ministrit Pango, mendova të dal nga teksti për arsye se është një ngjarje shumë aktuale dhe e krahasueshme me një episod të shfaqjes. Në vend që personazhin ta quaj në emrin specifik, sipas dramaturgjisë, e thërrita “z. ministër, ju kam dhënë vajzën e jo gruan”. Mendoj se është një mënyrë e mirë për të ndërgjegjësuar njerëzit, kryesisht zyrtarët dhe politikanët tanë. T’u japim një mesazh atyre që po abuzojnë me femrën. Atyre që na udhëheqin, të cilat po na mashtrojnë pas dyfytyrësisë së tyre”.