Rrugët e reja, 39 segmente do ndërtohen në 2009
Kushdo që ka udhëtuar në drejtime të ndryshme të qyteteve shqiptare ka vënë re se në akset rrugore po punohet me intensivitet. Kjo ndodh si në drejtim të Jugut, ashtu dhe të Veriut. Pa hezitim mund të thuash se Shqipëria është kthyer në kantier ndërtimi, kur i referohesh ndërhyrjeve për sistemin e rrugëve ekzistuese, apo ndërtimin e të rejave. Veç rrugëve që kanë nisur që në vitin 2008 dhe pritet të përfundojnë gjatë këtij viti, në 2009 do të ndërtohen plot 39 segmente të reja. Drejtoria e Rrugëve tashmë ka shpallur tenderat e infrastrukturës me përparësi për t’u ndërtuar gjatë 2009. Këto 39 segmente rrugore do të thithin një investim prej 91.1 milionë lekësh, financim i buxhetit të shtetit. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit edhe këtë vit vazhdoi të përfitojë pjesën më të madhe të fondeve të parashikuara për investime publike. Buxheti i akordoi asaj 56.5 miliardë lekë, ose 72 për qind të totalit të investimeve publike. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve do t’i ndërtojë këto rrugë në kuadër të fondit, të miratuar për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në buxhetin e shtetit për vitin 2009. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka deklaruar madje që në vitin 2008 se prioriteti i qeverisë për vitin 2009 do të jetë përfundimi i rehabilitimit të infrastrukturës në vend. Fondi i miratuar për ndërtimin e 309 segmenteve gjatë vitit 2009 do të shërbejë për të përfunduar krejtësisht segmentet: Durrës-Morinë; Bllatë-Bulqizë; Korçë-Qafë Plloçë (autostrada) dhe Vlorë-Sarandë. Buxheti i vitit 2009 parashikon një përqendrim të punimeve edhe në shndërrimin në 4 korsi të autostradës Fushë Krujë-Milot; fillimin e punimeve për ndërtimin e segmenteve të rrugës së Arbrit, Bulqizë-Klos e Shkalla e Tujanit drejt Klosit; fillimin e autostradës Plloçë-Qukës; ndërtimin e një aksi të ri të rrugës Krumë-Kukës; fillimin e punimeve të aksit Kardhiq-Delvinë, nga ana e Delvinës; përfundimin e rrugës së Prespës, që e lidh me aksin kombëtar; segmentin e Valbonës, të Qafë Prushit dhe avancimin e punimeve të rrugës Kukës drejt Kalasë së Dodës, të Peshkopisë në drejtim të Kalasë së Dodës e të rrugës Steblevë në drejtim të Orenjës dhe Peshkopisë. Buxheti përqendrohet, sipas tij, edhe në ndërtimin e një seri rrugësh që zbresin drejt detit, ndërkohë që rrugë me rëndësi turistike do të jenë ato Bogë-Theth, Kukës-Shishtavec, unaza që lidh Dardhën dhe zonat malore të Korçës dhe rruga drejt malit të Çajupit etj. Lista e segmenteve që do të ndërtohen gjatë vitit 2009 ka një shtrirje gjeografike nga jugu në veri. Ky investim garanton përmirësimin e infrastrukturës rrugore, duke sjellë kështu standarde të larta për qytetarët shqiptarë.