E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë në panik

Kriza e euros – që fillimisht dukej se ishte nën kontroll – është komplikuar sërish ditëve të fundit. Përderisa presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Draghi apelon për inicimin e një programi kontinental të rritjes ekonomike, presidenti francez Sarkozy – në mes të fushatës zgjedhore, që po e humbet – thekson se nuk tjetër alternativë po kursimit. Si pasojë e kursimit Britania e Madhe sërish ka hyrë në recesion. E vetmja që hesht për të gjitha është kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Të enjten në mëngjes, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (ECB), Mario Draghi po fliste në konferencën me emër goxha domethënës, ‘Integrimi Financiar dhe Stabiliteti: Drejt një Tregu më Rezistues të Përbashkët të Evropës’. Në këtë konferencë ai, mes tjerash, e tha edhe këtë fjali:

“Integrimi financiar i ndihmon balancimit të kushteve financiare dhe atyre monetare”.

Në situatën aktuale në të cilën ndodhet Evropa kjo gjë vështirë se mund të ndryshohet. Këtë e pranoi edhe vetë Draghi, derisa deklaroi se “kriza financiare demonstroi se integrimi nuk mund të konsiderohet si diçka e gatshme”. Propozimi i guvernatorit të ECB është që edhe Unioni duhet që, sa më parë, të krijojë një strategji për rritje ekonomike, përderisa, në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian duhet të rritë buxhetin e vetë.

Mirëpo, nga ana tjetër kemi presidentin francez, Nicolas Sarkozy, i cili aktualisht po lufton për një mbijetesë politike, mposhtu që është shumë vështirë që deklaratat e tij, të dhëna në mes të fushatës për raundin e dytë zgjedhor, të merren krejt seriozisht. Sidoqoftë, Sarkozy fillimisht flirtonte me idenë se Franca duhet të largohet nga Marrëveshja e Schengenit , për të thënë pastaj – në një intervistë për Inter Radio- se Franca ka arritur që shumë më shpejtë seç pritej të ulë deficitin e saj buxhetor. Të mërkurën ndërkaq, Sarkozy fliste për atë se do të mbajë një referendum që për temë do të ketë Traktatin Fiskal të BE’së, duke synuar kështu që të neutralizojë premtimet e kundërkandidatit të tij, Francois Hollande, i cili paralajmëroi ndryshimin e kësaj marrëveshjeje.

Se çfarë do të thotë Sarkozy nesër, këtë nuk mund ta dijë askush.

Nga ana tjetër, kryeministri italian, Mario Monti, duket se i është bashkuar atyre që bëjnë thirrje për krijimin e një programi urgjent të rritjes ekonomike të BE’së. Në fakt, Monti deklaroi të enjten se, të gjitha reformat që i realizoi “shkaktuan deflacion”, kështu që, pa një rritje dhe pa një kërkim të shpëtimit nuk do të ketë shpëtim të valutës euro.

Të enjten, në Bruksel, Monti u takua me njerëz afaristë nga BE, sepse gjatë kësaj jave bursat evropiane – për shkak të rënies së Qeverisë së Holandës, pikërisht shkaku i Traktatit Fiskal – ishin tejet jostabile.

Duket sikur gati askush brenda BE’së nuk është në gjendje që t’i përmbahet rregullit për një deficit maksimal buxhetor prej tre përqind. Fundja, “nëse këtë gjë s’mund ta arrijë as një Holandë e fuqishme ekonomikisht, si mund ta arrijnë këtë Spanja, Italia, Greqia dhe Portugalia, të cilat po përballen me probleme të mëdha”, shkruan javorja gjermane ‘Der Spiegel’.

Veç kësaj, Spanja ndodhet në një pozitë veçanërisht të rrezikshme edhe për shkak të madhësisë së saj, por edhe për shkak të faktit që sistemi i saj bankar është tejet jostabil. Për këtë arsye, ECB dhe Fondi i Stabilizimit i FMN’së, tashmë po mendojnë seriozisht që t’i ndihmojnë edhe bankave spanjolle, megjithëse ky veprim është në kundërshtim me rregullat e Mekanizmit Financiar Evropian për mbrojtje të valutës euro, të miratuara nga BE’ja me propozim të kancelares gjermane Merkel.

Për këtë shkak, Angela Merkel – të paktën deri më tani – vazhdon të hesht, e kjo heshtja e saj, megjithatë, jehon brenda kakofonisë së zërave që u dëgjuan gjatë kësaj jave, lidhur me atë se çfarë duhet bërë për shpëtimin e valutës euro.

Mediat gjermane tashmë kanë konstatuar se Berlini mbeti i vetmuar në përpjekjen e tij që të gjitha problemet të zgjidhen përmes një kursimi radikal. Por kjo gjë, për më keq, e shtyri Britaninë e Madhe që të hyjë në një recesion të ri.

Në këtë kontekst, ia vlen të përmendet një analizë e publikuar në ‘Der Spiegel’, dhe e nënshkruar nga njëri prej themeluesve të gazetës ‘Financial Times Deutschland, Wolfgang Muenchau. Muenchau, mes tjerash, thekson se “kriza e euros qysh tani iu ka kushtuar me pozitë disa prej politikanëve kryesorë në Evropë, si Zapatero dhe Berlusconi, e, me gjasë, tani do t’i kushtojë edhe Sarkozy’t”.

Sipas Muenchau, pas tij radhën e ka Angela Merkel – e cila aktualisht “është në zenitin e fuqisë së saj, që do të thotë se gjërat për të, për sa u përket çështjeve evropiane, mund të bëhen vetëm më keq”.

tportal.hr

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›