E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/ Ja pse Obama përzgjodhi Çikagon për mbajtjen e samitit të 25 të NATO-s

18-05-2012 / Gazeta 55

Ditën e diel, më 20 maj, në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës çel punimet dy ditore Samiti i vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO. Më shumë se 60 krerë shtetesh e qeverish do të takohen për të diskutuar në lidhje me sigurinë e stabilitetin në zonën euroatlantike. Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga kryeministri z. Sali Berisha, ministri i Jashtëm z. Edmond Haxhinasto, Ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi. Do të jetë një samit “i zgjeruar” vendimtar për të ardhmen e NATO-s, pasi krerët e shteteve dhe qeverive do të diskutojnë për agjendën e NATO-s pas 2020. Do të fillohet me vendimet e marra në Lisbonë dhe do të shndërrohen në sipërmarrje dhe programe konkrete. NATO do të angazhohet për mbajtjen dhe zhvillimin e kooperacionit dhe dialogut me partnerët e saj në botë, që shkojnë nga Emiratet Arabe të Bashkuara, në Armeni dhe Azerbajxhan, duke kaluar nga Koreja e Jugut dhe Mongoli. Pastaj Rusia, Australia, Bahrejn, Katar dhe Zelanda e re. Në Çikago do të jetë bota. Një sfidë për pjesëmarrësit që do të jenë në hapja e ditës së diel sepse do të bashkërendojnë përgjegjësitë dhe aktivitet e NATO-s me buxhet kombëtare që janë në vështirësi. Thellësisht, samiti do të koncentrohet në tre tema: angazhimi i Aleancës në Afganistan, përsa i përket tranzicionit dhe asaj që do të vijë më pas; mbështetja për kapacitet e NATO-s për të mbrojtur popullin dhe territorin në shekullit e XXI-të dhe forcimi i rrjetit të partnerëve në të gjithë botën, përtej kufijve të Atlantikut të veriut. 
***
Pse Obama zgjodhi Çikagon për mbajtjen e Samitit - Vendimi për të zhvilluar samitin në Çikago u mor nga presidenti Barack Obama, i cili tha se kjo do të theksojë rëndësinë e NATO-s për Shtetet e Bashkuara.  “Ai donte të tregonte se sa shumë e vlerësojnë Shtetet e Bashkuara NATO-n, sa të angazhuar ishin për të ardhmen e NATO-s, sa shumë u integrua ajo me planet e saj me të ardhmen e politikës amerikane. Kështu, ai vendosi që ne do të presim samitin dhe vendosi që ta bëjë këtë në qytetin e tij më të përzemërt. Kjo është arsyeja pse është kaq personale dhe e veçantë për të”, tha Ben Rhodes, zëvendës këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare të Komunikimeve Strategjike. “Gjithashtu, kjo paraqet shumëllojshmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe diversitetin që përfaqëson shumica e shteteve anëtare të NATO-s, të cilët kanë një popullsi të konsiderueshme të diasporës këtu”, shtoi ai.
Vendi i kulturave të ndryshme - Çikago është një qytet që ka një popullsi shumë kulturore prej rreth 2.6 milionë banorë, duke përfshirë diasporën nga shumë vende të NATO-s si Greqia, Italia, Polonia, Portugalia, Rumania e Turqia. Çdo aspekt i kulturës së qytetit është pasuruar nga kjo popullsi e përbërë nga kultura të ndryshme, që nga rrugët e arkitektura e deri tek muzika e kuzhina e tij. “Ai është një komunitet i madh kulturor me art e me institucione kulturore”, tha Warren Wilkinson, shef marketingu i “Zgjidhni Çikagon”. “Si qyteti i tretë më i madh në Shtetet e Bashkuara, ai është një destinacion shumë i rëndësishëm global. Çikago është një qytet i mrekullueshëm për NATO-n, për të mirëpritur një takim të tillë të rëndësishëm”, tha ai.
Vendtakimi simbolik – Një pasuri tjetër e qytetit është McCormick Place, ku do të mbahet samiti i NATO-s. Ky vend simbolik, u ndërtua në vitin 1960, por u shkatërrua nga zjarri në vitin 1967. Më pas, ai u rindërtua me një dizajn komplet ndryshe. I vendosur 4 km larg qendrës së qytetit të Çikagos, pranë liqenit Michigan, McCormick Place krenohet me më shumë se 250.000 m2 hapësire ekspozimi. Atje janë mbajtur në mënyrë sistematike konferenca ndërkombëtare dhe takime për vite me radhë. Ajo njihet si qendra e konventës më të madhe në Shtetet e Bashkuara që mirëpret tre milionë vizitorë çdo vit. Ndërsa qendra e konferencës, i jep vitalitet samitit të NATO-s, stafi i saj do të merret me logjistikën gjatë samitit, duke siguruar 24 orë shërbim për të pranishmit.
“Pothuajse për dy ditë e gjysmë ne do t’u shërbejmë mbi 19.400 vakte jo vetëm të deleguarve e stafit që do të jenë këtu për NATO-n, por edhe shtypit ndërkombëtar, që do të mblidhet këtu për të mbuluar këtë ngjarje. Ne do të sigurojmë shërbim prej 24 orësh, duke ofruar mëngjesin, drekën e darkën”, shpjegoi David R. Causton, menaxheri i Përgjithshëm i McCormick Place.
Trashëgimia ekonomike – Çikago është një qendër financiare me një sektor të fuqishëm industrial dhe po bëhet një lojtar i rëndësishëm në ekonominë globale. Komiteti pritës i samitit të NATO-s po planifikon një shumëllojshmëri kuzhinash, sportesh dhe ngjarje kulturore për t’i treguar vizitorëve shumëllojshmërinë e qytetit gjatë samitit të NATO-s dhe ata presin efekte të qëndrueshëm financiarë. Lori Healey, drejtore ekzekutive e komitetit pritës shpjegon: “Ne kemi parashikuar se do të ketë një numër të madh punësh të përkohshme që do të krijohen nga ajo ngjarje dhe kjo është arsyeja pse ne po punojmë mbi ndikimin ekonomik. Ne e dimë se do të krijohen qindra vende pune. Ne duam të shohim se si do të përkthehet kjo në afatin e gjatë”. Pra, ndërsa “Qyteti i Erës” po finalizon përgatitjet e tij për samitin e NATO-s, banorët janë të gatshëm të ndajnë qytetin e kulturën e tij të pasur si një shembull të qartë të përfitimeve së lidhjes transatlantike.
***
Samiti do të fokusohet kryesisht në tre tema kryesore: angazhimi i Aleancës në Afganistan gjatë periudhës së tranzicionit dhe më tutje, duke siguruar që Aleanca të ketë kapacitetet që i nevojiten për të mbrojtur popullsinë dhe territorin e saj, si dhe të merret me sfidat e shekullit të XXI, dhe forcimin e rrjetit të partnerëve të NATO kudo në botë. NATO është angazhuar qartazi në mbështetje të Afganistanit edhe pas vitit 2014, kur tranzicioni gradual i përgjegjësive për sigurinë e vendit të jetë kaluar plotësisht nga trupat e ISAF tek forcat afgane. Në Çikago, udhëheqësit do të japim propozime për ta bërë këtë një realitet, një shenjë e vendosmërisë së tyre për të siguruar që vendi nuk do të kthehet kurrë më në një bazë të terrorizmit global.
Në një kohë të vështirë, NATO po kërkon gjithashtu t’i japë një vlerësim më të mirë parave të shpenzuara për sigurinë e saj. Me krizën financiare në Europë, masave të ashpra për reduktimin e deficitit në Shtete e Bashkuara dhe presionit në rritje ndaj buxhetit të mbrojtjes, vlera e veçantë e NATO është të ndihmojë vendet të punojnë së bashku. NATO ka kapacitetin të bashkojë forcat dhe administrojë projekte shumëkombëshe.  Kjo është një nga pikat e forta të saj. Në Çikago, “mbrojtja e mençur”, - përparësi, specializim dhe bashkëpunim më i madh, - do të kthehet në një strategji kapacitetesh afatgjatë. Kjo strategji përfshin tre komponentë kryesorë: së pari, një paketë të qartë të projekteve shumëkombëshe për të zgjidhur mungesat kritike të kapaciteteve, së dyti, projekte shumëkombëshe afatgjata që përfshijnë mbrojtjen raketore,  Sistemin e Vëzhgimit tokësor të Aleancës dhe Patrullimit Ajror, së treti, projekte strategjike për vitin 2020 që mbulojnë fusha të tilla si Inteligjencë e Përbashkët, Vëzhgimi dhe Zbulimi, dhe furnizimi në ajër. Në lidhje me bashkëpunim, NATO po punon me partnerët me më shumë fleksibilitet, brenda dhe jashtë lidhje ekzistuese, për të adresuar sfidat globale. Çikago do të jetë një shans për Aleatët, për të zgjeruar rrjetet e tyre të partneriteti dhe thellimin e marrëdhënieve në një kohë kur bashkëpunimi nuk konsiderohet më si diçka luksi, por një domosdoshmëri.
Samiti i Çikagos do të ketë detyrën sfiduese të kthejë fjalët në vepra, me pak fjalë, vendimet e Lisbonës në programe dhe iniciativa konkrete. Kjo nënkupton që Aleatët duhet të vazhdojnë të investojnë kapital politik, ushtarak dhe ekonomik për të ruajtur forcën e NATO. Ndërsa në klimën aktuale, kjo do të thotë se Aleatët duhet të mbeten të angazhuar në principet e NATO, të përgatitur për të ruajtur kapacitetet e nevojshme dhe të jenë të hapur ndaj zhvillimit të lidhjeve me vendet partnere.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›