Të harruarit e Saharasë

Johnson është kthyer. Për katër muaj ka qëndruar diku, në tokën e askujt mes Malit dhe Algjerisë. Policia e kishte kapur, së bashku me 80 persona të tjerë, i kishte hipur nëpër kamionë dhe i kishte dërguar në Tin Savatin, 700 kilometra në jugperëndim, nëpër rërë dhe gurë. Më pas, policia i kishte zbarkuar ata nga kamionët dhe i kishte lënë në mëshirën e fatit.
“Na kanë trajtuar si kafshë. Një bukë në ditë dhe ujë nga burimet, në të cilat pinë kafshët. Vetë, ata kurrë nuk do ta kishin pirë atë ujë”, thotë Johnson.
Por tani Johnson, 32 vjeç, është kthyer në Tamanraset, në jug të Algjerisë, në mes të Saharasë. Ai ka bërë vetë i dyti rrugën prej 700 kilometrave, por ka arritur vetëm. 40 kilometra para se të arrinte në qytet kishte varrosur shokun e tij. “Nuk ja ndoli mbanë”, thotë ai.
Nuk ka shumë refugjatë, të cilën e njohin aq mirë qytetin në shkretëtirë, Tamanrasetin, siç e njeh Johnson Varny. Për herë të parë në këtë qytet kishte arritur në vitin 1995. Atëbotë kishte 16 vjet dhe kishte ikur nga lufta qytetare në Liberi
Që gati 20 vjet Tamanraset është një stacion, nëpër të cilin kalojnë migrantët nga Afrika. Qytet me 100 mijë banorë, i rrethuar nga të gjitha anët me rërë, gurë dhe shkëmbinj.
Fillimisht ishin dhjetëra, më pas qindra, e tani janë me mijëra njerëz, të cilët kalojnë çdo vit nëpër këtë qytet. A janë refugjatë, punëtorë sezonal, migrantë? Ata qëndrojnë aty disa ditë, disa muaj, e ndoshta edhe disa vjet. Më pas, e vazhdojnë rrugëtimin e tyre.
Në tri rrugë në drejtim të Evropës: përgjatë brigjeve perëndimore, nëpër Algjeri apo Libi. Më pas, për ata ekziston vetëm një cak-Evropa. Ata tërhiqen nga ky kontinent si nga një magnet. Ekspertët vlerësojnë se vetëm 15 deri në 20 për qind të këtyre migrantëve arrijnë të hyjnë në Evropë. Or ata nuk ndalen nga asgjë, as nga telat gjemborë, as nga plaçkitësit, e as nga raportet se me qindra refugjatë humbin për çdo vit jetën, gjatë përpjekjeve për të lundruar me anije në drejtim të Evropës. Ata dëshirojnë të largohen nga vuajtjet e tyre në shtëpi dhe ndjekin ëndrrat, të cilat në kokat e tyre i kanë ngulitur kanalet televizive satelitore.
Tamansarati gjatë 20 viteve të fundit ka përjetuar një zhvillim të jashtëzakonshëm. Në skajin perëndimor të qytetit, pas lagjes së fundit të banuar, fillon shkretëtira dhe këtu nis edhe rajoni i “ilegalëve”. Asnjë qeveri dhe asnjë organizatë humanitare nuk ndihmon.
Johnston lëngon nga tuberkulozi, ka nevojë për ilaçe, por nuk ka se me çka ti paguaj. Edhe ai fle nën qiell të hapur, sikur edhe të gjithë të tjerët. Në mengjes, ata kthehen në qytet, për të kërkuar ndonjë punë ditore. “Punon për arabë. Me ditë, javë dhe në vend se të paguajnë në fund, ata e thërrasin policinë”, rrëfen Johnson.
Nëse ke kursyer mjaft para, mund të hipësh në autobus dhe të vazhdosh udhëtimin nëpër Algjeri. 4 mijë euro kushton udhëtimi deri në Maroko, ndërsa 6 mijë deri në Spanjë, thotë Johnson.
Nigerianët janë ata, të cilët e udhëheqin këtë biznes. Johnson është i mendimit se femrat e kanë më lehtë, ngase borxhet e tyre të udhëtimit mund t’i paguajnë, duke punuar nëpër shtëpi publike në Spanjë.
Janë me qindra mijëra njerëz, të cilët ja mësyjnë fortesës së quajtur Evropë. Në drejtim të Kontinentit të vjetër, i cili po merr masa shtesë për të ndalur këtë valë të imigrantëve. BE-ja ka planifikuar të shpenzojë deri në 2 miliardë dollarë, me qëllim të përmirësimit të kontrollit në kufijtë e vet të jashtëm.
Por kjo nuk do të frenojë migrantët. Përkundër të gjitha vuajtjeve të përjetuara gjatë udhëtimit, refugjatët, të cilët janë nga Gana, Bregu i Fildishtë, Kameruni, Kongo dhe vende të tjera të Afrikës, këta njerëz kanë një gjë të përbashkët: ata nuk dëshirojnë të kthehen më në shtetet e tyre.
Kështu, ata qarkullojnë përreth si rëra në erë. Evropa për ta nënkupton një jetë më të mirë: për punë, edukim dhe mirëqenie. Evropa është kontinenti i bekuar, të cilin e njohin nga televizori.