E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i KiE-së: “Komisioni i Venecias të interpretojë vendimin e Kushtetueses për komisionet hetimore”



Pavarësisht presionit të ndërkombëtarëve, dy krerët e politikës shqiptare, Berisha e Rama, nuk kanë ndryshuar qëndrim edhe pas tryezës së djeshme të negociatave. Pas një takimi që ka zgjatur rreth 2 orë e 30 minuta gjatë pasdites së djeshme në Presidencë, palët nuk arritën asnjë marrëveshje. Zyra për shtyp e Presidentit të Republikës njoftoi dje në mbrëmje se takimi i zgjeruar me pjesëmarrjen e Delegacionit të lartë të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, të kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së u përqendrua në gjetjen e pikëtakimeve mes palëve, ndërkohë që njoftohet se bisedimet politike do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Paraprakisht është njoftuar një konferencë për shtyp që do të mbahet sot në orën 10:30 nga Delegacioni i KiE-së.
Opsionet
Ndërkaq, burimet kanë bërë të ditur se ndërkombëtarët kanë hedhur disa propozime në tryezën e negociatave. Së pari mësohet se ndërkombëtarët kanë sugjeruar politikanët shqiptarë që të bëjnë një kërkesë në Komisionin e Venecias për interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2003 për funksionimin dhe objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare. Por duket se ky sugjerim nuk ka gjetur mbështetjen e socialistëve. Kjo për faktin se së pari interpretimi i Komisionit të Venecias kërkon kohë dhe nuk mund të bëhet brenda një jave, duke pasur parasysh se data 6 mars është përcaktuar si afati i fundit për vlefshmërinë ligjore të mandateve të deputetëve të PS-së, të cilët ende nuk kanë bërë betimin në Kuvend. Nga ana tjetër, ndërkombëtarët kanë sugjeruar që PS-ja ndërkohë të futet në Kuvend deri në një vendim të Komisionit të Venecias. Por edhe kjo mësohet se nuk është pranuar nga PS-ja për shkak se Rama ka deklaruar edhe më parë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe parashikon që të mos ketë kufizim të hetimeve në punën e komisionit hetimor parlamentar. Po kështu, socialistët nuk mund të pranojnë të hyjnë në Parlament pa bërë më parë transparencën e procesit zgjedhor, aq më tepër nuk mund të besojnë te një vendim i Komisionit të Venecias që nuk ka fuqi detyruese, është thjesht një raport sqarues. Ndërkombëtarët gjithashtu kanë propozuar që të balancohen komisionet parlamentare në mënyrë që opozita të drejtojë një numër të barabartë komisionesh, ashtu si dhe maxhoranca. Një tjetër sugjerim është që të balancohen institucionet gjyqësore në mënyrë që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë të zgjidhen në mënyrë konsensuale nga të dyja kampet e politikës. Mësohet nga burimet në tryezën e negociatave se kryeministri Berisha ka qenë dakord me propozimet e ndërkombëtarëve, ndërsa nuk ka pranuar në asnjë rast versionet që lidhen me hapjen e kutive të votimit. Ndërkaq, negociatat mes palëve pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme.
Presidenca
Pas takimit të dytë në Presidencë, që filloi në orën 17:00 dhe përfundoi në orën 19:30, zyra për shtyp e presidentit Topi njoftoi përpjekjet mes palëve për të gjetur pikën e takimeve. “Presidenti i Republikës, Prof. dr. Bamir Topi, u takua sërish sot pasdite me Komitetin Presidencial të Asamblesë së Këshillit të Europës, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Mevlut Kavushoglu. Në takim ishin të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Prof. dr. Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Në këtë takim mes personaliteteve më të larta të shtetit shqiptar dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës biseda u përqendrua në tryezën politike të bisedimeve mes maxhorancës dhe opozitës, të zhvilluar nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Nga ana e tyre, parlamentarët e Këshillit të Europës, të kryesuar nga presidenti Mevlut Kavushoglu e informuan kreun e shtetit shqiptar rreth rezultateve të takimeve të tyre të zhvilluara gjatë gjithë ditës me kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Rama, për të gjetur pikëtakimet e mundshme, për të afruar palët drejt një marrëveshje dhe për të zgjidhur përfundimisht ngërçin politik të institucioneve shqiptare. Bisedimet dhe negociatat politike do të vazhdojnë nesër”, - ka njoftuar dje në mbrëmje, fill pas përfundimit të takimit, zyra për shtyp e Presidentit të Republikës. Ndërkaq, dy institucionet, Kryeministria dhe selia e PS-së, nuk kanë pasur asnjë deklaratë për mediat në lidhje me takimin e dytë të organizuar në Presidencë.

Opsionet
Opozita të futet në Kuvend dhe bashkë me maxhorancën të hartojnë një kërkesë drejtuar Komisionit të Venecias, në mënyrë që të interpretojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore.

Të balancohet drejtimi i Komisioneve Parlamentare në mënyrë që opozita të drejtojë një numër të barabartë komisionesh me maxhorancën.

Të balancohen institucionet e pushtetit gjyqësor duke nënkuptuar zgjedhjen me konsensus të gjerë të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.

23 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›