Të jesh artist përtej “gjembave”
Arti shqiptar bashkëkohor nuk ka një sistem të mirëfilltë, si një mundësi për të funksionuar në vijimësi, por prej kohësh i është nënshtruar një mekanizmi paradoksal. Ky është konkluzioni që evidenton piktori i “paradoksit”, Alban Hajdinaj. Ai është njëri prej konkurruesve në edicionin e të ashtuquajturit “ndërkombëtar”, “Onufri”, ku mbi origjinaliteti e këtij emërtimi janë ngritur disa debate. Në një intervistë për “standard”, Hajdinaj parashtron këndvështrimin e tij lidhur me këtë diskutim. “Çfarë do të thotë të jesh artist ndërkombëtar?”, apo thjesht një emër që përfaqëson artin kontemporan vetëm brenda “gjembave” të kufijve shqiptarë, janë disa nga pikat radikale që ai trajton hollësisht. “Ky konkurs duhet të jetë më fleksibël dhe të ndryshojë sipas nevojave të skenës, e cila në Shqipëri vjen çdo ditë duke ndryshuar...”. E shikon si një ndër elementët më të nevojshëm piktori, që përveç disa detajeve pozitive, ai vë në dukje pozicionet kyçe, ku qëndron problematika. Në këtë konkurs, Alban Hajdinaj ka zgjedhur të jetë pjesëmarrës me tri lloje krijimtarish si një video, disa vizatime, siç i quan ai, si dhe një asemplazh (skulpturë gjysmë e gatshme). “Onufri” është një ekspozitë tradicionale që ekspozohet prej vitesh tashmë, ndërkohë që këtë vit ajo është çelur nën kujdesin e kuratorit të huaj Ricardo Caldura, ndërsa çmimi pritet të shpallet më 14 janar të 2009-s.
Si e vlerësoni situatën e artit kontemporan në Shqipëri?
Situata e artit pamor për mua është problematike. Ndërkohë që termi “kontemporan” këtu merr shumë perceptime. Ka njerëz që mendojnë se gjithçka që bëhet në ditët e sotme quhet si punë kontemporane, ka të tjerë të cilët e matin me disa parametra të tjerë, si me një lloj tematike të caktuar, apo një formë me të cilën ky akt shprehet etj. Megjithatë, po t’i referohemi asaj që galeria ekspozon meqë jemi në ditët kur është i hapur edhe konkursi “Onufri” dhe nëse e konsiderojmë atë si një art kontemporan, kjo është shumë komplekse, si dhe është shumë e vështirë që të japësh një përgjigje të shpejtë se si e shohim këtë lloj arti. Problemi më i madh për mua i artit bashkëkohor është se ai nuk ka një sistem. Ai funksionon në një mënyrë pak paradoksale, i cili në Perëndim ka sistemin e vet që e bën të funksionojë. Në këtë mekanizëm bën pjesë prodhimi, shpërndarja, është i lidhur me tregun, institucionet, gjë që këtu të gjitha këto elemente mungojnë. Pra, është një paradoks në vetvete që ne kemi art kontemporan. Nga ana tjetër është normale, sepse njerëzit përpiqen të shprehen dhe t’u përgjigjen nevojave të kohës. Kështu që, përderisa është diçka që nuk funksionon, normalisht mbetet problematike.
Në Perëndim, në radhë të parë ka një treg që e mban gjallë këtë lloj arti, sepse ai shitet dhe blihet në të njëjtën kohë. Funksionon, duke filluar që nga galeritë private të cilat e ekspozojnë dhe e shesin, më pas vijnë institucionet e artit bashkëkohor, ku përfshihen galeri publike, muze arti, apo koleksione dhe fondacione që e mbështesin duke hedhur shuma parash, revistat e artit që e promovojnë, pra janë faktorët që siç e përmenda, mungojnë në vendin tonë. Ndërkohë ka artistë që prodhojnë një lloj arti, ose atë që ne e quajmë art kontemporan dhe në mungesë të të gjitha këtyre hallkave, edhe ky art që vjen në ditët tona është paksa i çuditshëm në vetvete, sepse i reflekton të gjitha këto mungesa, jo nga ana cilësore, por është ndoshta një lloj devijimi krejtësisht tjetër në krahasim me atë që është në Perëndim.
A mendoni se ka arte që e përfaqësojnë vërtet këtë gjë?
Në Shqipëri është pak komplekse ta quash artin të tillë për disa arsye. Në përgjithësi, në Perëndim kur përdorin termin “art kontemporan” i referohen postmodernizmit, ndërkohë që këtu të flasësh për këtë epokë është pak absurde, sepse ne nuk kemi pasur modernizëm. Kështu që ajo që bëjnë artistët më së shumti është një lloj reflektimi që ata bëjnë në jetën e përditshme, duke u përpjekur të gjejnë forma dhe mënyra për t’u shprehur. Kjo vjen ndoshta më shumë si një lloj moskuptimi nga audienca, për faktin se ata përdorin mediat e reja si video-arti, fotografia, instalimi, të cilat nuk janë media tradicionale të artit. Për mua kjo mund të jetë një lloj shkëputjeje nga ajo çka ndodhte më përpara. Personalisht nuk mendoj se ka ndonjë shkëputje të madhe ideore dhe konceptuale në vepër, por janë refleksione të jetës që shpeshherë sillen në një formë ndoshta narrative dhe në formë përshkruese më tepër. Duke xhiruar një situatë me një kamera, duke bërë disa foto, dhe duke u larguar nga piktura, nga ajo që ne njohim si art viziv, krijohet një situatë sikur ka diçka të çuditshme etj. Por gjithsesi mua më duket një formë shprehjeje normale dhe pak a shumë narrative, që thjesht duke ardhur me anë të mediave të reja mund të konsiderohet si art kontemporan në Shqipëri.
“Onufri” është shoqëruar me debate, herë për kuratorë të zgjedhur vonë, herë për shkak të temave jo adapte etj. A është përmbushur fizionomia e “Onufrit” si konkurs ndërkombëtar?
Mendoj se kjo është më tepër çështje këndvështrimi. Përderisa ka debate dhe polemika, do të thotë që njerëz të ndryshëm e shikojnë ndryshe “Onufrin”. Në këtë rast, mua më duket se “Onufri” është më mirë se herët e tjera.
Ku e shikoni ju këtë ndryshim?
E shikoj tek disa ndryshime që kanë ndodhur. Është shumë interesante që për herë të parë vjen një kurator i huaj, i cili për konkursin zgjedh të gjithë artistë shqiptarë, me përjashtim të njërit, i cili ishte i ftuar dhe jashtë konkurrimit. Kjo është diçka ndryshe nga herët e kaluara, e cila më duket pozitive për disa arsye. Po të kthehemi pak në historinë e “Onufrit”, kujtojmë që fillimisht ai ishte konkurs kombëtar, ndërsa më vonë u shndërrua në një edicion ndërkombëtar, si një ekspozitë që do të ballafaqonte vlerat dhe perceptimet lokale për artin me atë ndërkombëtare, duke sjellë këtu artistë të huaj dhe duke vënë përballë këto dy tendenca. Megjithëse që në fillimin e tij nuk ka qenë shumë i qartë në atë se çfarë kërkonte “Onufri”. Sot jemi në një moment që, ashtu siç e tha edhe vetë kuratori Caldura në konferencën për shtyp, artistët që i ka ftuar dhe e përbëjnë këtë konkurs janë njerëz që kanë studiuar jashtë kufijve të Shqipërisë si në Itali, ose nga ata që kanë studiuar edhe këtu, por kanë një lloj eksperience me ekspozita jashtë Shqipërisë, dhe pyetja që ai shtroi ishte se “çfarë do të thotë të jesh artist ndërkombëtar?”. Nëse një artist shqiptar merr pjesë në ekspozita të ndryshme jashtë kombit, atëherë ky mund të quhet artist ndërkombëtar. Ai shtroi një pyetje mjaft serioze për mendimit tim, ku të gjitha edicionet e mëparshme kanë rënë në një lloj klisheje. Ndërsa artisti i huaj që u ftua nuk do të përmbushte idenë e një projektori, që do të sillte thjesht një punë dhe të bënte një xhiro nga Shqipëria, siç ndodh zakonisht, por ai prodhon një punë. Dhe për këtë mendoj se ishte mjaft pozitive, si dhe një meritë e galerisë, ashtu siç veprojnë institucionet serioze botërore, të cilat ia prodhojnë veprën artistit. Ky quhet komisionim. Pra marrëdhënia e galerisë dhe kuratorit me artistin e huaj ishte shumë herë më serioze kësaj here dhe puna që u zgjidh ishte shumë më interesante, ku ndryshe nga e kaluara, në edicionet e mëparshme ka pasur sa të duash artistë të huaj që ishin shumë të dobët, ku vinin thjesht për të plotësuar numrin e artistëve ndërkombëtarë ose thjesht që të mos prishej ajo klisheja e “Onufrit” si një ekspozitë me përmasa të gjera ndërkombëtare. Ndërsa kësaj radhe nuk ndodhi, por kjo nuk do të thotë se “Onufri” do të ketë ndonjë strukturë fikse, që do të pasojë edhe vitet e ardhshme. Mendoj se ky konkurs duhet të jetë më fleksibël dhe të ndryshojë sipas nevojave të skenës, e cila në Shqipëri vjen çdo ditë duke ndryshuar, si dhe duhet t’u përshtatet ndryshimeve dhe zhvillimeve.
Konkretisht, çfarë do të thotë të jesh një artist ndërkombëtar?
Në fakt ne e ngatërrojmë konceptin e të qenit një artist ndërkombëtar. Jam i sigurt që nëpër edicione të ndryshme të “Onufrit” mund të kenë ardhur artistë të huaj, të cilët ndoshta janë edhe më marxhinal se artistët shqiptarë. Po të shohësh CV-të e tyre, se në cilat aktivitete kanë marrë pjesë, do të verifikosh se një pjesë e mirë e tyre nuk kanë asgjë, ndërkohë që ka artistë shqiptarë që jetojnë këtu, të cilët kanë një CV shumë herë më të pasur se ata me ekspozita ndërkombëtare. Pikërisht këtu qëndron pyetja se çfarë do të thotë të jesh një artist ndërkombëtar, jo duke u nisur nga pasaporta që mund të kesh në xhep, por duke u nisur nga eksperienca. Ky ishte kuptimi që ka përdoruar edhe kuratori, i cili tregonte se konkurruesit janë artistë ndërkombëtarë.
A mendoni se “Onufri” organizohet vetëm për të marrë para nga ministria, për të kuptuar se çfarë po ndodh me artet pamore në Shqipëri, që si shumë është konfuzuar, cili është mendimi juaj në këtë rast?
Mendoj se kjo ka të bëjë me statusin dhe arsyen se përse “Onufri” ekziston. Unë jam kritik ndaj këtyre temave dhe pyetje të tilla duhen shtruar në fakt gjithmonë, pasi ndoshta i bëjnë mirë diskutimit. Po t’i kthehemi pak historisë, kujtojmë që Onufri është një vazhdimësi e ekspozitave të dikurshme që organizoheshin në kohën e socializmit në GKA. Kur sistemi ndryshoi, mesa duket u pa e nevojshme që ajo strukturë të ndryshonte, duke zëvendësuar atë emërtim që ka pasur, që me sa mbaj mend, njihej me titullin “Nëntori”, por meqë ky emër ishte më shumë politik dhe nuk mund të vazhdonte, u desh të gjendej një tjetër emër, siç ishte “Onufri”. Mesa duket, me idenë që arti shqiptar pas rënies së sistemit komunist do të shkonte drejt traditës. Në fakt unë nuk shoh asnjë lidhje mes emrit të “Onufrit” dhe ekspozitës dhe përmbajtjes që mbart sot. Megjithatë, ai është kthyer në një gjetje të palëvizshme që normalisht mendoj se nuk duhet të jetë kështu. Nuk e di se çfarë roli ka “Onufri” sot, por ndoshta mund të rishihet, riorganizohet në një formë tjetër, kështu që ajo që ndodhi është se tendencat që krijuan një kontakt më të madh me Perëndimin, mendoj se është ajo që bën diferencën, triumfuan më tepër se ata artistë që mbetën në Shqipëri të cilësuar si pak tradicionalë, ndërsa ata që lëvizën janë një lloj natyre pak më ndryshe dhe për këtë krijon një distancë pak më ndryshe nga të tjerët, që gradualisht filloi të ekspozohej tendenca e këtyre të fundit. Mendoj se kjo është e vetmja vlerë e “Onufrit”, por nga ana tjetër duhej pasur parasysh që Shqipëria është vend i vogël dhe artistët nuk janë të shumtë, ka një lloj ripërsëritje dhe vit për vit ekspozohen pak a shumë të njëjtët artistë, përfshi këtu edhe mua. Nuk është se kam marrë pjesë vetëm rreth pesë herë në të tilla edicione dhe tani nuk e kuptoj se ç’kuptim ka që të ekspozohem çdo herë tek “Onufri”.
Dikur, para disa vitesh, në media keni botuar një manifest kundër Galerisë Kombëtare të Arteve. Nga ana tjetër ju po ekspozoni në galeri, por ndërkohë a keni vënë re se cilat nga pikat radikale që keni shkruar kanë ndryshuar në GKA?
Kam përshtypjen se manifesti që unë kam shkruar nuk duhet keqkuptuar, sepse kjo ishte një punë, një vepër. Nuk është një dokument kundër Galerisë Kombëtare, por një formë të shprehurit radikale, të cilën unë e krijova për të evidentuar në një lloj mënyre utopinë time personale si artist. Kështu që nuk është çështje kundërshtie dhe më pas marr pjesë sërish në një konkurs në Galerinë Kombëtare. Një nga pikat që unë kam shkruar me shumë dëshirë në atë kohë ishte që artistët nuk duhet të ekspozojnë në GKA. Pra kjo ka të bëjë me një lloj konstitucioni të brendshëm të artistit, me qëllim që ai të mos humbasë asnjëherë një lloj force si dhe i shërben po ashtu edhe për të prodhuar punët e tij. Por nga ana tjetër, nuk do të thotë që ai të izolohet nga bota, sepse nuk do të kishte kuptim. Më tepër sesa një lloj ndryshimi tek Galeria Kombëtare është mënyra se si unë e kam parë atë manifest që kam shkruar në raport me veten time dhe realitetin.
Konkursi TICA i Edi Mukës, si dhe një ekspozitë “Nëntori”. Kaq. A mendoni se janë të mjaftueshme këto dy ekspozita për të kuptuar ç’po ndodh me artin pamor në Shqipëri?
Po, këto dy aktivitete, duke përfshirë këtu edhe “Onufrin” në fakt mund të jenë të mjaftueshme duke qenë se Shqipëria është një vend i vogël dhe nuk besoj se do të ketë ndonjëherë skena të mëdha arti, por mendoj se për artin bashkëkohor është shumë e nevojshme të mendojmë për një sistemi të mirëfilltë. Është e rëndësishme që të ketë një politikë që ta mbrojë këtë art, që t’i sigurojë ekzistencën, sepse nuk mjafton vetëm ta ekspozosh apo t’i japësh një çmim një artisti për artin bashkëkohor. Duhet që të ketë edhe blerje. Këto vepra, të cilat dikur krejt ndryshe nga sot, nëse ekspozoheshin në GKA, ato bëheshin pronë e galerisë dhe bliheshin, ndërsa artisti paguhej dhe me sa di unë (se nuk e kam jetuar atë periudhë) kam përshtypjen se ka qenë një pagesë shumë e mirë. Me pak fjalë, në socializëm ka pasur një sistem për artin, i cili i shërbente asaj politike të caktuar, por mbi të gjitha ekzistonte si sistem, edhe pse i centralizuar dhe jo i bazuar mbi ekonominë e tregut, por që mundësonte ekzistencën e artistit dhe prodhimin e veprës. Sot kjo nuk ekziston dhe kjo është rëndësishme të kuptohet që në këtë kohë duhet të gjenden forma të tjera, në mënyrë që të ringrihet një sistem që artisti të jetojë, ndoshta jo plotësisht, por pjesërisht me atë që bën. Meqë këtu nuk ka një treg të lirë të artit, siç është në Perëndim, ku galeritë shesin atë, ndoshta këtu është e nevojshme një politikë subvencionimi, apo ngritja e një fondi për artin bashkëkohor, i cili mund të blejë një numër të caktuar veprash që përzgjidhen në një vit. Pak a shumë kjo mund t’i japë një kuptim edhe konkursit të “Onufrit”, pasi në këtë rast artistët sjellin punët, pas një farë kohe konkursi mbyllet, marrin krijimet që përfundojnë në shtëpi dhe askund tjetër. Njëri prej tyre merr një çmim i konvertuar në një shumë parash, të cilat nuk ngrenë asnjë lloj peshe në jetë. Kështu që kjo është një nga ato momente që bëjnë absurd “Onufrin” në Shqipëri.
Ju do donit të ishit një fitues i një konkursi të tillë absurd?
Unë kam fituar një herë çmimin e këtij konkursi para shumë vitesh, kështu që për mua nuk ka shumë rëndësi. Nuk e shoh shumë si konkurs, ndoshta ngaqë kam provuar një herë kënaqësinë e të ndjerit fitues, por edhe për arsye se e di që nuk është diçka që të ndihmon shumë. Nëse marrim fituesit e “Onufrit” ndër vite dhe shikoni se çfarë ka ndodhur me ta. Asgjë. Çmimi është pesë milionë lekë të vjetra, megjithëse shumica e artistëve zakonisht kanë marrë vetëm gjysmën, pasi ai është ndarë gjithnjë mes dy artistëve, sepse organizatorët në politikat që bëjnë mendoj se duan të kënaqin dy ose më shumë artistë, përgjithësisht meqë është edicion ndërkombëtar, çmimi ndahet mes një artisti shqiptar dhe një të huaj, edhe në atë rast kur ai nuk e meritonte, apo e anasjella. Për fat të keq kjo gjë është parë si një lloj joshjeje, në mënyrë që të huajt të vazhdonin të vinin në Shqipëri. Megjithatë, çmimi i “Onufrit” nuk të ngre shumë peshë për disa arsye. E para siç e theksova është një ndihmë ekonomike fare e papërfillshme, e dyta në Shqipëri pasi merr këtë çmim nuk ndodh asgjë me ty dhe nuk të hapet ndonjë rrugë siç zbatohet në Perëndim, por ajo që mund të ndodhë është se puna jote mund të shitet, por edhe në këtë rast del në pah problemi i tregut, i cili nuk është shumë i madh, për të mos thënë që nuk ka. Më pas, çmimi i “Onufrit” jashtë Shqipërisë është krejt i panjohur, pasi jehona e tij jashtë kufijve nuk ekziston, sepse nuk ka bërë promocionin e duhur.
Në këtë konkurs krijimtaria juaj duket paksa sociale. A mund të na tregoni më tepër mbi filozofinë e këtyre veprave?
Unë kam marrë pjesë me disa vizatime, një video dhe një asemplazh (skulpturë gjysmë e gatshme). Ky i fundit është një punë që unë e kam përfunduar që në vitin 2000, videoja është krijuar në vitin 2006, ndërsa vizatimet në vitin 2007. Asemplazhi është pjesë nga një seri që kam pasur, ku unë ngjisja pjesë të ndryshme qeramike, porcelani, pjata, të cilat mbaheshin nga figura të vogla. Është më tepër një lloj dizajni rokoko i vjetër, që sot nuk prodhohet dhe as nuk ekziston më. Me këtë punë unë kam shtruar një pyetje mbi të tashmen dhe aktualitetin, kam vajtur mbrapa, duke iu referuar disa formave shumë anakronike dhe groteske që i përkisnin së shkuarës. Është më tepër një lloj dizajni shumë i vjetër që nuk ka lidhje me modernizmin dhe kam përshtypjen se kuratori ka parë pikërisht këtë aspekt për ta futur në ekspozitë. Sepse një nga interesat e tij në ekspozitë ishte edhe të shtronte disa pyetje mbi modernizmin në Shqipëri. Meqë modernizmi këtu është një shprehje e cunguar, inekzistent, mua më është dukur një formë manifestimi e drejtë, që për të mbushur një vakum kohor dhe për të ardhur tek e tashmja, i jam kthyer së shkuarës. Këto objekte mendoj se mbartin anakronizmin dhe arkaizmin, por gjithashtu ka edhe një lloj natyre sociale, si pjesë e një serie që kishte një interes social disi.
Ndërsa sa u përket vizatimeve, ato janë një interes tjetër, pasi ato janë të bëra me pastel, jo në letra të zakonshme, por mbi çanta, produkte të ndryshme, të cilat shoqërohen edhe me logot e tyre të stampuara. Po t’i shohësh me vëmendje, mes hapësirave të mbushura me pastel, dallohet edhe logoja e tyre, shkrime, apo edhe adresat e dyqaneve. Është më tepër e fokusuar mbi shoqërinë e konsumit, pozicionin e individit në shoqëri uniforme të konsumit, e cila përfaqësohet prej këtyre objekteve dhe tek një lloj kërkese mbi memorien vizive. Kjo, për arsye se këto çanta, mbajnë përgjithësisht si logo kafshë të ndryshme, portrete, njerëz të ndryshëm, bimë dhe në momentin që stilizohen deri në ekstrem dhe kthehen në grafika, e humbin krejtësisht lidhjeje tyre që kanë pasur. Kështu kur unë filloj të kërkoj formën e tyre të dikurshme, pra para se ato të ktheheshin në një logo, është një lloj kërkese për të gjetur origjinë e tyre dhe për të mohuar rolin e këtyre objekteve si format e prezantimit të biznesit të caktuar.
Videoja është një aspekt tjetër kulturor, të cilin unë e kam gjetur gati tek dy personazhe, tek dy motra të vogla. Ajo ndahet në dy pjesë, ku në të parën e cila titullohet “Dhoma” shihet një program televiziv që shoqërohet edhe me një revistë, në trajtën e një spektakli më tepër. Revista përmban të dhëna mbi personazhet që marrin pjesë në këtë spektakël mbi ta, të cilët më shumë dominojnë mundës të tmerrshëm amerikanë. Pra, është një aspekt i huaj amerikan që mbizotëron në kulturën tonë më tepër televizive, dhe përballë kësaj pjese vjen një tjetër moment, kur po këto dy vajza recitojnë përmendësh disa pjesë nga Kurani. Në aspektin kulturor është krejt e kundërta dhe mua më duket shumë e çuditshme se tek të njëjtat personazhe mishërohen të dyja këto aspekte në të njëjtën kohë. Më duket po ashtu gati e pamundur për t’u deshifruar dhe vënia përballë vjen më tepër si një formë pyetjeje sesa vënia e një alternative të mundshme mbi atë që ndodh.