E Shtunë, 31 Tetor 2026

Era Rusi “Një duet me Aurela Gaçen?!”

28/12/2008  Kush është?...

Përfaqësuese e Shqipërisë dhe fituese e çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare:

“Grand Prix”- Festivali Europian i Fëmijëve;

çmimi i 4-ët - Festivali Botëror në Kajro, Egjipt; çmimi i dytë - Najefqeria (“Shansi”), Greqi; dy herë fituese e festivalit pop-rock, Greqi.

Më 2000- 2006 ka kryer studimet në Athinë, ku është diplomuar për performancë në konservatorin “Philipos Nakas” (filial i “Berklee College of Music”, Boston).

Për herë të parë merr pjesë në Festivalin e 43-të të Këngës në RTSH në vitin 2005, ku paraqitet me një bashkëpunim të kompozitorit E. Zhulali dhe poetit A. Doçi.

Në vitin 2006, pas diplomimit në Athinë, punon për albumin “Eklips”, një bashkëpunim i kompozitorit Jorgos Lemos dhe orkestruesit Danil Fokas në anglisht dhe greqisht. Albumi ka dalë në qarkullim dhe është mirëpritur nga publiku.

Të merrte pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH për të ishte më tepër se provë. Ka disa muaj që po bën testimin e tregut shqiptar të muzikës, porse kjo nuk do të thotë se Era Rusi do të vijojë medoemos karrierën muzikore në Shqipëri. Duke e ndarë kohën herë mes Greqisë, ku ka jetuar për disa vjet, dhe herë në Shqipëri, këngëtarja pohon se, megjithatë, nuk mund të kushtëzohet në vende e hapësira, pasi “vendi i artistëve është kudo ku atyre u ofrohen mundësi dhe projekte”.

Një pjesë prej këtyre projekteve Era i ka të përgatitura prej kohësh në mendjen e saj dhe tani pret vetëm çastin e duhur për t’i realizuar. Si fillim e ka çelur me pjesëmarrjen në festivale. Pas RTSH-së radhën e ka “Top fest” në fillim të 2009-s. Më pas një album, një videoklip dhe një dëshirë që e ndan për herë të parë me publikun: realizimin e një dueti me Aurela Gaçen. “E adhuroj forcën dhe temperamentin e Aurelës”, - rrëfen Rusi, që nuk ngurron të tregojë diçka më shumë për planet e veta.

- Vetëm pak ditë më parë morët pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH, si do ta vlerësonit pjesëmarrjen në këtë festival dhe vlerësimin për këngën tuaj?

- Në Festivalin e 47-të të Këngës në RTSH, siç e keni ndjekur, mora pjesë me këngën “Shpirt i humbur”, një produksion i miqve të mi muzikantë të talentuar e të suksesshëm në Greqi: muzika Bledar Skënderi dhe Arsen Nasi, orkestrimi Arsen Nasi. Autorja e tekstit të këngës është Irma Libohova, performanca është ideuar nga Julian Bulku - koreograf shumë i suksesshëm dhe i vlerësuar në Greqi, Evropë dhe Amerikë. Juliani është koreografi i përfaqësueses së Greqisë në “Eurovizion 2007” dhe pa dyshim është ai që i dha Greqisë vendin e dytë. Mbështetjen e gjithanshme të Julianit në këtë festival e konsideroj fat dhe faktor të suksesit. Kënga është në ritmet e mia dhe i përshtatet karakteristikave të zërit tim. Ajo është realizuar me shumë dashuri e pasion nga gjithë autorët. Jam e kënaqur nga kjo punë dhe përgjegjësi në grup që e gjen rrallë, pasi bashkëpunimet në përgjithësi në ditët e sotme janë vetëm biznes. Kënga është realizuar me një teknologji të lartë. Mendoj se do të këndohet dhe do të mbahet mend. Këtë synoj dhe ky mendoj se është suksesi i një kënge.

- Po për organizimin e Festivalit të Këngës ç’do të nënvizonit?

- Mendoj se kishte konkurrencë të fortë. Pjesëmarrja e emrave të njohur rrit vlerën e festivalit. Ndihem shumë mirë që mora pjesë në një festival cilësor. Festivali i TVSH-së nëpërmjet konkurrimit live është i vetmi që promovon këngëtarët e vërtetë, pasi këngëtarët e vërtetë janë ata që nuk i tremben sfidës së të kënduarit direkt. Ndërkohë RTSH-ja duhet t’i kushtojë më shumë kujdes mbështetjes me teknologjinë e duhur të të kënduarit live, pasi këngëtarët rrezikojnë reputacionin e tyre.

- Një pjesë e mirë e formimit dhe aktivitetit tuaj si artiste lidhet me Greqinë, do të veçonit diçka në këtë drejtim?

- Pjesë e rëndësishme e aktiviteteve profesionale në Greqi ka qenë pjesëmarrja në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare pop-rock, për të cilat jam specializuar. Më 2007-n fitova vendin e parë në festivalin pop-rock, çmimi i parë i të cilit ishte një kontratë me kompaninë diskografike “Minos Emi” (kompani ndërkombëtare). Aktualisht kemi përgatitur CD single të parë, e cila do të dalë në qarkullim në sezonin e parë të vitit 2009.

- Ndërkohë nuk jeni shkëputur me tregun muzikor në Shqipëri, çfarë mendoni për këtë treg?

- Mbizotëron muzika komerciale, jo profesionale. Në televizion këngëtarët profesionistë janë në minorancë. Këngët lënë shumë për të dëshiruar.

- Sipas jush, ç’është më e vështirë dhe njëkohësisht më e rëndësishme në realizimin e një kënge të mirë e cilësore?

- Çështja më delikate dhe më e rëndësishme mendoj është gjetja e kompozitorit (kompozitorëve) që të bëjnë këngë moderne të përshtatshme për karakteristikat e zërit tim, të kapshme e të këndueshme nga publiku. Deri tani kam kënduar balada, të cilat më pëlqejnë por energjinë e çliroj më mirë në pop-rock, aq më tepër që publiku është shumë më i ndjeshëm ndaj kësaj rryme.

- Duke qenë se për një kohë relativisht të gjatë keni jetuar në Greqi, mendoni se e gjeni më mirë veten atje apo në Shqipëri?

Në Greqi unë kam studiuar shtatë vjet dhe kam qenë gjithnjë e angazhuar në aktivitete artistike si suport i studimeve. Tani pas përfundimit të studimeve duhet të mendoj për karrierën. Akoma nuk mund të them ku: në Shqipëri, Greqi apo gjetkë. Mendoj se vendi i artistëve është kudo ku atyre u ofrohen mundësi dhe projekte.

Këta tre muajt e fundit kam qëndruar në Shqipëri për të përgatitur pjesëmarrjen në dy evenimente kryesore të këngës: “Kënga magjike” dhe Festivali në RTSH, si dhe për të studiuar tregun këtu: çfarë pëlqehet, cilat janë tendencat, cilët janë këngëtarët më të pëlqyer, cilët janë kompozitorët më të suksesshëm. Në këtë mënyrë duhet të përgatis pozicionin tim në këtë treg.

- Atëherë, në prag të 2009-s mund të flisni për ndonjë projekt tuajin?

Për vitin 2009 si objektiv i parë në Shqipëri është realizimi i një videoklipi. Prezantimi në Festivalin e 47-të të Këngës në RTSH më krijoi mundësinë e madhe të më afrohen oferta nga dy shtëpi diskografike në Shqipëri dhe një në Maqedoni. Ky është vlerësimi më i madh për një artist dhe jam vërtetë e lumtur. Objektivi i dytë për 2009-n është pjesëmarrja në “Top Fest”. Një eveniment muzikor që organizohet nga një medie shumë serioze. Është një eveniment shumëdimensional, me një audiencë shumë të gjerë, teknologji të lartë dhe që siguron shumë publicitet për pjesëmarrësit. Gjithashtu, kam shumë dëshirë të realizoj një duet me Aurela Gaçen. E adhuroj forcën dhe temperamentin e Aurelës. Në Athinë do të vazhdoj bashkëpunimin me “Minos Emi” për promovimin e CD single, si dhe përgatitjen e një albumi të plotë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›