Të jetosh si poet, rebel, i drejtë!
Poetët janë disi të veçantë, si dashurojnë, si prekin zemrat, si emocionohen, çfarë ndjenje drejtësie kanë. Nuk janë si një “Alfredo”, që ka para dhe percepton një dashuri krejt tjetër. Meqë jemi tek poetët e frymëzuar, tenori lirik, Armaldo Kllogjeri, sapo ka mbyllur realizimet më të mira të veprës “Andre Chenier”, një poet rebel ky, plot ndjeshmëri i viteve të revolucionit francez, kohë kur kompozitori Giordano u frymëzua kundër këtij realiteti.
Kllogjeri, një tenor që i provon sfidat operatike pa asnjë ngurrim, tregon se ky rol, pra i poetit, ishte nga më të vështirat. I duhej përpara syve një model poeti, dhe në intervistën e mëposhtme, ai na tregon për Xhevahir Spahiun - duke tërhequr vëmendjen në impresionon që i japin atij poetët. Si flasin, si vishen deri se si i mbajnë flokët.
“Mbaj mend që kur kam takuar poetin Xhevahir Spahiun në Maqedoni ai dallon nga të tjerët, qoftë edhe në mënyrën se si i mban flokët. Kjo ka qenë vështirësia e rolit tim, por edhe në anën vokale vështirësia është akoma edhe më e madhe, si një opera me katër akte ku tenori këndon gjatë gjithë kohës”. Ka sfiduar vetveten, ashtu siç ka vepruar deri më sot. Ka vënë në skenë një rol të vështirë, ashtu siç e tregon ai, të një vepre me të njëjtin kapacitet. Tenori lirik, Armaldo Kllogjeri, erdhi nën petkun e një poeti, një djaloshi, i cili nuk e njihte frikën e të protestuarit kundër fenomeneve negative të shoqërisë. “Andrea Chenier” ishte premiera që u vu në skenë e teatrin e operës, ku të dielën shënoi edhe shfaqjen e fundit. Kllogjeri na tregon ndjesitë që ka përjetuar nga ky rol, sa poet e ndjente vetveten, e vështirësitë që e kanë ndjekur atë në shumë momente.
“Andrea Chenier”, premiera e radhës në TKOB, ku ju kishit rolin kryesor. Dy ditë më parë ishte edhe shfaqja e fundit. Si ndiheni?
Sa i përket ndjeshmërisë sime, mund të them se ndihem pak i lodhur, jo në kuptim e gjendjes psikologjike, por në sensin që gjithnjë kur realizon një aktivitet, për shkak të tensionit, edhe gjumi nuk të zë. Gjatë gjithë kohës mendon për personazhin e detajet e tij. Në fund të fundit ky është profesioni ynë dhe janë të paktë ata që e dinë se si funksionon. Të them të drejtën ndihem shumë mirë. Ishte një opera shumë e bukur, e madhe, që vinte për herë të parë në skenën e teatrin e operës. Për realizimin e saj kërkohej shumë sakrificë, përkushtim dhe një angazhim shumë të madh, tek çdo artist, e individ që ishte pjesëtar i operës. Nëse e trajtojmë në mënyrë më të hollësishme, të këndosh një opera si “Andrea Chenier”, stafi organizativ duhet të jetë shumë i aftë. Veç kësaj, është shumë e nevojshme edhe një marrëdhënie, një harmoni mes solistëve dhe aktorëve të tjerë në shfaqje, duke mos lënë pa përmendur në këtë rast edhe dispononimin e një guximi të madh.
Thoni një vepër e vështirë, që kërkon shumë guxim. Pse e thoni këtë?
E them këtë duke filluar që nga iniciativa e vetë drejtorit, i cili ka marrë guximin që të vendosë në skenë një opera kaq të madhe e të vështirë njëkohësisht. Nuk është e thjeshtë. Për këtë duhej një punë jashtëzakonisht e madhe nga të gjithë ne, por veçanërisht një rol të madh kryejnë regjisori dhe skenografi i veprës. Ajo çka të bie në sy, në pamje të parë është skenografia dhe ndriçimi, gjë që mua personalisht më ka lënë mbresa vërtet të mira. E them me bindjen më të madhe, që gradualisht ne po arrijmë të bëjmë vepra me skenografi dhe regji pothuajse të niveleve bashkëkohore.
Por, besoj ju jeni të vetëdijshëm që skenografia, regjia, apo ndonjë tjetër rol realizohen nga të huajt, nuk po i bëjmë vetë. Çfarë do të thotë kjo sipas jush, kur nga jashtë gjykohet?
Po, është e drejtë, por pse nuk ka skenografë shqiptarë që të bashkëpunojnë me të huajt në mënyrë që të mësojnë diçka prej punës së tyre?! Ndërsa, një realizim që të jetë vetëm i yni, bëhet vetëm duke ndjekur atë mënyrë që kam zbatuar unë, apo shumë të tjerë. Kam kërkuar nga vetja ime, dhe ia arrita. Por, nga ana tjetër, ne kemi edhe skenografë shqiptarë. Ka qenë shfaqja “Il tabarro”, e cila është konceptuar nga dora shqiptare. Por, si është më mirë, të kesh diçka të thjeshtë dhe praktike, apo diçka të vështirë dhe jo praktike? Për këtë ne menduam një realizim të thjeshtë, praktike dhe të këndshme.
Mua më ka pëlqyer, pasi na jepte një pamje që nuk të vriste syrin. Çdo gjë ishte në vendin përkatës. Ndërsa, regjisori në këtë mënyrë e ka konceptuar veprën, duke i dhënë më tepër rëndësi fjalës, detajin dhe atë që spikat më tepër në skenë, dhe jo elementëve që ndërlikojnë personazhin. Besoj që ia kemi arritur qëllimit, atë çka kemi kërkuar të bëjmë.
Po ashtu unë eci mbi parimin që publiku shqiptar duhet të mësohet edhe me opera të reja. Ato tradicionale duhet t’i vëmë në skenë sa herë që të jetë e nevojshme, por duke i vënë operat e reja nuk është asgjë e keqe.
Si ju duket reagimi i publikut kur për një artist një vepër është sfidë?
Ai apo ajo që vjen në një opera e re së pari shtyhet nga kurioziteti për ta parë atë si diçka të panjohur. Po ashtu, do të shikohet se si ky kompozitor e ka shkruar këtë opera, për çfarë flet opera etj., por ne jemi mësuar që pas shfaqjeve kritikojmë artistët për detaje shumë të vogla dhe të parëndësishme, të tipit “i kishte rënë balukja mënjanë”, “e hoqi unazën nga gishti, apo jo” e gjëra të tjera të kësaj natyre. Unë mendoj se e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet më së shumti në ngjarjen që ndodh, në vokalin e këngëtarit sesa ai arrin të emocionojë publikun, regjia e skenografia, e jo detaje të vogla.
Por detajet janë njësi që plotësojnë personazhin, hyjnë në kompleksitetin e një shfaqjeje... nuk mund të anashkalohen, apo jo?
Qëllimi ynë në këtë shfaqje ishte që ne nuk duhej ta sillnim operën ashtu siç ka qenë në atë kohë. Regjisori e solli atë në një tjetër formë. Akti i parë ishte i njëjtë. Një ballo, aristokraci..., por ndryshimi qëndronte tek veshjet e aktorëve. Më parë, siç dihet në aristokraci njerëzit kishin paruke, lloj tjetër i të veshurit, ndërsa tani gjithçka është përshtatur me postmodernizmin. Sigurisht që jemi kujdesur që të mos dalim jashtë veprës, pasi një konteshë nuk është normale që ta veshim si një shërbëtore, apo edhe në rastin e një poeti kështu veprohet. Duke qenë se tanimë nuk ka shumë kompozitorë që bëjnë opera, atëherë pse të mos i sjellim ato ekzistueset si në kohët e sotme?! Në fund të fundit nuk humbasim asgjë.
Sa të vështirë, apo të lehtë e ka një artist që të marrë një rol të adaptuar në ditët e sotme, nga një opera që është krijuar shumë vite më parë? E tillë ishte dhe Andre Chenier...
Për mua, është më e lehtë të përshtaten veprat në kohët e sotme, sesa në periudhën kur zhvillohej ngjarja, sepse jemi në gjendje të kuptojmë aktualitetin e ditëve të sotme. Ndërsa kohën e atëhershme ne thjesht e imagjinojmë, e imitojmë, pasi nuk e kemi jetuar. Vështirësia është pjesë e këtyre shfaqjeve, për shkak të lëvizjeve në këtë rast të aristokratëve, mënyra e të respektuarit etj. Është një tjetër kulturë. Megjithatë, opera “Andrea Chenier” ishte shumë e vështirë dhe për këtë ne jemi krenar për realizimin e saj.
Në rolin e poetit ishit ju dhe tenori italian. A keni bërë ndonjë krahasim me njëri-tjetrin për mënyrën e të interpretuarit?
Ndryshimi?! Është njësoj si të gjesh ndryshimin mes një shqiptari dhe një italiani. Nëse një italian, apo një tjetër i huaj dhe unë të këndojmë një repertor në gjuhën shqipe, cili mund të jetë ndryshimi? Kuptohet se gjuha e nënës është më ndryshe nga ajo e huaj sado mirë ta zotërosh atë. Tek tenori italian pashë një lirshmëri nga ana regjisoriale, e njihte mirë materialin, pasi e kishte kënduar edhe më parë. Veçantia e tij nga unë ishte se ai kishte disa elementë më shumë në aspektin regjisorial, sepse kur e njeh mirë gjuhën je i gatshëm të përballesh në çdo lloj situate. Ndërsa nga ana profesionale nuk po flas, sepse nuk më takon.
Po na thoni që tenori italian ishte më mirë se ju, si do e vlerësonit si artist?
Tenori italian nuk kishte një zë të bukur, por ishte një këngëtar i mirë. Ai ka një zë tjetër, unë po ashtu një tjetër. Ana e tij më e mirë ishte ana vokale, por nuk mund të hyjmë në detaje të mëtejshme, sepse nuk mund të bëj krahasime.
Ju ishit roli kryesor në premierë. Sa arritët të përshtateshit me këtë rol?
Të them të drejtën jam përshtatur shumë me rolin, i cili më ka pëlqyer jashtë mase. Të interpretosh një rol, jo në aspektin vokal të një poeti, nuk është aspak e lehtë.
Sepse poetët janë disi të veçantë në vetvete, si në aspektin e të shkruarit, e të dashuruarit, në jetën e përditshme etj. Nuk janë si një “Alfredo” që ka para dhe percepton një dashuri krejt tjetër, kurse poeti jeton një dashur shumë të veçantë. Mbaj mend që kur kam takuar poetin Xhevahir Spahiun në Maqedoni ai dallon nga të tjerët, qoftë edhe në mënyrën se si i mban flokët. Kjo ka qenë vështirësia e rolit tim, por edhe në anën vokale vështirësia është akoma edhe më e madhe, si një opera me katër akte ku tenori këndon gjatë gjithë kohës. E gjithë kjo vepër na tregon se një njeri i drejtë, atëherë kur e ndjen se është i tillë, nuk duhet të ketë frikë për atë që thotë. Kështu janë poetët.
Në një realitet të sotëm, si e konsideroni filozofinë e mësipërme, mbi të qenit pra njeri i drejtë? Sa i pranueshëm jeni ju në këtë realitet?
Unë jam i drejtë, por në ditët që jetojmë duhet t’i pranojmë shumë gjëra ashtu siç janë. Në jetën e përditshme nuk mund të jesh aq i drejtë sa duhet për shkak të shumë faktorëve që ndikojnë drejtpërdrejt. Unë nuk është se s’jam, por në një moment të caktuar, pse duhet të jesh i tillë, kur nuk duhet të jesh?!
Ju kemi parë në disa role kryesore e të vështira. Pse? Çfarë sfide kërkoni të realizoni?
Unë nuk kam hyrë në opera për të realizuar ndonjë sfidë. Por ajo vjen duke mos e menduar atë si sfidë. Sfidë për mua është që të bëja një “Andrea Chenier”, jam i pari, e ndoshta mund të jem edhe i fundit. Ky realizim mbetet, po ashtu edhe emri im si rrjedhim. Unë nuk jam nisur asnjëherë për të bërë vepra të mëdha, por thjesht për të bërë atë punë që më takon. Janë opera të vështira e të forta, por në fund s’po humb asgjë.
Çfarë shënon ky rol në pasaportën tuaj artistike?
Ky rol shënon një arritje të madhe nga puna që kam bërë, e nga teknika që kam. Jam i denjë që të përballem me skena më të mëdha në botë nga puna e madhe individuale që kam bërë. Përfitoj nga rasti që t’i bëj një thirrje publikut që të familjarizohet më tepër me operën. Po marr rastin e vëllait tim, i cili ka marrë një drejtim krejt ndryshe krahasuar me mua. Unë i kërkoja vazhdimisht të vinte të shikonte shfaqje në opera, pasi nuk kishte ardhur asnjëherë, por ai i shpesh edhe i neglizhonte. Në këtë premierë ai ishte i pranishëm. Të them të drejtën ai është befasuar. Ai m’u shpreh në këtë formë, “unë nuk e paskam ditur që kjo lloj punë paska kaq shumë vështirësi”. Ai e tha këtë, pasi nuk e dinte se si funksiononte një opera. Dhe ajo çfarë më bëri përshtypje ishte se ai u nxit që sërish të vinte në shfaqjen pasardhëse. Më tregoi se kishte mbetur i mahnitur nga mënyra e ndërtimit të skenës, ndriçimi, e sidomos nga vokali i lartë për një kohë të gjatë, pra për rreth tre orë në skenë. Pra, nëse shpenzon një mbrëmje në opera nuk humb asgjë prej gjëje. Repertori ynë është shumë i larmishëm, përmban kultura dhe gjuhë të ndryshme, duke e bërë atë më tërheqës. Me pak fjalë, ia vlen të vish.