E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eagle Mobile”, tarifa të ulëta për 8 ministri



Ministri Olldashi nënshkruan marrëveshjen me “Eagle Mobile”

70 mijë punonjës përfitojnë, biseda në grup 5 lekë/min

Janë 70 mijë punonjës të administratës shtetërore që do të përfitojnë tarifa të reduktuara në komunikimin e telefonisë celulare. “Eagle Mobile” do të ofrojë shërbimin e telefonisë celulare për punonjësit e 8 ministrive. “Eagle Mobile”, kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, duke nisur nga dje ka nisur t’iu ofrojë institucioneve publike shërbimet e saj me tarifa të veçanta. Marrëveshja u nënshkrua në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit nga ministri Sokol Olldashi dhe drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin. Me këtë marrëveshje, “Eagle Mobile” do të ofrojë shërbimet e telefonisë celulare për 8 dikastere ministrore. Rreth 70.000 punonjës të administratës publike do të përfitojnë nga tarifat dhe shërbimet e “Eagle Mobile”. “Kemi negociuar gjatë dhe arritëm në rezultatin konkret. Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë nga këto tarifa. Kjo do të jetë me përfitim të dyfishtë, së pari do të ulë shpenzimet operative për atë kontingjent nëpunësish, të cilëve shteti iu paguan pjesërisht apo plotësisht shpenzimet telefonike dhe do të jetë dhe në përfitim të vetë zyrtarëve, që do të marrin ketë vendim, se do të paguajnë shumë më pak dhe në ketë mënyrë shërbimi bëhet më i lirë”, - tha ministri Sokol Olldashi. Ai falënderoi stafin teknik të ministrisë dhe atë të “Eagle Mobile” për mundësimin e kësaj marrëveshjeje. “Jemi të gëzuar që “Eagle Mobile” në një kohë kaq të shkurtër tregoi potencialet e saj. Ne do të ofrojmë shërbimet tona jo vetëm për 70 mijë punonjës të administratës publike, por edhe për familjarët e tyre. Njëherazi, edhe institucionet e tjera publike që dëshirojnë ta kenë këtë tarifë dhe mundësi, janë të mirëpritura”, - tha drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin. Ai falënderoi qeverinë shqiptare dhe në veçanti Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për mbështetjen që i kanë dhënë procesit të konkurrencës në telefoninë e lëvizshme shqiptare. “Tarifa e re e prezantuar për institucionet publike u jep mundësinë punonjësve të flasin me tarifa ekonomike jo vetëm brenda institucioneve të tyre, por edhe me dikastere të tjera, që janë pjesë e tarifës. Për herë të parë në Shqipëri, “Eagle Mobile” ndërthur në një grup dhe tarifë të veçantë numrat me parapagesë dhe ata me kontratë”, - tha zoti Taskin.

Kompania “Eagle Mobile” doli fituese e procedurës konkurruese të zhvilluar mes tre kompanive celulare që operojnë në vendin tonë për ofrimin e këtij shërbimi për punonjësit e administratës publike. Pas zhvillimit të negociatave me kompaninë fituese “Eagle Mobile” sh.a., MPPTT hartoi marrëveshjen për ofrimin e shërbimit telefonik. Sipas kësaj marrëveshjeje, e gjithë administrata do konsiderohet si një grup dhe tarifat brenda grupit do jenë 5 lekë/min.

“Eagle” mbështet kompaninë “Albtelecom” në projektin e internetit në shkolla

“Eagle Mobile” solli konkurrencën në tregun shqiptar të telekomunikacionit dhe do të vazhdojë në këtë rrugë. Së fundi, “Eagle Mobile” mbështet kompaninë “Albtelecom” në projektin e saj për internet në të gjithë shkollat shqiptare. ““Eagle Mobile” do të çojë internetin në 1600 shkolla në të gjithë vendin”, - tha drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin, në komunikimin me mediat. Zoti Taskin tha gjithashtu se “Eagle Mobile” është kthyer edhe në një promotor të imazhit të Shqipërisë dhe zhvillimit të turizmit në vend. Ai prezantoi para gazetarëve kartat e reja rimbushëse “Eagle Mobile”, të cilat mbajnë përsipër imazhe nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Ky projekt është ndërmarrë në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›