Kosova dhe Kushtetuta prej letre
Kushtetuta e një shteti është gur themeltar dhe fondament i rëndësishëm mbi të cilën funksionon, lëviz dhe ecën mbarë shteti i një vendi në proceset e tij demokratike, prosperuese, progresive dhe bashkëkohore. Ky akt më i lartë juridik është pjesa më e rëndësishme e zhvillimeve të tjera pozitive që mund të ndjekë shteti i mbikëqyrur i Kosovës. Po ashtu, ky akt i lartë mban gjallë sovranitetin, pushtetin dhe vetë qeverisjen e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës e cila e zbaton atë e jo e lë në arkivën e historisë së shkuar dhe merret me ligje sipas qejfeve dhe të emocioneve të momentit. Kosova, që nga bërja e saj shtet i mbikëqyrur ende nuk ka arritur ta fusë në jetën e saj dhe t'i shtrijë vijat e ligjit në të gjithë parametrat e saj, duke u bazuar në Kushtetutën, e cila mbushi një vjet dhe ende po fle si dhe ka filluar ta mbulojë myku i harresës dhe i moszbatimit të saj.
Miratimi i këtij akti juridik para një viti është i rëndësishëm, por lënia e këtij bazamenti kryesor, me anë të së cilës shteti i mbikëqyrur i Kosovës duhet të mbështetet, do të thotë ikje nga ligjshmëria e tërë procesit të mëparshëm të përpjekjeve të Kosovës dhe zbehja apo, më mirë të thuhet, humbja e vlerës dhe e formës së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës në procesin e saj.
Sepse, në rast se një shtëpi i ka vënë themelet mbi bazamentin e saj të fortë kushtetues, ajo nuk do të lëkundet, por nëse ajo i ka vënë themelet mbi hijen ose mbi qejfet dhe dëshirat personale apo ligjet e tjera të shpikura të rastit, ajo gjithsesi, shumë shpejt ose më vonë do të shembet dhe do t’i dalë boja si dhe forma e saj e rrejshme.
Ndërkaq, demokracia apo qeverisja e shumicës ka si qëllim të saj dashurinë për atdhe, pra qëllimi i saj i mirë në një shtet ku bazë e tij ligjore është kushtetuta, pastaj ku të gjitha organet e një shteti qëndrojnë të forta mbi këtë akt të lartë juridik, gjithashtu është edhe vetëmohimi deri në sakrificën e fundit për ta zbatuar dhe për ta bërë pjesë të jetës së tij shtetërore.
Sepse, në rast se nuk shkohet deri në vetëflijim për ta përmbushur dëshirën dhe qëllimin e shumicës, duke zbatuar ligjin, duke pasur një kushtetutë që i rrah, zemra e pushtetit apo shtetit juridik e jo një kushtetutë që po plaket çdo ditë dhe ku nga moszbatueshmëria e saj dhe mosfutja në funksion e të gjitha këtyre parimeve me anë të së cilave varet dhe qëndron shteti i mbikëqyrur i Kosovës.
Prandaj, në rast se kushtetuta nuk zbatohet dhe nuk bëhet pjesë e jetës së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, ajo do ta ndiejë veten si një organizëm i pakontrolluar i pavëzhguar, tepër dyshues dhe më në fund do ta helmonte edhe ardhmërinë dhe procesin e saj të ecjes drejt zhvillimeve të tjera ndërkombëtare si dhe të funksionimit të saj të brendshëm.
Kushtetuta e pamaterializuar, e pafutur në funksion, do të thotë një humbje e dinjitetit të saj, një humbje e vetë arsyes dhe rendit juridik e ligjor të shtetit dhe një dalje jashtë e rolit të saj në ndërtimin e demokracisë së shëndoshë, shtetit juridik dhe të kuptimit qytetar në funksion të së cilës ai edhe mbahet brenda rendit juridik dhe shtetëror.
Është absurde nëse pushtetarët e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës mendojnë se Kosova është duke shkuar në rrugë të mbarë, kur nuk hyn në jetë kushtetuta e atij vendi; është absurde nëse pushtetarët, duke u korruptuar dhe duke keqndërtuar, mendojnë ta çojnë përpara ardhmërinë e Kosovës; është absurde nëse ata, duke u vetëkënaqur dhe duke mashtruar popullin, mendojnë ta ndërtojnë një faqe të re të Kosovës kundrejt botës demokratike.
Mungesa e kushtetutshmërisë në një shtet do të thotë një kërcënim për rendin, një kërcënim për qytetarin e tij, një kërcënim për demokracinë si dhe një lënie hapësire, ku pushtetarët do të mund të veprojnë si të duan dhe ta drejtojnë ardhmërinë e Kosovës sipas dëshirave të tyre dhe pasioneve verbuese.
Duhet ditur një gjë, se edhe shtetet-parti të dukurive të rralla në historinë e botës, që nga diktatura e deri te kërcënimet e tjera totalitare, kanë çuar ujë në mullirin e çrregullimeve dhe të humbjes së peshës politike dhe largimit të shtetit, duke futur partinë si qëllim final dhe ligjet e saj si pjesë të shtetit. Kosova nuk duhet t’i ngjasoj bishës me tri kokë, ajo duhet të jetë një vend ku ligjshmëria, demokracia e zhvillimi të mbahen si qëllime për të ardhmen e saj në familjen e Bashkimit Evropian.
Shteti i mbikëqyrur i Kosovës, për të jetuar dhe ekzistuar, është i varur nga disa gjëra thelbësore: Kushtetuta, ekonomia e qëndrueshme, demokracia qytetare, diplomacia aktive, siguria, paqja, stabiliteti etj., etj.
Administrata shtetërore duhet të bazohet në drejtësi dhe në kushtetutë e ligjshmëri, duke krijuar kështu hapësirë që demokracia të ndihet dhe qytetarët ta kuptojnë domethënien e rendit dhe ligjit shtetëror, pastaj ta kuptojnë edhe ardhmërinë e tyre se duke ndërtuar së bashku dhe duke respektuar rendin dhe ligjin do të mund të arrihet deri te një shtet juridik, i cili i përmbush kriteret e demokracisë bashkëkohore dhe se rruga për integrim në strukturat euroatlantike do të jetë më e shkurtër.
Qytetarët, duke kuptuar se shteti i tyre është në funksion të së mirës së të gjithëve dhe duke kuptuar se kushtetuta është një akt juridik më i lartë e që ata i bën me personalitet e identitet shtetëror si dhe ia jep ngjyrën e vërtetë demokracisë dhe shtetit juridik, atëherë për ta shteti do të bëhet më i kapshëm dhe më i hapur në vëllimin dhe formën e zbatimit të demokracisë qytetare dhe shikimit të ardhmërisë së sigurt drejt proceseve të reja.
Dhe krejt në fund, nuk është e nevojshme dhe e arsyeshme që të përjashtohet zbatueshmëria e Kushtetutës së Kosovës, gjithashtu nuk është gjithmonë e nevojshme që të bëhen ligjet, por është e rëndësishme që ato të gjejnë zbatim në jetën e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.
Kështu që, duke u marrë me ligje të tjera dhe me shpikje të tjera të rastit, pastaj duke harruar që Kosova ka një kushtetutë dhe nëse ka, ajo duhet të zbatohet në praktik, shteti i mbikëqyrur i Kosovës shumë shpejt do të mund ta zërë një stuhi politike e juridike, e cila do të mund të zgjaste dy apo tri vite, derisa të rivendoset shteti juridik dhe një demokraci e shëndoshë, si dhe të marrë një pamje të vërtetë evropiane. Ndërkaq, sot shteti i mbikëqyrur i Kosovës është shëndetlig, i pasigurt, pastaj po shkon drejt zmadhimit të dhimbjeve dhe plagëve deri në të çara të theksuara dhe në një mënyrë apo tjetër po krijohet një hendek i madh në mes të ekzistencës së plotë të kësaj ndërtese apo plasaritjes shkatërruese që do të thoshte goditje e fatit që ia përgatitën pushtetarët e saj.
*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare