Të kthehen (nëse duan), Kosova s’kthehet
Serbia, kundër Kosovës, përdor dy kontigjente serbësh.
Serbët që jetojnë në Kosovë, i ka organizuar në pushtetin paralel. Për ta, pak ditë më parë, janë bërë dy deklarata të rëndësishme. E para qe e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila i kërkoi presidentit Boris Tadiç, m’u në Beograd, të shkatërrojnë pushtetin paralel. E dyta ishte e ministrit të jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili shqiptoi në OKB një deklaratë tronditëse, kur tha se, për të mbajtur pushtetin paralel në Kosovë, pas pavarësisë, Beogradi ka shpenzuar 6 miliardë euro! Kjo nuk është thjeshtë një e dhënë financiare marramendëse, por përbën një veprim të përditshëm kundërshtues në territorin e një shteti tjetër dhe strategji politike të dënueshme ndërkombëtarisht. Ky kontigjent mbahet i ngarkuar me nacionalizëm ekstrem, për t’u përdorur për propagandë, në Serbi e nëpër botë, si shprehje e mospranimit të pavarësisë së Kosovës, me qëndresë edhe luftarake, për kthimin përsëri të Kosovës në Serbi.
Serbët e ikur në Serbi, Beogradi i përdor kundër shteti të Kosovës, duke akuzuar se, ata nuk kthehen nga që në Kosovën e pavarur ndjehen të kërcënuar, pa të drejta njerëzore e demokratike. Kjo pjesë serbësh që jeton në atdheun mëmë, cilësohen të shpërngulur që presin të zbresin në Kosovë, kur Kosova t’i kthehet prapë Serbisë.
Por, pamja më e thjeshtuar paraqitet kësisoj: cilido serb, që ka dashur, ka qëndruar në Kosovë e nuk i është prekur as fija e flokut, kush ka ikur në Serbi, ose është i përlyer në krime ose atje e ka gjetur më mirë. Qysh prej mbi dymbëdhjetë vjetësh nga çlirimi i Kosovës, sidomos që pas shpalljes së pavarësisë, në Kosovë nuk ka kurrfarë ngjarjesh mes shqiptarëve e serbëve, ose të vetmet janë ato që Serbia krijon enkas në Mitrovicën e veriut. Herë pas herë, zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës, por edhe personalitete të rëndësishme botërore, u janë drejtuar serbëve të ikur: Kthehuni nëse doni! Kosova është vend i lirë, me qeverisje demokratike, dhe, sipas pakos Ahtisaari, statusi i pakicës serbe atje është i pashoq në të gjithë kontinentin.
Me që Serbia dhe Rusia janë motra dhe, pas motrës së vogël rri roje motra e madhe, le të sjellim domethënien e një proverbi rus, i përshtatshëm për çfarë Serbia pret me kushtetutë dhe ku gjindet, realiteti në terren dhe botëror, i Kosovës së pavarur. Fjala e urtë ruse “Zhdat u morja pagoda”, në fjalorin rusisht-shqip të viteve ’60-të, të shekullit të kaluar, është shqipëruar - “Prit gomar sa të mbijë barë”. Kushtetuta më e fundit serbe, presidenti serb, qeveria serbe, ministri i jashtëm serb, opozita serbe, serbët e ikur nga Kosova dhe serbët që jetojnë në Kosovë, e thonë si parullë, që shpallet deri edhe nëpër stadiume, “Kosova është Serbi”, dhe sipas tyre, nga “Prit gomar sa të mbijë barë”, Kosova do të bëhet prapë Serbi. Mirëpo, të dy pjesët e serbëve, ata që s’kanë ikur dhe ata që kanë ikur, nuk shihen me të njëjtin sy në Beogradi. Serbët e pushtetit paralel mbahen me të mira, yshten me nacionalizëm, financohen dhe cilësohen heronj. Serbët e ikur rropaten të pakënaqur nëpër Serbi, dhe gati shihen si tradhtarë të çështjes. Por, ata nuk janë, as emigrantë e as tradhtarë. Ndjesia e tyre është më me këmbë në tokë se sa loja politike e Beogradit, sepse, ata shkuan në atdheun mëmë dhe atje sillen të jenë dëshmitarë të gjallë, kundërshtues të kushtetutës së Serbisë, sepse, nga që Kosovën e dinë për tjetër shtet, ata nuk duan të kthehen në një shtet që nuk është pjesë e Serbisë e nuk njihet nga Serbia. E, përse, të kthehen në një vend ku Serbia përpiqet ta dështojë me pjesën tjetër serbe atje, me para të shumta nga buxheti i varfër i saj dhe me politikë që nuk ia pranon bota më e zhvilluar, më e fuqishme dhe më demokratike, madje pse duhet të kthehen në një shtet të cilit Serbia nuk pranon as t’ia njohë pavarësinë, as t’ia njohë shtetin e as ta thërrasë Republika e Kosovës? Serbët e ikur nga Kosova ia kanë hequr zhguallin politikës për rianeksim të Beogradit, duke parë që në jug të Serbisë nuk ka një shtet të ri, por aty gjendet një vend që ka hyrë në dhjetëvjeçarin e dytë të lirisë.
Politika në Beograd, properëndimore dhe radikale, vonon e nuk guxon, t’i shqiptojnë popullit serb troç, siç vonuan qëllimisht arrestimin e kriminelëve të famshëm, e t’i thonë: “Kosova nuk është e nuk do të jetë kurrë më pjesë e Serbisë. Le të shpejtojmë kah Bashkimi Europian”. E vërteta është si në proverbin rus, që në shqip thuhet edhe më e plotë: “Prit gomar sa të mbijë bar, mbiu bari, por ngordhi gomari”. Kthimi i Kosovës në Serbi është një çështje e vdekur dhe, i vdekuri siç nuk mbahet mbi tokë nuk mbahet as mbi faqet e kushtetutës,nga që infekton me dekompozimin e vet, ndaj kallet në varr.