E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të martën takimi i radhës Thaçi-Daçiç

PRISHTINE - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç do të takohet të martën në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Në këtë takim do të shqyrtohet plani për zbatimin e marrëveshjes.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, duke komentuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se për BE-në janë të rëndësishme aspektet që të vihet deri tek pika që të përmbushen kushtet.

Ashton ka theksuar se tashmë ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë për guxim dhe përkushtim, si dhe për punën e vështirë në arritjen e marrëveshjes, ndërsa kryeministri Thaçi ka shprehur besimin se do të arrihet një marrëveshje për këtë dhe se nuk ka kthim prapa përveç zbatimit të marrëveshjes.

Edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë shprehur se marrëveshja duhet të zbatohet.

“Realisht se sa serioz ka qenë dialogu do të shihet pikërisht me rastin e zbatimit të marrëveshjes, edhe në tërësinë dhe në dinamikën e saj. Nuk duhet të lejohet të shkojë kohë e gjatë për zbatim pasi ajo mund të deformohet”, ka thënë deputeti Sadri Ferati.

Por, ndryshe deklarohen në partinë tjetër opozitare që kundërshtojnë dialogun me Serbinë, në Vetëvendosje. Deputeti Rexhep Selimi ka thënë se marrëveshja nuk duhet të zbatohet.

“Ne mendojmë që nuk do të duhej as të arrihej një marrëveshje e tillë dhe rrjedhimisht nuk do të duhej të zbatohej. Por, duhet ta kemi parasysh që kjo marrëveshje do të zbatohet nga Serbia kur të plotësohen dy kushte: të jetë në interes të Serbisë dhe serbëve, dhe që të mos jetë në interes të shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës”, - ka theksuar Selimi.

Deri më tani delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë zhvilluar dy takime në Bruksel në lidhje me planin për zbatimin e marrëveshjes.

(er.nu/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›