Të mbrohemi nga rrethimi me spango!
Studentë dhe stafi drejtues i "Marubit" vazhdojnë të mbrojnë Akademinë nga ajo që ata e quajnë agresion shtetëror
Në fund të deklaratës së djeshme, i dashur Kujtim, që e lexova në "Shekulli" me titullin "Vizioni antikulturor i Shqipërisë", i bëje thirrje ndërgjegjes qytetare kombëtare që të solidarizohet me akuzën tuaj ndaj antikulturës që ka ardhur me uniformat e policisë t'ju zaptojë dhe t'ju rrëmbejë "Marubin", frytin e një pune të jashtëzakonshme shumëvjeçare.
Edhe një grimë sikur të përfaqësoja nga ndërgjegjja që thoje ose edhe asnjë grimë, për aq sa më lejohet të shkruaj e botoj thjesht si individ, po të shkruaj publikisht se solidarizimi me fjalë është më e pakta që mund të bëjë një njeri i kulturës sot në mbrojtje të asaj që keni krijuar me Eolin, Magalinë, Norën, Pirron, Vladimirin, të nderuarin Vath Koreshi që sot nuk jeton më dhe gjithë pedagogët e studentët e Akademisë së Filmit Marubi, të mbështetur financiarisht nga disa prej vendeve më të kulturuara të kontinentit dhe më tej.
Solidarizimi me fjalë madje më duket si hipokrizi përballë asaj që ju ka ngjarë dje; pasi unë nuk mund të përfytyroj që policë shqiptarë që nuk kanë guxuar të na godasin në dhjetor të 1990-ës e janar të 1991-shit, dje të kanë goditur me sa mundnin nën brez, jashtë objektivit të kamerave.
Duke qenë që në këto çaste solidarizimin vetëm me fjalë e mbaj si një akt hipokrizie përballë një kryeministri që dërgon kundër një akademie filmi forca policore dhe tela rrethues, ftoj të gjithë miqtë e kolegët tanë të fushës së kulturës dhe mediave të kalojnë nga Akademia Marubi dhe t'jua shprehin solidaritetin atje në vend, ndoshta edhe duke bashkuar trupat tanë para telave dhe spangove qesharake të qeverisë.
Të jem i sinqertë, kur më pate treguar për herë të parë idenë e një shkolle filmi në terrenin e ish-Kinostudios, këtu e 7 a 8 vjet më parë, nuk e besova që vërtet mund të ngrihej. Nuk të njihja as si biznesmen të dalluar, as si njeri që di t'iu përkëdhelet të pushtetshmëve: mirëpo vetëm këto dy specie arrinin të ecnin përpara në Tiranën tonë, ose, edhe më mirë, përzierja optimale e të dyjave.
Mirëpo ju arritët, edhe pse ty të mungonin këto dy talente, ta ngrinit shkollën dhe çfarë shkolle! Ajo është edhe funksionuese edhe e këndshme, ajo të fton edhe të çosh fëmijët nesër për t'u rysur me filmin, me kamerat, montazhin dhe gjithë sekretet e tjera, edhe të shkosh vetë e të humbasësh mendjen ndonjë të enjte në qilarin klasik të kinematografisë.
Madje më duket se motivi kryesor që të kanë mërzitur kaq sa vjet me shkresa, urdhra, ultimatume, prerje korrenti e tani piketime me spango, nuk është lakmia e tyre legjendare, fakti që ti nuk u ke dërguar asnjëherë ndonjë zarf dhe as që ke ndër mend, por thjesht zilia! Sepse nuk lejohet të ngresh në Shqipëri një gjë të bukur dhe funksionuese, me gjelbërim, hijeshi e art përrotull, po s'e pate bërë duke i dhënë pjesë një politikani.
Po si e ngritët ju? Me të huajt, me UNESCO-n, me Pro Helvetian, me IFA-n, me CNC dhe gjithë selitë e tjera të nderuara të kulturës dhe kinematografisë. Pra duke anashkaluar shtetin shqiptar. Ah, kjo nuk lejohet, i dashur Kujtim, të ngresh një qendër edukimi dhe një qendër filmi, pa u falur më parë me Kukaleshët.
Lexoj deklaratën e djeshme të ministrit të Kulturës (së tij, jo tonës) Pango që thoshte "Është e paperceptueshme dhe e padëgjuar ndonjëherë që një njeri me 200 metra katrorë pa pagesë, të kërkojë të marrë edhe 2 mijë metra katrorë".
Sigurisht që është e paperceptueshme (për të, jo për ne), sepse ky ministër nuk ka proftasur asnjëherë të kalojë për të parë mrekullinë tuaj të vogël, sepse ai nuk e di ç'do të thotë të bësh kulturë në këtë vend duke plotësuar gjithë ditën formularë e aplikime për jashtë (fat që e kemi të përbashkët, i dashur Kujtim), meqë ky shtet nuk të jep asgjë.
Ministri ynë Gjysmësalla (si të duket ky emër? e ke parasysh që me nja 650 mijë euro për rinovimin e ish- Lidhjes së Shkrimtarëve, përgjysmoi sallën art nouveau të një ndërtese historike?
Ndiqja aty një mbrëmje një koncert e gjithë kohën më dukej sikur dyshemeja do shembej dhe do të rrëzohesha mbi kokat e ish-Plenumit të Lidhjes), e pra Gjysmësalla e përshkruan të gjithën si një akt korruptiv midis teje dhe ish-kryeministrit Nano, por harron që ka një vendim të Ministrisë së Arsimit që i njeh "Marubit" të drejtën e ekzistencës si universitet dhe nuk mund të ketë një universitet në 200 metra katrorë dhe s'ka ndonjë qendër filmi e shkollë filmi siç jeni ju në Europë që të quhet "biznes fitimprurës", pasi filmi në kontinentin tonë është thuajse kudo veprimtari me humbje, e subvencionuar nga shteti dhe s'mund të paguajë "Marubi" një qira marramendëse që kërkon ajo gërmadha, Albafilmi, kur ka vetëm 30 studentë.
Gjysmësalla s'besoj se i ka peshuar ndonjëherë këto, madje s'është çudi të ketë projektuar ndonjë ndarje më dysh të Akademisë suaj: kati poshtë kafene me roulette, kati sipër "Marubi".
Shumë e ngjashme ishte deklarata tjetër, ajo e ministrit Ruli, sadoqë me një stil më të thatë, siç i shkon fundja një ekonomisti. Ajo thotë ndër të tjera: "METE sqaron se shkollës që njihet me emrin Akademia e Filmit & Multimedias Marubi" i është dhënë 200 metër katror sipërfaqe, pa shpërblim, për të zhvilluar aktivitetin e saj tregtar".
E pra për këtë ministër mësimdhënia në fushën e filmit, e zhvilluar me një teknikë tepër të shtrenjtë, me një prodhim prej 20 orësh film në vit, e mbajtur vetëm nga partnerë të huaj, siç janë institucionet kinematografike të shtetit gjerman, francez etj. është një aktivitet tregtar dhe si i tillë (vazhdimi logjik i fjalisë) duhet ndaluar dhe duhet ngushtuar në 200 metër katror.
Nuk po flasim për ndjeshmëri ndaj kulturës të një ministri ekonomie, për të cilin me sa kuptohet kultura dhe filmi janë fusha të huaja, po kujtojmë vetëm se ky njeri, të cilit i dhimbkan kaq shumë 4.500 m2 ku ka lulëzuar "Marubi", është po ai që, ndër të tjera, më 5.4.2007 i ka dhuruar për 1 euro, me një kohëzgjatje prej 30 vjetësh, 180.000 m2 plazh në Gjirin e Vlorës firmës italiane Petrolifera, për të zhvilluar aty kjo kompani aktivitetin e vet tregtar fëlliqës me produktet e naftës.
Argumente të tjera janë të panevojshme, i dashur Kujtim, s'më mbetet veçse të përsëris edhe një herë thirrjen për miq e kolegë: ejani të solidarizohemi me Akademinë e Filmit dhe të Multimedias "Marubi", le të ofrojmë personat tanë me gjithçka kemi kundër rrethimeve të antikulturës.
Fadrom - Fantom
Nga Krenar Zejno
Shqipëria është një fantom demokratike. Në gjuhën e turmave: një fadrom demokracie, e cila, nga e ndryshkur për në varrezë, është sajuar, lyer e pispillosur, gati për tender shkatërrimi. Është private fadroma, si në çdo kapitalizëm, por, po s'i tha shteti të shkatërrojë, nuk ka ç'të shkatërrojë! Dhe mbetet pa punë. Me të gjitha dhëmbët në vend, por pa punë. Ja, më në fund të ditës së pritjes mbërrin në muzg edhe urdhri për destruksion... Shqipëria është një fantom demokracie që po skërmitet. Një fadromë që merr yrrysh në paksa tatëpjetë dhe zbythet. Ka gjithë ditën që merr yrrysh dhe zbythet. Atypari ka gjithmonë ca njerëz që shohin, nuk dëgjojnë nga zhurmat, por kjo s'prish punë teksa shkulin leshrat. Më tutje ca të tjerë që sodisin shpenguar dhe të tjerë akoma që diskutojnë mbi kuaj-fuqinë e motorit të fadromës dhe zotësinë e drejtuesit të kësaj binaje. Pastaj, janë edhe ata që e shohin pa e vënë re këtë pamje idilike - nga yrryshi në zbythje - në ekranin e televizorit Neës: amvisat tek gatuajnë dhe e vështrojnë ekranin vetëm për orën në cepin juglindor të tij. Ora e murit ka mbetur batall pa bateri. Njerëzit e shtëpisë kanë dalë jashtë dhe haraksen duke ndjekur pas fantomën e demokracisë që merr yrrysh sërish. Tek-tuk ka ndonjë që shkulet së qeshuri me vete duke parë fadromën, pikërisht kur sapo tjetrit i ra ndërmend për bateritë, e që kësisoj i rezervoi asaj harresën e radhës. Ndërkohë që d