Rruga e Kalasë: Dru, qelq dhe sisteme ajrimi
Ministria e Kulturës prezanton projektin për muret e Kalasë së Tiranës. Janë 2,8 mln euro që do të përdoren për ndërtimin e rrugës. Arkitekti grek Fintikakis shpjegon
Rruga "Murat Toptani" do të ketë një tjetër pamje. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Në kuadër të projektit "Zhvillim i Qëndrueshëm dhe Integral i Qendrave të Trashëgimisë Historike" janë 5 milionë euro që KE-ja i ka akorduar MTKRS-së për restaurimin e tri kalave të Tiranës, Himarës dhe Krujës. Sipas Pangos puna për rehabilitimin e këtyre monumenteve tani është në fazën e parë: "Të tre milionëve të parë për të tria kalatë".
Më i rëndësishëm ndër këto projekte është kalaja e Tiranës. I pranishëm ishte edhe arkitekti grek që ka realizuar projektin. Nikos Fintikakis nëpërmjet një videoprojeksioni, paraqiti atë çka është tani Kalaja e Tiranës dhe se në çfarë synohet të shndërrohet.
Funksioni i saj do të jetë ai i një parku publik.
Rrënojat e Kalasë do të mbulohen me një shtresë të trashë xhami në mënyrë që të gjithë kalimtarët të kenë mundësinë të shohin këtë objekt arkeologjik. Në projektin e Fintikakis-it ka një kombinim të drurit, qelqit dhe betonit. "Trotuaret e rrugës që do ë restaurohet do të jenë prej druri, në mënyrë që gratë dhe fëmijët të ecin në një vend më të sigurt se rruga" u shpreh ai.
Risia në projekt është sistemi i ventilimit, që për hir të së vërtetës bie shumë në kontrast me gjendjen në të cilën janë pjesa më e madhe e rrugëve në vendin tonë. Arkitekti ka prezantuar një sistem ajrimi nëpërmjet tubave të ngulur në tokë. Sipas shpjegimit të Fintikakis-it, në një thellësi të caktuar, temperatura e tokës rri gjithmonë konstante, 15 gradë celsius. Nëpërmjet këtij sistemi jo të ndërlikuar, në ditët e nxehta të verës ajri do të qarkullojë nëpërmjet tubave dhe do të freskosjë mjedisin e jashtëm. "Kjo është një metodë jo e kushtueshme dhe shumë e thjeshtë për t'u realizuar" siguroi Fintikakis-i. Projekti synon të krijohet një lidhje mes zonave arkeologjike dhe urbane. Në këtë pjesë të Tiranës që synohet të kthehet në një park publik arkitekti ka menduar që stolat e pushimit të vendosen në mënyrë të çrregullt, herë në formën e një pianoje, herë si flutur, herë si pentagram, madje edhe si kuti shahu.
Projekti në letër është gati, dhe duket shumë joshës, por dhe sa kohe do të duhet që të shohim këtë fytyre të re të rrugës "Murat Toptani"? Ministri Pango përgjigjet: së shpejti. Gjithçka është gati për të filluar punën, pritet vetëm tenderi i datës 24 shkurt i cili do të përcaktojë firmën ndërtuese që do të realizojë projektin që përfshin segmentin rrugor që nga Ministria e Brendshme e deri te Ura e Tabakëve.
Shumë pak u tha se çdo të ndodhë me kalatë e Krujës dhe të Himarës. Sipas arkitektit, në këto vende pritet që të rregullohen rrugicat që i përshkojnë.
Janë 5 milionë euro që KE-ja i ka akorduar Ministrisë së Kulturës për rregullimin këtyre tre kalave. Nga këto, 2,8 milionë euro, sipas Pangos, do të përdoren për rregullimin e kalasë së Tiranës dhe pjesa tjerë do të ndahet mes kalasë së Krujës dhe Himarës.
Rrënojat e mureve të kalasë së Tiranës u zbuluan në Mars 2008 gjatë punimeve për rregullimin e rrugës "Murat Toptani". Rrënoja, ca mure me blloqe të mëdha gurësh, mendohet të jenë ndërtuar vetëm në periudhën romake. Me kërkesë të Institutit të Monumenteve në atë kohë Bashkia e Tiranës ndërpreu punimet në rrugë. Tani Ministria e Kulturës është në prag të nisjes së punës për rregullimin e këtij segmenti rrugor historik.