Prençi: Nuk jemi tranzitues droge, kanabisi mbillet në prona publike
Kreu i Policisë së Shtetit reagon, pas publikimit të Raportit të OKB-së për drogat
"Shqipëria nuk është më vend tranzit i drogës". Kështu ka deklaruar ditën e djeshme Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi duke iu referuar Raportit të Zyrës së OKB-së për drogat. "Në këtë raport për sa i përket situatës së drogave kultivimit dhe tranzitimit të tyre në rajonin e Ballkanit , Shqipëria përmendet vetëm dy herë kur thuhet se, kultivimi i kanabisit tashmë bëhet vetëm në "prona publike, pra prona të askujt" deklaroi ditën e djeshme gjatë një deklarate për shtyp kreu i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi. Sipas tij për drogat e forta raporti konfirmoi se që nga viti 2007 ka një devijim të rrugës së tranzitimit të drogës nëpërmjet Shqipërisë. "Raporti thotë se tashmë rruga tradicionale e kalimit të drogës është ajo e Ballkanit verior Turqi- Bullgari, Rumani- Hungari dhe më pas Austri. Në ndryshim nga Raportet e mëparshme ku problematika e Shqipërisë ishte evidente në të gjithë raportin................................... në këtë raport konstatohet që problematika spostohet në vende perëndimore, si Spanja, Franca, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Austria etj të gjitha këto vende të BE-së në të cilat evidentohet një rritje e kultivimit, tregtimit, tranzitimi dhe konsumit të drogës",- u shpreh më tej numri një i policisë shqiptare. Sipas tij, policia e shtetit ka pasur dhe do të kenë prioritet kryesor luftën kundër drogës dhe trafiqeve të paligjshme për ta fshirë përfundimisht emrin e Shqipërisë nga harta e kultivimit, tranzitimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike.