E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marubi rrethohet me tel

Policia dhe punëtorët e Albafilm Studios rrethuan dje oborrin Akademisë së Filmit. Ultimatumi për të lëshuar këtë mjedis i cili thuhet se do t'i jepet Top Channelit, ka përplasur rektorin e shkollës, Kujtim Çashku, dhe studentët e tij, me grupin që deri në mbrëmje nuk është lejuar të ndërhyjë në objekt


Rreth orës 13.30 të ditës së djeshme, një grup burrash ndaloi në hyrjen e Akademisë "Marubi". Një turrë me policë, një punëtor me çekan, dy të tjerë me topa teli nën drejtimin e një burri me pardesy, kapele dhe gjyzlykë të zeza. Është drejtori, prej tre muajsh i AlbaFilm Studios, asaj çka mbeti shtetërore nga Kinostudio. Fatmir Musaj po zbaton atë që pati njoftuar një ditë përpara, më 20 shkurt, ultimatumin drejtuar Akademisë së Filmit dhe të Multimedias Marubi, për të liruar dhe dorëzuar sipërfaqen e oborrit me argumentin se kjo përdoret "në mënyrë të kundraligjshme dhe pa asnjë tagër ligjor (lulishtja përpara godinës së ish Repartit të Zërit)."
Rektori i Akademisë, regjisori Kujtim Çashku, sapo i kishte dhënë fund fjalës para studentëve ku theksonte se kjo që pritej të ndodhte ishte "akt terrorist ndaj Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi".
Bashkë me studentët ai u bë mur i pakalueshëm për grupin që vinte nga jashtë dhe tentonte të hynte me forcë. Të rinjtë përpiqeshin të evitonin nguljen e "kunjave" ku do të kapej rrjeta e telit që megjithë rezistencën, e rrethoi dje oborrin e Akademisë së Filmit. Kishte tension se mos gjendja mund të përfundonte në përleshje. Çashku me Musajn shkëmbyen fjalë mes tyre i pari duke thënë se "ky njeri që po përpiqet të zbatojë ligjin vjen era alkool" kurse tjetri i përgjigjej se "me alkool apo pa alkool ligjin do ta zbatoj". U hodhën parulla si "Marubi është i lirë", "Poshtë Sali Berisha", "Poshtë diktatura", "Poshtë Ylli Spango", "Liri demokraci", "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa", që të kujtonin thirrjet e mitingjeve të orëve të para pas ndërrimit të sistemeve, duke identifikuar në këtë mënyrë se ky ishte një akt politik i qeverisë aktuale e cila, në stinën para fushate, thuhet se në këtë territor të gjelbër që u shërben studentëve mbi të gjitha si vend xhirimi dhe si kinema verore, ka për të sjellë TV Top Channel.
Kjo është hapësira për të cilën Akademia ndodhet sot në konflikt me shtetin. Në bazë të një vendimi qeverie nr. 1445 dt 29.10.2008, rektori Çashku është urdhëruar që të lirojë ambientet e shkollës brenda orës 13.00 të dt. 21.2.09. Për të sqaruar pozicionin e tij regjisori është kthyer tetë vjet pas, më 2001 kur mori iniciativën e hapjes së shkollës së parë të filmit "në atë mjedis ku denjësisht i takonte të ngrihej".
Këmbëngulja solli rezultatin e 4 tetorit 2004 kur me mbështetjen e kineastëve vendas dhe të huaj, dhe në bashkëveprim me qeveritë perëndimore, u hap kjo akademi që tashmë është akredituar nga shteti shqiptar, dhe është anëtare me të drejta të plota e CILECT, GEECT dhe SEEC (organizma ndërkombëtarë të akademive të njohura të botës së Filmit dhe TV).
Projekti i AFMM-së, u miratua e u hap me VKM Nr 652 dt 39.09.2004 dhe me VKM, nr 74 dt 04.02.2005, iu dhanë si fillim nga qeveria në përdorim për 10 vjet pa shpërblim një sipërfaqe prej 200 m2 në Kinostudio. "Që në atë kohe ne i kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme qeverisë legjitimitetin e plotë të hapësirës ku nuk na u ndalua të bënim investimet tona. Ne nuk kemi kërkuar kurrë të drejta pronësie mbi pronën publike, por kërkuam thjesht administrimin dhe ruajtjen e saj në mënyrë që askush të mos i ndërronte destinacionin si të godinës, ashtu dhe të sipërfaqes funksionale të saj. I kërkuam qeverisë një shtesë VKM-je mbi VKM-në ekzistuese, sepse sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, në 200m2 është e pamundur të zbatohet programi akademik. Nga viti 2004 deri më sot kemi pritur një zgjidhje të arsyeshme të qeverisë Berisha",- thotë regjisori me karrierë 35-vjeçare, në fjalën e tij drejtuar opinionit publik dhe "botës intelektuale" asnjë pjesë e së cilës nuk u duk dje pranë Marubit.
Ai kujton se AFMM nuk ka marrë asnjë qindarkë nga shteti shqiptar, përveçse në përdorim godinën e rrënuar dhe mjedisin e shkatërruar. Aty është investuar mbi gjysmë milion euro nga Orafilm dhe qeveri të huaja, nga shteti gjerman, francez, zviceran, vende të tjera evropiane dhe USA, të cilët kanë krijuar bazën materiale dhe infrastrukturën pedagogjike të AFMM-së. Sot aty studiojnë 30 studentë të cilët prodhojnë gjatë një viti afro 20 orë filma të metrazhit të shkurtër, të cilët u jepen falas televizioneve shqiptare.
"Është një universitet që financohet nga ambasadat, është një shkollë publike që ka investime evropiane dhe amerikane. Janë taksapaguesit evropianë që paguajnë për këtë shkollë. Janë vetë studentët që investojnë në jetën e tyre, dmth japin para. Dhe vjen shteti dhe tatimet dhe thonë se do marrim territoret. Ligji ynë nuk është i aftë të parashikojë një shkollë publike. Për të janë të gjitha biznese",- tha dje Elvis Hoxha, pedagog në "Marubi" i ndodhur në gardhin e atyre që mbronin nga policia dhe punëtorët e Albafilmit portën hyrëse të Akademisë. "Tani shteti shqiptar do patjetër t'ia marri frymën. Kjo shkollë është një ishull kulture. Njerëzit vijnë të enjten dhe shohin një film... Këto vendime i marrin njerëz që nuk e kanë vizituar ndonjëherë shkollën",- shton Hoxha.
Ndërsa drejtori Fatmir Musaj, nuk mund ta fshihte tensionin tek cigaret njëra pas tjetrës në pritje që situata të gjente vetiu një zgjidhje. "Më rezultojnë ambiente të miat dhe dua t'i liroj. Për këtë jam këtu sot",- tha Musaj. "Nëse pala që pretendon se po bëhet një diçka makabre që mua më duket se është një spekulim total, nuk ka fare të drejtë. Nëse ka të drejtë le t'i drejtohet gjykatës dhe çështja është e zgjidhur. Unë si institucion shtetëror marr masa të marr territorin tim që është okupuar tre vjet e pak kohë pa të drejtë, është grabitur. Unë nuk kam qënë në këtë institucion më parë, tani kam ardhur. E kam thirrur këtë subjekt disa herë, i kam bërë të qartë pozicionin tim dhe të tijin dhe pretendon atë që pretendon dhe s'më intereson. Problemi është fare i thjeshtë, ai ka një territor të paligjshëm dhe unë po mundohem t'ia kthej shtetit të ligjshëm. Kaq."
Nuk ka ndodhur ndonjëherë një presion dhe mbrojtje në këtë mënyrë në ambientet e ish- Kinostudios e cila sot është kthyer në një qytet televizionesh. Sa ç'është një konflikt në thelb ligjor, aq është edhe moral. "Marubit" i llogaritet e kundraligjshme përdorimi i një copë toke që është në funksion të dijes dhe arsimimit të të rinjve, kur vetë shkolla është një investim i rëndësishëm edhe material në një tokë djerrë siç ishte kthyer Kinostudio, shtoji përdorimin nga subjekte të tjera qëllimet e të cilave nuk do të krahasoheshin me atë që "Marubi" po i jep shoqërisë, pavarësisht se frytet e tij duhet të kemi durim t'i presim pak më vonë.
Ka reaguar ndërkohë edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit i cili ka bërë thirrje që të shmanget konfrontimi mes forcave të policisë, pedagogëve dhe studentëve të shkollës "marubi". Situata është qetësuar disi pasi ka mbërritur në vendngjarje Gjergji Jorgo, zv/drejtor i Policisë së Tiranës për Rendin dhe Sigurinë Publike, ndërsa muri i studentëve ka vazhduar të rrijë aty deri në orët e mbrëmjes. "Do vijë ora që do lodheni" u thonë ata jashtë. Ndonjë student thotë se megjithatë dihet fati i "Marubit". Nga kjo "dihet fati" nuk arrin të kuptosh asgjë. Në Shqipëri ka gjëra të çmuara që "fati" i rrokullis ose i mban në këmbë deri sa t'i lodhë, t'i rrëzojë në gjunjë dhe të thonë "ra vetë", i mbaruan fuqitë.

Vizioni antikulturor i qeverisë
Nga Kujtim Çashku


Jam i detyruar të vë në dijeni opinionin publik se shantazhi ndaj Shkollës "Marubi" ka buruar e buron nga vizioni antikulturor dhe vullneti i mbrapshtë politik i qeverisë.
Sugjerimet që kam bërë për shpalljen e Kinostudios "Qytet i Artit" dhe aplikimi i politikave policentriste kanë rënë në vesh të shurdhër dhe prona publike në Kinostudio prej 59.000 m2 ka qëndruar për 17 vjet rresht në mëshirë të fatit duke dëmtuar rëndë interesat publike.
Sugjerimet që kam bërë për shpalljen e Shqipërisë "Zonë e lirë" për kulturën dhe artin në tërësi si dhe çlirimin e tyre nga taksat fiskale e doganore (si në rastin e Irlandës) duke mos kuptuar se kultura dhe arti ndikon në ekonomi, janë refuzuar krejtësisht. Aplikimi i një politike strategjike "Public-Private-Partners", në veçanti për kulturën dhe shkollat artistike me karakter prodhues jofitimprurës, po kështu nuk kanë gjetur kurrfarë mbështetjeje nga politika shqiptare...
Nga të ardhurat e studentëve dhe karakteri prodhues që ka shkolla, ne nuk kemi mundësi praktike të paguajmë qeranë që na kërkohet nga qeveria,duke na cilësuar thjesht si biznes i rëndomtë a subjekt tregtar.
Në pjesë të të ardhurave të AFMM-së ne i investojmë në Shkollë dhe pjesën tjetër e japim në formë bursash falas për studentë të talentuar, por me kushte të kufizuara ekonomike...
Zotëri qeveritarë, ju doni të prishni një të mirë që është ndërtuar kur ende sot në Kinostudio janë mbi 60% e sipërfaqeve dhe objekteve të abandonuara të vjedhura e shkatërruara me qëllimin e vetëm për të shuar çdo gjurmë historike që lidhet me identitet kulturor e kombëtar.
Ju zotëri, të pushtuar nga një urrejtje patologjike, po bëni objekt sulmi akademinë e filmit "Marubi" dhe jo pafundësinë e garazheve, lavazheve, dhe godinave të dyllosura.
Qeveria sot po kërkon të blejë një nga kanalet më indipendent e filoperëndimor, "Top Channel", duke i dhënë qëllimisht një objekt ku janë bërë prej pesë vjetësh investimet e AFMM dhe qeverive perëndimore, duke futur kështu politikën e përçarjes mes kolegësh e institucionesh që kanë të njëjtin mision të emancipimit perëndimor të shoqërisë shqiptare.
Tashmë unë dëshiroj t'i drejtohem botës intelektuale shqiptare si pjesë e ndërgjegjes qytetare kombëtare që të solidarizohet me këtë akuzë ndaj antikulturës për të na shërbyer si një betejë përplasjesh kulture e civilizimi duke shmangur rrezikun taleban që sot na kanoset.
Ne jemi vend i vogël që kemi patur fatin e keq ngase ata që janë konsideruar të mëdhenjtë tanë dhe që kanë marrë përsipër të na udhëheqin në vite, kanë qenë vërtet njerëz të vegjël e me vizione mjerane kombëtare.
Koha e tyre po mbaron dhe e sot jemi prova e grahmave të tyre të fundit.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›