Në 6 muajt e parë të 2013-ës, shkollat e mesme të kryeqytetit do të monitorohen me kamera
Bashkia e Tiranës do të instalojë një sistem kamerash në të 76 shkollat e kryeqytetit, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe fëmijëve të kryeqytetit. Ky sistem kamerash do të lidhet me Policinë dhe do të mundësojë një monitorim të ambienteve të shkollave nga uniformat blu, në çdo kohë. Kjo iniciativë e Bashkisë, sipas Drejtorit të IT-së, z. Arbër Hysi, është në vijim të projektit “Për një Tiranë të sigurt evropiane”, nisur dy vjet më parë nga Ministria e Brendshme. Projekti pritet të nisë zbatimin, fillimisht në 15 shkollat e mesme të kryeqytetit.
“Si fillim mendohet të vendosen kamera në ambientet e oborreve të shkollave të mesme e më tej do të rishikohen nëse do të jetë e nevojshme vendosja e tyre edhe brenda shkollave. Në bazë të statistikave që janë mbledhur në oborret e shkollave, haset dhe problematika me e madhe e sherreve mes të rinjve apo e tregtimit të substancave të ndaluara.
Do të krijohet një lidhje e sigurt me sallën e kontrollit, e cila ndodhet në Drejtorinë e Qarkut të Tiranës dhe për çfarëdo lloj problematike që do të ndodhë në oborret e shkollës, Policia e Tiranës do të ketë imazhet në kohë reale dhe do të ndërhyjë në mënyrë të menjëhershme” – u shpreh z. Hysi.
Për një qytet më të sigurt, përveç kamerave të vendosura nëpër shkolla, gjatë vitit 2013 do të instalohen edhe 23 kamera në qytetin e Tiranës, që do i shërbejnë sigurisë në qytet.
“Këtij projekti do t’i bashkëngjiten 23 kamera, që janë në projektin e menaxhimit të trafikut nga Bashkia e Tiranës, që janë akset kryesore të cilat do survejohen, po kjo nuk do të jetë thjesht për trafikun por do të përdoret edhe për rendin e sigurinë. Bashkëngjitur këtyre 23 kamerave, Bashkia e Tiranës mendon që në 6 - mujorin e parë të 2013-ës, të përfundojë në gjimnazet e Tiranës, survejimi i ambienteve të brendshme të shkollës dhe të krijohet një sistem i tërë, që Tirana të jetë sa më e sigurtë dhe sa më evropiane” – theksoi z. Hysi.
...