E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mirëkuptojmë ambasadorët e huaj

Ka disa javë që nga ngjarjet e janarit, disa analistë, por edhe disa përfaqësues partish, kanë fi lluar të analizojnë shprehjet, ndërhyrjet, qëndrimet me deklrata të disa ambasadorëve të akredituar në Tiranë, sidomos të ambasadorit të SHBA-së e të OSBE-së. Madje kanë arritur dhe t’i keqinterpretojnë deklaratat e tyre dhe të arrijnë edhe t’i kritikojnë disa shprehje apo ndonjë fjalë a rresht të deklaratave të tyre. Nuk po ndalem në atë që kanë thënë disa analistë a përfaqësues të partive politike për ambasadoret, pasi ato janë shkruar në të gjitha gazetat e janë dëgjuar në emisionet e lajmeve dhe në emisionet e debatit televiziv në të gjitha televizionet kombëtare.
Analistët e debateve të ndryshme dhe përfaqësues të partive nuk mund të harrojnë se këta ambasadorë janë në radhë të parë përfaqësues të shteteve të tyre, mbrojnë interesat
e politike, ekonomike, kulturore, ushtarake, të informacionit dhe të shtetasve të shteteve të tyre. Secili nga këta ambasadorë përpiqet të ndërtojë marrëdhënie sa me të mira me vendin tonë në të gjitha fushat; të ketë marrëdhënie të mira me drejtuesit, politikanet,biznesin, shoqërinë civile, mediat, por dhe me një rreth sa me të gjerë njerëzish të artit, kulturës, prodhimit, që të arrijë të kuptojë mentalitetin e vendit e të popullit, doket e zakonet, historinë e ta konsiderojë veten pjesë e vendit ku është i akredituar sa kohë do jetë në detyrë, pasi vetëm kështu ai mund ta kryej mirë detyrën e tij, mund të influencojë për njohjen sa më të mirë të vendit të tij në vendin ku është ne mision. Ne se ai e arrin këtë, ai mbetet mik i vendit ku ka shërbyer si ambasador
Ambasadori, sa është në detyrë, flet vetëm në emër të shtetit të tij. Mesazhet që përcjell tek drejtuesit e vendit pritës janë gjithnjë konfidenciale. Konfidenciale janë dhe mesazhet që u përcjell drejtuesve te tij. Qëndrimet që mban në publik, në fjalimet e tij mesazhet qe transmeton nuk janë personale.
Nga njohja e realitetit të vendit ku shërben, perceptimi personal që u bën ndodhive me të cilat ndeshet, varet shumë dhe interpretimi qe u bën drejtuesve te vendit të tij. Ambasadori i kujdesshëm ruan ekuilibrin në interpretimin e mesazheve që dërgon. Ai nuk dërgon tek drejtuesit e tij çdo gjë që sheh, që dëgjon, që i thuhet pa i verifikuar mirë dhe i shmanget shumë interpretimit personal. Ambasadori arrin të imponohet me qëndrimet e tij tek drejtuesit e tij, kur ka arritur të shkrije mentalitetin e tij me mentalitetin e vendit ku shërben, pra kur ka arritur të njohë mirë jo vetëm qëndrimet dhe interesat e drejtuesve të shtetit ku shërben, por dhe mentalitetin e tyre, hobitë, mënyrën e shprehjes, mënyrën e komunikimit, mënyrën e interpretimit,seriozitetin e thënieve e deklaratave publike, apo mesazheve konfidenciale, kur ato janë me mesazhe direkte e kur ato janë me domethënie të largët, etj.
Dhe ambasadori është njeri, ka simpati, antipati, ka edhe qëndrime personale, që shpesh varen nga njohja e tij e realitetit ku ka ardhur për të shërbyer, nga aftësia për të interpretuar e përafruar mentalitetin e vendit ku shërben me atë të tijin, pasi mentalitetet e mënyrat e shprehjes nuk janë njëlloj në të dy vendet e dhëna. Ambasadori si çdo njeri ka halle, ka gëzime e hidhërime, ndonjëherë nuk i shkojnë mirë gjërat personale apo në familje, etj. Dhe këto duhen mbajtur parasysh në sjelljet e qëndrimet e tij. Ndodh shpesh që ambasadori përpiqet te komunikoje, në sajë të detyrës së tij, vetëm në forme zyrtare dhe mënjanon anën jo zyrtare. Kjo ndodh kur nuk ka me simpati personale për këtë apo atë lider apo person publik të vendit ku shërben. Dhe kjo është normale. Nuk mund ta detyrosh ambasadorin e një vendi të sillet me dashamirësi më ketë apo atë lider apo politikan, kur nuk është arritur një respekt reciprok dhe marrëdhënie njerëzore, që janë alfa për çdo ambasador. Secili ambasador e ka të natyrës së punës paraqitjen e vlerave njerëzore të komunikimit me personalitetet e vendit ku shërben, ndryshe ai nuk mund ta kryej detyrën e tij si ambasador. Pa vlera njerëzore, nuk mund të jetë dhe profesionist.
Shpesh ndodh që simpatitë dhe antipatitë midis ambasadorit dhe ndonjë drejtuesi apo politikani të vendit ku ai shërben të lozin rrol në marrëdhëniet midis dy vendeve, për mirë ose për një farë ftohjeje. Këto nuk bëhen publike, por opinionistë i vëmendshëm e realizon një ndikim të tillë. Një gjë e tillë fillon të manifestohet që nga vizitat reciproke të liderëve, deri tek aspektet e marrëdhënieve ekonomike, politike etj. Ne këtë rast kërkohet ri-ekuilibrim të gjerave, që marrëdhëniet midis dy vendeve të mos pësojnë ftohje. Në fakt secili vend mendohet mirë për emërimin e ambasadorit, pasi aftësitë e tij njerëzore e profesionale ndikojnë për mirë ose për ftohje të mëtejshme të marrëdhënieve.
Por asnjë ambasador në Shqipëri nuk mund të jetë fajtor për interpretimet e mesazhet që përcjell në publik. Nuk mund të jetë përgjegjësi e ambasadorit nëse analisti në debat televiziv është i krahut të djathtë apo i krahut të majtë, është mbështetës i hapur apo i fshehur i qeverisjes apo i opozitës. Asnjë analist apo politikan nuk mund ta konsiderojë simpatinë apo antipatinë e ambasadorit si simpati apo antipati për këtë apo atë parti politike, për këtë ministër apo drejtues i një partie.
Nuk janë fajtorë ambasadorët për situatën e tensionuar që është krijuar në Shqipëri. Kam shkruar disa ditë më parë se ekuilibri politik në Shqipëri është prishur. Ambasadorët ndihmojnë të arrihet përsëri ekuilibri, pasi kjo është në të mirë të vendit, në të mirë të çdo njeriu që jeton në këtë vend. Ambasadorët nuk e ushqejnë gjuhën e urrejtjes që flitet në muajt e fundit në Shqipëri nga partitë politike. Forcat e qeverisjes mundohen të thonë se çdo gjë është normale. Po të ishte kështu nuk do kishte nevojë të përdorej gjuha e kërcënimit apo ajo e sharjeve dhe e urrejtjes. Partitë e opozitës flasin se çdo gjë të keqe në këtë vend po e krijojnë partitë e qeverisjes, drejtësinë në këtë vend nuk e mban dot vetëm një parti, apo vetëm një njeri. Politikanët sot janë mësuar nga kohë që të thonë se secila nga këto parti ka të drejtën me vete dhe çdo mendim i shprehur nga kjo apo ajo parti është e drejta vetë.
Në këtë gabim të këtyre politikanëve apo partive kanë rënë dhe analistët e debateve televizive apo të mediave të shkruara. Dhe këta në mënyrën e tyre kontribuojnë që ekuilibri i politikës të vendoset me vështirësi. Bëhen nga këta analiste lloj-lloj sofizmash, thuhen lloj-lloj interpretimesh, por kurrë argumente bindëse, për të marrë në mbrojtje këtë apo atë lloj politike të kësaj apo asaj partie dhe harrojnë se ky kontribut është shumë i dëmshëm për vendin, për njerëzit, që kërkojnë qetësi, që kërkojnë përpjekje të përbashkëta të përmirësohet ekonomia që të përmirësohet jeta dhe të likuidohet varfëria që po i kërrus njerëzit.
Cili faj është i ambasadorëve? Asnjë faj. Çfarë mesazhesh pergjelin ambasadorët e SHBA, BE-së, OSBE-së? Ata thonë se të dy kampet, apo koalicionet e formuara,(pasi partitë e vogla nuk mund të konkurrojnë më të vetme në zgjedhje, pasi marrëveshja midis dy partive më të mëdha dy a tre vjet më parë i ka përjashtuar nga rroli kontribuues direkt për zbutjen e tensionit) duhen të merren vesh për të tejkaluar ngërçin politik, që është duke penguar realisht marrjen e statusit kandidat, i cili do ta ndihmonte Shqipërinë ekonomikisht dhe do hapte me shumë tregun shqiptar për investime të huaja. Pra kërkojnë marrëveshje, pra kërkojnë kontribut të dy koalicioneve, kërkojnë dialog. Vetëm bëhet monologu, që zakonisht bëhet në teatër, apo nga çdo njeri që mediton me veten. Vetëm, asnjë koalicion nuk mund të arrijë as të qetësojë tensionin politik të krijuar,as krizën qe po vazhdon, as të përmirësojë me tej demokracinë e brishtë të vendit tonë, as forcimin e institucioneve të pavarura, as forcimin e shtetit ligjor, as luftën kundër korrupsionit, as luftën kundër varfërisë,që harrohet shpesh. Vetëm, asnjë koalicion nuk mund t’i plotësojë vërejtjet e ODHIR-it, nuk mund te realizojë transparencën e zgjedhjeve, ndershmërinë e zgjedhjeve, të eliminojë vjedhjen e votës, në zgjedhjet që po afrojnë. Vetëm, asnjë nga dy koalicionet nuk i mban dot në kontroll problematikat që ka vendi, që t’u japë zgjidhje. Vetëm, asnjë nga koalicionet nuk mund të kërkojë të realizojë garanci. Garancia për njërën apo tjetrën palë arrihet ne zhvillimin e procesit demokratik , ku duhet të kontribuojnë të dy koalicionet. Demokracia është proces që përsoset me vullnet politik të dy koalicioneve. Dhe transparenca nuk realizohet pa proces të vazhdueshme me vullnet politik të dy palëve. Këto kërkon ambasadori amerikan, ai i BE-së, ai i OSBE-së. Pra ata kërkojnë vullnet politik për të bashkëpunuar që të forcohet demokracia sipas standarteve të BE-së ku duhet të hyjmë, por siç po sillen këto dy koalicione, vështirë që të jemi në rrugën e drejtë për të qenë vend kandidat. Nuk do jemi vend kandidat, po nuk u arrit ky vullnet për t’i bërë bashkë gjërat. Sot, kur ky popull po lëviz lirisht nëpër Europë dhe po sheh se gjërat e mira mund të bëhen dhe ne Shqipëri, vështirë që ndonjë njeri me mend të pranojë çfarë thotë ndonjë orator i njërës apo tjetrës palë.
Analistët e debateve televizive, që janë po ato, apo ndonjë politikan, që nuk di tjetër veç të përsërisë çfarë thotë ky lider apo ai lider, duke menduar se në këtë vend ka vetëm dy personalitete dhe të tjerët janë pa vlerë, sikur ky vend nuk ka elitë intelektualë, që e kanë lënë të abandonuar prej kohesh, nuk bëjnë gjë tjetër por thellojnë më shumë me analizat e tyre këtë ndarje që kanë bërë të dy koalicionet. Nuk kemi dëgjuar argumente nga këta analistë për problemet që ngrenë ambasadorët, nuk kemi dëgjuar përpjekje nga ana e tyre për të zbutur gjuhën e urrejtjes e mllefit, nuk kemi dëgjuar nga këta analiste të kërkojnë vullnet politik të dy palëve për të zgjidhur problematikën e krijuar, për të kërkuar realizimin e atyre ideve që kërkojnë të dërguarit e SHBA dhe të BE-së këto muaj në Tiranë, por mundohen të analizojnë se si u përkrah Berisha apo Rama nga ky apo ai i dërguar.
Çfarë bëjnë në realitet këta analiste? Ne mënyrën e tyre kontribuojnë në vazhdimësinë e tensionit, krizës, ndarjes, mungesës së vullnetit politik, që i duhet vendit për të përballuar vazhdimin e zhvillimit ekonomik, që të luftohet varfëria e këtij populli dhe t’i afrohemi BE-se . Ku është faji i ambasadorëve që po përpiqen që forcat politike të mësojnë rrugën e bashkëpunimit në interes te vendit dhe të këtij populli, që është akoma i varfër dhe konsumon politikë dhe gojëtarinë shpesh të bezdisshme, të pa kontrolluar e pa ekuilibër të disa liderëve politikë. Ka shumë mllef në këtë vend. Ky mllef dëmton dhe vetë partitë, nuk i bën më bindëse, për pasojë do t’i largohen intelektualët që nuk mund të jenë bashkëpunëtorë për konflikte te vazhdueshme dhe këtyre partive do t’u mbeten vetëm militantët, që u shkojnë pas për poste e përfitime.
Ndoshta analistet, disa politikane, do të kuptojnë se ambasadorët ndjejnë detyrën të ndihmojnë politikën shqiptare të gjejë rrugën e dialogut, që të punojnë të bëhet më i fortë ekonomikisht dhe politikisht shteti shqiptar, pasi ka shumë sfida kombëtare përpara. Në se do jetë kështu, do të arrijmë të shohim në të ardhmen e shpejtë ndryshime cilësore në kontributin për të realizuar mesazhet miqësore për këtë vend të ambasadorëve të vendeve miq.
Nuk mund të jetojë më Shqipëria si në kohën e bajraktarëve, të fiseve, të tribuve dhe jo të një komuniteti të tërë shqiptarësh,qe vetë këtu, do e ndërtojë Shqipërinë europiane. Ne nuk na ndërton Europa, ne do ta ndërtojmë Europën në Shqipëri. Këto janë dhe mesazhet e ambasadorëve të nderuar analiste e politikane. Ndaj kërkohet të mos ketë ndarje te reja, mllefe pa fund, urrejtje, përjashtime, por vullnet politik për ta bërë demokracinë funksionale, parlamentin funksional, transparencën funksionale, institucionet e shtetit funksionalë, kushtetutën realisht të zbatueshme. Kjo situatë të nderuar analistë nuk mund të vazhdojë kështu. Ju bëni analiza, kritikoni këtë apo atë lider, por analizoni dhe rrugëdaljet për interesat madhore të vendit. Ndoshta duhen thirrur me shume intelektuale të kontribuojnë. Këtij vendi nuk i mungojnë intelektualet të vjetër apo te rinj dhe urojme qe mos kontribuohet më për krizat qe po jetojmë këto dy vjet. Ndoshta ka ardhur koha për një parti të re që të mendojë për Shqipërinë e shqiptarët, që të mos mbeten të ndarë e të fundit në Ballkan dhe në Europë. Intelektualë duket se Shqipëria ju kërkon të mos qëndroni me një anë shpresojmë.

*Autori ka qenë ambasador në Greqi dhe në
Republikën Çeke

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›