E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te miturit e dhunuar zyra monitorimi dhe ne komuna

Në Shqipëri 12 përqind e fëmijëve shfrytëzohen për punë. Duke qenë se niveli i abuzimit me të miturit po rritet ndjeshëm, Ministria e Punes dhe Agjencia për Mbrojten e të Drejtave të Fëmijëve, kanë parashikuar ngritjen e zyrave të posacme për çdo qark, bashki dhe komunë të vendit. Në një takim me drejtues të pushtetit vendor, Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera tha se këto zyra do të monitorojnë në terren situatën. Ksera tha se pasi të identifikohen të miturit e abuzuar, do të jetë më e thjeshtë të merren masa për personat që i shfrytëzojnë ata.

"Krijimi dhe forcimi i strukturave të specializuara për mbrojtjen e fëmijëve në nivel vendor është një masë mëse e nevojshme. Me gjithë punën që është bërë, ende sot shqetësim kryesor ngelet puna e fëmijëve, shfrytëzimi për përfitime ekonomike, abuzim ky që i hap rrugë mohimit të disa të drejtave të tjera shumë themelore për fëmijët. Përballja me këtë fenomen do të jetë në krye të axhendave të secilit prej nesh. Por strukturave që funksionojnë në njësitë vendore u bie pesha më e madhe", tha Spiro Ksera, Ministri i PCSSHB.

Detlef Palm, kreu i UNICEF-it që mbështetet këtë sipërmarrje, tha se shkelja e të drejtat të fëmijëve nuk është vetëm fenomen shqiptar. Sipas tij, strukturat e reja që priten të ngrihen në Shqipëri, duhet të punojnë për të zbutur fenomenin.

"Sigurisht që njësitë e mbrojtjes së fëmijëve që janë në nivel komunal dhe bashkiak do tu sigurojnë shërbime fëmijëve që janë në disavantazh me të tjerët, apo janë në rrezik. Detyra është ti identifikojmë këto raste dhe tu japim ndihmën direkte fëmijëve me të cilët abuzohet, kequshqehen dhe që nuk shkojnë në shkolla. Njësitë e mbrojtjes do të ndjekin rastet e fëmijëve me probleme në terren", tha Detlef Palm, Drejtor i UNICEF.

Ndërkohë në botë shifrat e fëmijëve që detyrohen të punojnë janë alarmante. Statistikat e fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës thonë se 215 milionë fëmijë punojnë dhe afro gjysma e tyre janë të përfshirë në punë shumë të vështira.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›