E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu i Kosoves i qete pas operacionit te KFOR

Situata në veri të Kosovës, pas operacionit të djeshëm të KFOR-it për largimin e barrikadave rrugore, është e qetë. Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki u shpreh se në përgjithësi situata në pjesën veriore të Kosovës është pa incidente dhe se do të vazhdohet me operacionet për të garantuar një lëvizje të lirë. 

“Natyrisht që KFOR-i do të vazhdojë operacionin e tij për lëvizjen e lirë në veri të Kosovës, ashtu siç është me mandatin tonë. Për momentin nuk di se ka filluar ndonjë aksion për largimin e barrikadave të tjera, por po përsëris që gjithçka do të bëhet për lëvizjen e lirë të njerëzve”, citohet Novicki.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha se trupat e KFOR-it kanë larguar përfundimisht barrikadën mbi urën e fshatit Zupç. “...edhe pse këtë barrikadë KFOR-i e kishte vënë nën kontroll gjatë ditës, për shkaqe teknike dhe fortësisë së materialit që ishte vendosur aty, është dashur të porositen pajisje të veçanta për të zhbllokuar rrugën”, bëri të ditur Hoti.

Serbët e zonës kanë vazhduar të qëndrojnë pranë barrikadave, madje në pjesën veriore të vendit ka pasur lëvizje tё mobilizuara dhe të organizuara serbёsh nga Leposaviqi, Zveçani e Zubin-Potoku, nё drejtim tё Jagenjicёs. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe zëdhënësi i policisë, Besim Hoti. Ai deklaroi po ashtu se në të gjitha barrikadat në veri ka pasur grupe serbësh që kanë qëndruar gjatë gjithë natës. “Në veçanti, në pjesën ku KFOR-i ka pasur dje aksione, është vërejtur një prezencë më e shtuar e qytetarëve.

Në mbrëmje ky numër ka qenë më i vogël, por ka pasur prezencë gjatë tërë natës”, tha Policia e Kosovës e cila garantoi se është e gatshme për të reaguar në çfarëdo situate që mund të paraqitet gjatë ditës ose edhe nëse kërkohet nga KFOR-i.

Që pas fillimit të aksionit të KFOR-it për largimin e disa barrikadave në veri të Kosovës mbetën të plagosur 8 pjesëtarë të KFOR-it dhe rreth 22 protestues serbë. Aksioni i KFOR-it pasoi mungesën e një marrëveshjeje në mes të paqeruajtësve dhe përfaqësuesve të serbëve që ata vetë të largonin barrikadat. 

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›