Të mos falsifikohet regjistrimi i popullsisë

Partitë shqiptare të opozitës po vazhdojnë tentativat e tyre për të mos lejuar abuzimin dhe falsifikimin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni.
“Demokracia e Re” ka shprehur shqetësimin sot duke theksuar se Maqedonisë i kanoset një regjistrim manipulativ, joreal dhe jo transparent.
Zëdhënësi i “Demokracisë së Re”, Arajnit Hoxha, thotë se vete fakti se regjistruesit shqiptar në Saraj, Tetovë, Zajaz, Strugë do ti bashkëngjitet nga një regjistrues maqedonas, ndërsa në Likovë nga një serb, flet qartë se Qeveria nuk iu beson regjistruesve shqiptarë dhe shqiptarët i konsideron si qytetarë të rendit të dytë.
Nga ana tjetër, edhe “Partia Demokratike” e Shqiptarëve në Maqedoni ka vendosur të bëjë një regjistrim paralel të shqiptarëve, përpara se këtë proces ta bëjë Enti Shtetëror i ngarkuar me këtë detyrë.
Ndërkohë, Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi i bëri thirrje sot Komisionit Shtetëror për Regjistrim (KSHR) që të respektojë ligjin, respektivisht nenin 34 ku në mënyrë precize thuhet se Komisioni në fjalë, duhet të respektojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të regjistruesve nëpër komuna dhe nëpër rajone të regjistrimit.
Ai tha se, ende beson se do të do të tejkalohen mosmarrëveshjet në Komisionin Shtetëror për Regjistrim.