E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkel Veriun

Behgjet Pacolli kaloi këmbë urën mbi lumin Ibër, duke u bërë Presidenti i parë i vendit që shkel në Veri. Në këtë mënyrë, Pacolli shkeli edhe kolegët e tij politikanë, të cilët në 10 vjetët e fundit u shfaqën rrallë andejpari. Ai tha se do t’i luftojë bandat dhe kriminelët në atë pjesë, derisa qytetarëve u premtoi se askush nuk do të guxojë t’i prekë me gisht. Nga Shpend Limoni më 27 shkurt 2011 në ora 09:05

Behgjet Pacolli të shtunën ka bërë diçka që nuk e kanë bërë politikanët kosovarë për më shumë se një dekadë.

Ia ka mësyrë këmbë veriut të Kosovës dhe ka arritur të shkojë atje, duke kaluar urën e famshme mbi lumin Ibër-simbol i ndarjes së qytetit të Mitrovicës gati për 12 vjet.
Pacolli ka kaluar në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, derisa për sigurinë e tyre janë kujdesur forca të shumta të Policisë së Kosovës dhe ato të EULEX’it.

Kalimi matanë urës është bërë pa ndonjë incident, edhe pse kjo pikë viteve të fundit ka shërbyer si arenë përplasjesh dhe incidentesh mes shqiptarëve dhe serbëve.
Shqiptarët e atjeshëm i kanë duartrokitur Pacollit, derisa serbëve nuk u ka rënë shumë në sy kjo vizitë.
Pacolli, i cili është zgjedhur President i vendit të martën e kaluar, në një votim për shumëkënd të parregullt, ka gëzuar banorët shqiptarë përtej lumit.
“Zoti nuk na ka harruar, se këta kolegët tuaj po. Ne kurrë nuk kemi njohur as kryetar të Mitrovicës as askënd tjetër, ju jeni i pari që keni ardhur në këtë pjesë“, i ka thënë një banore e lagjes “Tre rrokaqiejt” Presidentit të ri.

Kjo ankesë ka nxitur Pacollin, i cili ka thënë se “do t’i luftojmë” bandat dhe kriminelët në veri.

“Jeni pjesë e halleve tona, ndjejeni veten gjithmonë qytetarë të barabartë të Kosovës. Krejt bandat, kriminelët të cilët e pengojnë jetën normale në këtë anë, ne do t’i luftojmë me vendosmëri. Dhe, ju them, se në të ardhmen askush nuk guxon ta çojë gishtin ndaj asnjë banori, pa marrë parasysh cilës etni i takon. Ju jeni pjesë e Kosovës, jeni të mbështetur shumë nga institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

Ka pasuar edhe një mesazh për të gjithë banorët e kësaj pjese të vendit, që praktikisht vazhdon të mbetet e ndarë nga pjesa jugore e territorit.

“Ishim në këtë anë që pak a shumë t’i përkrahim banorët e kësaj ane, pa marrë parasysh kujt i përkasin, cilës fe apo kombësi i përkasin. T’u tregojmë se janë pjesë përbërëse e Kosovës, janë qytetarë të Kosovës, të ndihen mirë dhe t’u themi se edhe këtu mbretëron ligji dhe jemi të përkushtuar t’ua përmirësojmë jetën këtyre qytetarëve edhe në këtë anë”, ka thënë Pacolli.
Përveç mesazhit, ai ka bërë edhe një premtim.

“Unë po ju premtoj se në këtë mandat, në mandatin pesëvjeçar, bashkë me njerëzit e Qeverisë së Kosovës, bashkë me njerëzit e Kosovës, njerëzit që ia duan të mirën Kosovës, e duan Kosovën, ne edhe në këtë anë do të kthejmë rendin dhe ligjin. Ligji do të jetë mbi të gjithë dhe kjo pjesë, qytetarët e kësaj pjese, do të ndihen si pjesë plotësisht përbërëse e Kosovës”.

Pacolli ka theksuar se për të nuk ekziston termi veri ose jug.
“Ishim edhe në këtë anë të Kosovës, këtë anë të lumit, pasi që për mua nuk ekziston termi veri apo jug, ekzistojnë vetëm termat gjeografikë dhe jo politikë dhe administrativë”.
Çështja e veriut mund të jetë objekt bisedimesh mes Prishtinës dhe Beogradit, edhe pse agjenda e dialogut ende nuk është përgatitur.
Pacolli nuk ka folur shumë rreth agjendës së bisedimeve.

“Sot është një ditë shumë e bukur, flasim për hallet e qytetarëve të Mitrovicës. Grupi për bisedime është në formim e sipër dhe ata kanë agjendën e vet, një agjendë e mbështetur nga miqtë tanë ndërkombëtarë, nga Qeveria e Kosovës dhe, normalisht, edhe nga Presidenca. T’i lëmë që ata të veprojnë me agjendën e vet”, ka thënë ai.
Për veriun ka folur edhe Ministri i Brendshëm, Rexhepi.

“Gradualisht, me një punë të përbashkët, krejt territori i Kosovës do të jetë unik, do të vlejnë ligjet e Kosovës”, ka thënë Rexhepi

Ai ka folur për planet e Pacollit, duke thënë se ato përfshijnë sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.

“Në rend të parë sundimi i rendit dhe ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Këto do të jenë si synime strategjike në të ardhmen, që të bëhet integrimi i mirëfilltë edhe i qytetarëve, jo vetëm integrimi administrativ”, ka thënë Rexhepi.
Ministri i Brendshëm të shtunën ka shërbyer edhe si një ciceron i Pacollit, duke i folur atij për realitetin verior.

Pacolli dhe Rexhepi më pas kanë shkuar në shtëpinë e këtij të fundit, në Suhadoll, që po ashtu ndodhet në pjesën veriore.

Presidenti nuk u kthye nga ajo pjesë e Kosovës pa bërë edhe një premtim tjetër.
Tha se në veri do të kthehet sërish.

“Për mua ishte hera e parë si President i Kosovës që ta kaloj urën. Përpara unë e kam kaluar këtë urë dhe po ju premtoj se edhe shumë herë të tjera ne do të vijmë në këtë pjesë të Kosovës. Këta qytetarë këtu e meritojnë këtë dhe ne do të jemi pjesë e halleve të këtyre qytetarëve këtu”, ka thënë Pacolli.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›