E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ndarë për Kosovën

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Podgoricës dhe Prishtinës do të mund të thellonte ndasitë në kreun shtetëror e partiak në Malin e Zi.

Sipas deklaratave të pushtetarëve të lartë, pos mosmarrëveshjeve të tjera qëndron e hapur edhe çështja e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.
Për arsyet e sipërpërmendura në njërën anë janë gjetur Kryeministri Milo Djukanovic, pastaj Kryeparlamentari Ranko Krivokapic dhe Ministri i Jashtëm Rocen, derisa në anën tjetër qëndrojnë Nënkryetari i partisë dhe Presidenti i vendit Vujanovici dhe Zëvendëskryeministri Svetozar Marovic.

Djukanovic ka përsëritur se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të revidohet dhe se të bëhet fjalë tash për këtë paraqet “humbje kohe”. Ai ka paralajmëruar edhe shkëmbimin e ambasadorëve me Prishtinën në një periudhë të afërt dhe para marrjes së mendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në tone afërsisht të njëjta kanë dhënë deklarata edhe Kryeparlamentari Krivokapic dhe Shefi i diplomacisë Rocen.

Në anën tjetër, Presidenti Vujanovic ka thënë se urdhrin për emërimin e ambasadorit në Prishtinë do ta nënshkruajë vetëm pasi të jetë njohur pakica malazeze në Kosovë dhe kur asaj pakice t’i sigurohet prezantim autentik.

Njëkohësisht, ai ka porositur se Kosova duhet të krijojë kushtet për kthimin e të ikurve dhe të shpërngulurve. Marovic, ndërkaq, ka shtuar se marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën nuk do të vendosen para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›