Të nderuar drejtues të prefekturës së Shkodrës, Të nderuar deputetë, Miq e të ftuar, Tek Shkodra dhe gjithë zona e saj përreth, të gjitha qeveritë shqiptare të mbas luftës kanë akumu

Të nderuar drejtues të prefekturës së Shkodrës,
Të nderuar deputetë,
Miq e të ftuar,
Tek Shkodra dhe gjithë zona e saj përreth, të gjitha qeveritë shqiptare të mbas luftës kanë akumuluar një borxh të madh moral. Sepse për një kompleksitet arsyesh, vëmendja dhe interesi për të nuk ka qenë në atë nivel që t'i përgjigjej resurseve, nevojave, por dhe traditës së vyer së saj. Në rastin më të mirë, Shkodra është kundruar si skaj periferik dhe si e tillë, shpesh ajo ka pasur një vëmendje po periferike nga strukturat vendimmarrëse shqiptare.
Për këtë shkak dhe jo vetëm për këtë, ndjesa e politikës në Shkodër është një gjest i domosdoshëm. Unë besoj se futja përfundimtare e politikës në rregullat e lojës në pluralizëm, normaliteti i saj, ulja e tensioneve të panevojshme dhe fryma e bashkëpunimit, pavarësisht ngjyrave partiake, janë një shans i padiskutueshëm që dhe Shkodra të marrë atë që i takon Shkodrës.
Zgjedhjet e parakohshme në Bulqizë për një vend në Kuvendin shqiptar demonstruan pikërisht këtë frymë të re normale të konkurimit politik. Nga informacionet paraprake kanë munguar incidentet dhe gjithçka është zhvilluar konform ligjit në leximin e vullnetit të votuesit në këtë zonë. Po këto informacione, shpallin paraprakisht Partinë Socialiste fituese, por pa dyshim fituesi i vërtetë i këtij testi elektoral është statusi i qytetarisë e civilizimit në një proces zgjedhor. Dhe ky është shansi i madh që gjithë vendi pret të marrë nga politika shqiptare.
Të nderuar miq,
Kam kënaqësinë të shoh në këtë takim përfaqësuesit e pushtetit lokal të qarkut të Shkodrës dhe drejtuesit administrativë të saj të gjithë bashkë, të gatshëm për të diskutuar dhe debatuar, pavarësisht përkatësisë partiake, për të përpunuar vizionin për të nesërmen e kësaj zone.
Unë nuk dua të përmend frazën standarte "Ju jeni në vëmendjen e qeverisë shqiptare", por të komentoj se shifrat e investimeve të deritanishme, prirja për rritjen e tyre në të ardhmen dhe projektet që janë në diskutim, e vendosin realisht qarkun e Shkodrës në qëndër të vëmendjes së qeverisë shqiptare. Kjo mund të shihet jo vetëm si kthim i borxhit moral të përmenda në fillim, por si një riformulim i politikave strategjike ekonomike, rivlerësim objektiv i vendit dhe rolit që ky qark ka tashmë për të gjithë vendin.
Natyrisht qarku i Shkodrës reflekton të gjitha ato vështirësi e problematika që njeh shoqëria shqiptare në këtë tranzicion të gjatë e të vështirë, por specifikat e tij, kërkojnë po një ballafaqim specifik. Ne njohim dhe kemi ndjeshmërinë më të lartë ndaj problematikave ekonomike dhe sociale të qarkut, papunësinë e lartë, gjendjen e rënduar të infrastrukturës rrugore, në ujësjellësa dhe kanalizime, furnizimin me energji elektrike, prani të ulët të kapitaleve të huaja, vështirësitë për tretti me jashtë e të tjerë.
Si kryeministër dua të vlerësoj bashkëpunimin midis pushtetit qëndror dhe atij lokal, ta konsideroj atë si të frytshëm dhe të pres intesifikimin e tij të mëtejshëm në dobi të gjithë komunitetit, në shërbim të seriozitetit e ndjenjës së përgjegjësisë përballë votuesit.
Dëshiroj të ndalem në tre probleme kryesore dhe të jem i hapur për të gjitha diskutimet që prekin fushat e tjera të jetës në këtë qark.
Fillimisht dua të ndalem në çështjen e rivendosjes përfundimtare të rendit. Padyshim është tejkaluar situata e rëndë e mbartur nga viti 1997, kur frika, paniku dhe kallashnikovët e bandave bënin ligjin në këtë zonë. Krahasuar me vështirësitë e asaj kohe, kemi mundësi të thoshim se jemi mirë sepse e keqja nuk ka fund. Por as e mira nuk ka fund dhe për këtë shkak, unë do ta konsideroja gjendjen e rendit në këtë qark rishtaz problematike.
Ka ende shumë krime kundër jetës së individit dhe pronës. Vrasjet për gjakmarrje vazhdojnë të veshin nëna me të zeza, të ngujojnë qindra familje të cilat nuk mund të kenë një jetë normale. Jo shumë larg që këtu ka fëmijë që nuk guxojnë të shkojnë në shkollë se i pret plumbi, ka toka të lëna djerë se nuk ka kush t'i punojë, ka uri sepse nuk mund të fitohet normalisht buka e gojës. Gjakmarrja është një koncept që nuk mund të luftohet vetëm nga shteti, por shteti ende nuk ka plotësuar detyrës e tij ndaj të qeverisurve deri sa nuk ka mundur që të garantojë plotësisht drejtësinë, që përfundimisht krimi të shpaguhet me anë të ligjit, që drejtësinë nuk mund ta vendosë individi, që të tkurret dhe të zhduket përfundimisht ky zinxhir gjaku e krimi.
Dëshiroj të theksoj se pushka që shkrehet për gjakmarrjen në Shkodër dëgjohet po aq e zhurmshme dhe e dhembshme edhe në zyrat tona në Tiranë.
Ndaj kam kërkuar në vijimësi nga Ministria e Rendit intesifikimin e punës për parandalimin e këtyre krimeve e për të gjetur ato mekanizma që e bëjnë komunitetit aleat në këtë përpjekje që natyrisht nuk ka filluar sot dhe që nuk mund të përfundojë nesër.
Sipas statistikave, sot ka më pak armë në duart e popullatës civile, por ende niveli i mbledhjes së tyre është larg asaj që kërkojmë. Nisma të tilla si dhënia e armëve në këmbim të zhvillimit, në Shkodër mund të gjejnë terren ideal për t'u zhvilluar.
Si kryeministër unë kërkoj që të rritet shkalla e bashkëpunimit midis policisë dhe strukturave të të zgjedhurve lokalë, si dhe t'ju informoj se do të ushtroj maksimumin e ndikimit pozitiv që ekzekutivi shqiptar ka tek sistemi i drejtësisë, si pjesë e gjithë përpjekjeve tona për një Shkodër më të qetë nga pikpamja e rendit dhe sigurisë publike, çka do të thotë më shumë punë, më shumë investime, më shumë kujdes për arsimin dhe shëndetin.
Të nderuar miq,
Investimet për qarkun e Shkodrës gjatë qeverisjes socialiste kanë njohur një dinamikë të qartë rritjeje, por do të rezervohesha të thosha se të njëjtën dinamikë ka pasur dhe efektiviteti i zbatimit të tyre në praktikë.
Megjithatë dëshiroj t'ju vë në dispozicion disa të dhëna që kanë të bëjnë me ndërhyrjet financiare të natyrës emergjente, por dhe normale që janë realizuar dhe pritet të realizohen në qarkun e Shodrës.
Kështu, nëse në vitin 1999 u numuruan 485 milionë lekë investime, në këtë vit janë planifikuar të ndërhyhet me 2019 milion lekë investime.
Ato do të përqëndrohen kryesisht në infrastrukturë, në garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm të popullatës, në energjitikë, bujqësi, arsim, shëndetësi, kulturë e të tjerë. Menaxhimi i këtyre fondeve është tashmë një kompetencë e pushtetit lokal, gjë që e bën edhe më të prekshme përgjegjësinë e këtyre strukturave përpara qytetarit dhe i çon ato më pranë problematikave konkrete.
Dëshiroj të përmend ndërhyrjet në ndërtimin e rrugës Lezhë – Shkodër, procesin e fillimit të punimeve për rrugën e Velipojës, rrugën e Muriqanit, reabilitimin e plotë të unazës së Shkodrës, ndërhyrjen emergjente në segmentet Shkodër – Koman, Bushat – Vau i Dejës, rrugën e Torovicës, studimin e fizibilitetit për segmentin Shkodër – Hani i Hotit.
Po kështu, krahas vënies në punë të segmentit hekurudhor Bajzë – Hani i Hotit, pritet që shpejt të përfundojë dhe segmenti tjetër Shkodër – Bajzë, çka do ta lidhte sistemin tonë hekurudhor me atë ndërkombëtar.
Projekte të shumta janë në fazën e përfundimit ose dhe atë të gjetjes së fondeve për funizimin normal të popullatës me ujë të pijshëm. Pritet të përfundojë projekti i mbështetur nga qeveria shqiptare dhe ajo austriake për qytetin e Shkodrës, që gati dyfishon furnizimin e tij me ujë të pijshëm. Me prioritet po shihet ndërhyrja në zonën turistike të Velipojës dhe Shkrelit, ndërsa ka përfunduar ndërhyrja për fshatrat Bushat, Rranxë, Barbullush dhe Ana e Malit. Pritet që në fund të këtij viti të përfundojë dhe ujësjellësi i Bajzës.
Ne presim që përfundimi i ndërtimit dhe pajisja e spitalit të Shkodrës me anë të një fondi prej 6 milion dollarësh, si dhe ndërtimi e reabilitimi i rreth 30 qëndrave shëndetësore lokale për rreth 1.2 milion dollarësh, do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme shkallën e shërbimit shëndetësor për të gjithë zonën.
Po kështu do të përmendja për rrethin e Pukës dhe Malësisë së Madhe reabilitimin e segmentit Fushë Arrëz – Pukë, reabilitimin e rrugëve rurale, përmirësimet në sistemin e vaditjes, ndërhyrjet në ujësjellësa dhe kanalizime, ndërhyrje në qëndrat shëndetësore dhe ato të arsimit.
Të nderuar miq,
Më lejoni të ndalem tani në një problem që është sa juaji që e jetoni çdo ditë, aq edhe shqetësim i qeverisjes qëndrore. E kam fjalën për furnizimin e popullatës me energji elektrike. Nga të dhënat tona rezulton se në krahasim me pjesën tjetër të vendit, problemet këtu janë më të shumta dhe më të mprehta. Por gjithashtu ato reflektojnë ndjeshëm dobësitë që mbart dega lokale e KESH. Nivelet e arkëtimeve në Shkodër, Kukës, Lezhë, Pukë, Tropojë, Koplik e Has janë nga më të ulëtit në nivel vendi, ndërsa humbjet janë në nivelet më të larta.
Eshtë e natyrshme që kush nuk e paguan nuk mund ta ketë një mall apo shërbim që sigurohet nga shteti, por është i papranueshëm penalizimi kolektiv me shkëputje të energjisë për lagje apo zona të tëra, siç edhe ka ndodhur. KESH do të vazhdojë të bëjë të pamundurën për të furnizuar me energji subjektet që paguajnë, shtu siç do të vazhdojë të ndëshkojë pa mëdyshje konsumatorët borxhlinj.
Sipas të dhënave tona ka përfunduar prerja e të gjitha lidhjeve dyfishe të konsumatorëve privatë dhe legalizimi i konsumatorëve privatë pa kontratë. Pritet që të përfundojë brenda muajit dhe legalizimi i të gjithë konsumatorëve familjarë pa kontratë. Këto masa shpresojmë se do të rrisin nivelin e arkëtimeve dhe do të zvogëlojnë humbjet. Nga ana tjetër ato do të shoqërohen me ndërhyrje të vendosur financiare në reabilitimin e nënstacioneve të Shkodrës dhe nënstacioneve të tjera në qark, fuqizimin e rrjetit të shpërndarjes, fillimin e punës për implementimin e kredisë së Bankës Botërore për sistemin e matjes së konsumit të nergjisë për qytetin e Shkodrës si dhe me shtimin e përpjekjeve për të siguruar burime të reja energjitike.
Kërkoj të theksoj vendosmërinë tonë se arsyeve objektive që shkaktojnë krizë ciklike në sistemin tonë energjitik, ne nuk do t'u shtojmë arsye subjektive të keqmenaxhimit të kësaj pasurie.
Në përfundim dëshiroj t'ju prezantoj anëtarët e kabinetit qeveritar që janë bashkë me mua në këtë takim. Ata janë të hapur të diskutojnë me ju, të mbajnë shënim vërejtjet dhe sugjerimet tuaja dhe t'i japin përgjigje të gjitha shqetësimeve që ju do të ngrini.
Ju faleminderit!