E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar zonja dhe zotërinj Ambasadorë, titullarë të përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, Eshtë një kënaqësi për mua të hap Konferencën me titul

Të nderuar zonja dhe zotërinj Ambasadorë, titullarë të përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë,

Eshtë një kënaqësi për mua të hap Konferencën me titullarët e përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore.
Ky takim është institucionalizuar si një ndër format e avancuara të dialogimit për analizën e punës sonë të përbashkët dhe diskutimit mbi prioritetet e politikës së jashtme dhe praktikës së realizimit të saj.
Duke shfrytëzuar këtë përvojë, bashkërisht do të synojmë që këtë aktivitet të rëndësishëm ta kthejmë në një përbërës esencial të përpunimit të politikës së jashtme të vendit.

Përpara një muaji qeveria e re paraqiti programin e prioriteteve të saj në politikën e jashtme duke theksuar akset e zhvillimit të mëtejshëm të kësaj politike, në përpjekjet për t'iu përshtatur nevojave në rritje për një prezantim më profesional, dinjitoz, ambicioz dhe në kohë.

Dëshiroj të rikonfirmoj faktin se prioritetet e politikës se jashtme në vijat kryesore do të mbeten të qendrueshme, do të konsolidohen më tej, pasi, siç e kam theksuar, diplomacia, për nga esenca e saj, është shprehje e vazhdimësisë së shtetit dhe interesave të tij afatgjata.

Padyshim që shprehja më e drejpërdrejtë e kësaj politike është procesi i integrimit europian, i cili për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe në vecanti për të gjithë klasën politike përbën, në mënyrë plebishitare, aksin më themelor të politikës së jashtme të vendit.

Eshtë detyrë parësore e diplomacisë sonë që në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha komponentet qeverisës dhe institucionet e larta të shtetit të nxisë, mbështesë e ndihmojë ecurinë normale të këtij procesi. Asnjë gjë nuk do të kursehet për ndërtimin dhe përvijimin e së ardhmes sonë evropiane.
Negociatat për Marreveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit, që pritet të fillojnë brenda vjeshtës, do të kenë natyrshëm vemendjen tone parësore, si fillim i një procesi afrimi konkret e parametrik me realitetin e Bashkimit Europian.
Diplomacia jonë, në bashkëveprim me aktoret e tjerë, do të bëjë përpjekje maksimale për të siguruar një konsensus sa më të gjerë rreth politikave dhe rrugëve që duhen ndjekur në procesin e afrimit të mëtejshëm me BE-në per te kurorezuar me sukses kete ndërmarrje historike partneriteti me Bashkimin Evropian.
Synimi ynë është që bisedimet të përfundojnë në një kohë optimale për t'i hapur rrugë sa më parë zbatimit te marrëveshjes interim dhe fillimit të procesit të ratifikimit të Marrëveshjes nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Me po të njëjtën vëmendje ne do ti kushtojmë rëndësinë e duhur gjithashtu dimensionit atlantik te procesit te integrimit, dmth. Anëtarësimit të plotë në NATO.
Ky synim ka në themel rëndësinë strategjike që ka Aleanca e Atlantikut Verior për interesat e vendit tonë dhe për paqen e stabilitetin në rajon.

Politika e bashkëpunimit rajonal përbën një aks tjetër prioritar e të qerndrueshëm të politikës sonë të jashtme.

Krizat e vazhdueshme që kaluar Evropa Juglindore, kanë provuar në mënyrë të përsëritur se vizioni ynë për një rajon të stabilizuar e në paqe është i drejte. Shqipëria është sot një ndër vendet që prodhojnë më shumë stabilitet në rajon, duke u përpjekur njekohësisht që nëpërmjet politikës së moderacionit e bashkëpunimit, të ofrojë dhe të nxisë një model te ri bashkëjetese e integrimi për popujt që jetojnë në këtë pjesë të Evropës.

Një politikë e re integruese ndaj fqinjeve, kërkon të shohë përtej problemeve e paragjykimeve historike, duke adoptuar një filozofi të re bashkëpunimi që synon të përvetësojë modelet tashmë njohura që kanë frymëzuar vendet e Evropës Përendimore në ndërtimin e të ardhmes së tyre të përbashkët.
Ky model ka përvojën e tij dhe është së pari përvoja e bashkimit për tu ngritur mbi ndasitë dhe për të ndërtuar mbi të përbashkëtat.
Kanë kaluar më se pesë dekada nga dita kur 6 vendet themeluese të asaj që u bë më vonë Bashkimi i Komuniteteve Evropiane vendosën, me kurajo e largpamësi, t`i kthenin shpinën njëherë e përgjithmonë konkfliktualitetit kronik historik ndërmjet tyre.
Idetë gjeniale e të Monet dhe Schuman, për tu bashkuar rreth interresave të përbashkëta ekonomike, çka do të bënte të pamendueshëm një konflikt të ri mes kundërshtarëve të vjetër, rezultoi të ishte investimi më i mirë, më i qëndrueshëm dhe më i frutshëm, për të cilin kishte nevojë ajo që ne e quajmë sot Evropa e Bashkuar.
Eshtë pikërisht ky vizion që diplomacia shqiptare ka vënë në themel të politikës së saj rajonale e që synon të zhvillojë me tej në marrëdhëniet në Evropën Juglindore, vizionin për një rajon të stabilizuar, në paqe e prosperitet ekonomik, një rajon bashkëpunues, të hapur e dinamik, jo më në prodhimin e krizave por të vlerave e të të mirave.
Aktiviteti ynë diplomatik do të synojë gjetjen e elementëve të rinj të zbatimit të kësaj politike rajonale të mbështetur fort mbi parimet e shenjta të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe produkteve të saj në bazë të të cilave qëndrojnë zgjedhjet e lira dhe instutucionet demokratike; në komplementaritetin e ekonomisë dhe dëshirën për një sistem te ri vlerash komunikimi e bashkëjetese në rajonin tonë.
Ato që na frymëzojnë sot e që janë në themel të planeve tona janë marrëveshjet e tregtisë së lirë, të njohura e të provuara si katalizatorët më të mirë të rritjes dhe diversifikimit së shkëmbimeve, investimeve dhe prodhimit.
Ne do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të hequr progresivisht kufinjtë dhe pengesat për lëvizjen e njerëzve; ashtu sic do të heqim edhe kufinjtë e kufizimet për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.
Në vëmendjen tonë të vëçantë është krijimi i të gjithë infrastrukturës ligjore, zgjerimi I paketës bazë të marrëveshjeve që favorizojnë bashkëpunimin ekonomik e tregtar, të tilla si marrëveshjet e tregtisë së lirë, të evitimit të taksimit të dyfishtë, të mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve, marëveshjet në fushën e trasportit, në fushën e energjisë, mjedisit etj, si edhe pasurimi i saj i mëtejshëm me elementë edhe më të detajuar. Kjo do të krijojë kushtet për të parashikuar, në një të ardhme jo të largët, edhe hartimin e politikave të përbashkëta rajonale, që në themel do të kenë Konventat Rajonale që do të nënshkruajnë ndërmjet tyre vendet me Marrëveshje Stabilizimi dhe Asocimi.
Paralelisht dhe duke shfrytëzuar në maksimum, në kohë dhe me efikasitet si programet e veçanta të bashkëpunimit që janë në zbatim, ashtu edhe gjithë dimensionin e bashkëpunimit rajonal të Procesit të Stabilizimit dhe Asocimit, duke shfrytëzuar projektet në kuadër të Paktit të Stabilitetit, të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore, pse jo edhe të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, si dhe të gjitha inputet e bashkëpunimit me vende të vecanta, ne do të favorizojmë edhe përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës fizike.
Në këtë kuadër ne nuk do të neglizhojmë asgjë. Eshtë e ditur që projektet e mëdha, me financime të konsiderueshme kanë natyrshëm impakt të madh e të dukshëm. Por është po aq e vërtetë se edhe projekte të vogla mund dhe kanë ndikim të madh. Kështu për shembull – ndërtimi i një ure në Lumin e Bunës, një investim relativisht i vogël, sjell një transformim të paneglizhueshëm në komunikimin e dy prej qendrave të mëdha turistike në të dy anët, Velipojë dhe Ulqin.
Po kështu, hapja e një pike të re kufitare, në Veri apo në Jug, shton komunikimet dhe ul presionin gjithnjë në rritje në pikëkalimet aktuale. Eshtë e qartë se infrastruktura politike, infrastruktura ligjore dhe ajo fizike ofrojnë një kuadër tërësor për një zhvillim dhe frymëmarrje më të plotë të konceptit dhe vizionit tonë për bashkëpunimin rajonal.
Më lejoni të ndalem dhe të zhvilloj pak më në detaje këtë koncept në përbërësit e tij më kryesorë:

a) Kontributi ynë për evropianizmin e Kosovës do të vazhdojë të përbëjë njërin prej aspekteve më të rëndësishëm prioritarë të politikës së jashtme.
Zhvillimet e tre viteve të fundit në Kosovë kanë lënë pas kujtimin e hidhur të konfliktit të shkaktuar nga politika e regjimit te Milloshevicit, per t'I hapur rrugën ndërtimit të një Kosove demokratike, të hapur e shumëetnike.

Kuadri rregullativ dhe prania ndërkombëtare së bashku me të gjithë ata faktorë relevante të shoqerise kosovare, vecanërisht institucionet e reja të vetëqeverisjes, kanë krijuar premisat e një procesi të gjatë normalizimi të jetës së vendit dhe ndërtimit të një shoqërie demokratike shumëetnike. Ngritja dhe vënia në funksionim e institucioneve vetëqeverisëse të zgjedhura në mënyrë demokratike nga populli i Kosovës është një hap i rëndësishëm në demokratizimin e mëtejshëm të saj.
Ne i shohim këto zhvillime në Kosovë në një kontekst të gjerë zhvillimesh demokratizuese e integruese, në planin rajonal.
Dy ditë më parë kolegu im Svilanoviç u shpreh me të drejtë se statusi i Kosovës nuk është një cështje për tu zgjidhur mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Jam plotësisht dakort me të.
Cështja e ardhmërisë së Kosovës është së pari cështje e vendimit demokratik të qytetarëve të Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, (OKB/Këshillin e Sigurimit ; BE, OSBE etj.) i cili është konkretisht i angazhuar dhe po investon pakthyeshëm në transformimin e gjithanshëm të realitetit kosovar.
Por është e qartë edhe se Tirana dhe Beogradi nuk mund të jenë indiferentë ndaj kësaj cështjeje. Ato kanë së pari përgjegjësinë të nxisin, lehtësojnë dhe rrisin bashkëpunimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, në mënyrë që Kosova të mos jetë hallka e dobët e stabilitetit dhe zhvillimit në rajon, por përkundrazi, një zonë qendrueshmërie, demokratike dhe e hapur, si për Shqipërinë ashtu edhe për Serbinë.

Ne do të angazhohemi që t'i zhvillojmë në mënyrë të gjithanshme marrëdhëniet tashmë intensive me institucionet përfaqësuese të Kosovës, duke nxitur më tej bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe ekonomisë, në luftën kundër trafiqeve dhe për zhvillimin e tregetisë (mund të përmend Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim Ekonomik që kemi nënshkruar më parë, angazhimin për të ecur sa më parë drejt memorandumeve të tjera për bashkëpumin ndërmjet policive në luftën e përbashkët kundër gjithë llojeve të trafiqeve e korrupsionit, në fushën e turizmit, në fushën e arsimit dhe të kulturës).
Hapja e pikave të reja kufitare do të jetë në qendër të vemendjes tonë, në mënyrë që te lehtesohet edhe me tej komunikimi i njerezve e mallrave ne te dy anët e kufirit.
Po kështu do të avancojmë më tej në ndërtimin e rrugës Durrës-Prishtinë, në ndërtimin e lidhjes energjitike Fierzë-Prizren etj.
Si pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe vecanërisht e interesuar në zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë në Kosovë, Shqipëria cmon se respektimi i kuadrit rregullues në fuqi mbi mënyrën e komunikimit dhe të zbatimit të marrëveshjeve dhe akteve të tjera të nënshkruara me autoritetet e Kosoves si dhe respektimi i të gjitha aspekteve që cojnë në zbatimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor, përbëjnë bazën e pakthyeshme të Kosovës europiane në ndërtim.

b) Në politikën rajonale të qeverisë së re, një vend me rëndësi zë ndjekja e zhvillimeve në Maqedoni dhe bashkepunimit afatgjate me këtë vend. Eshtë ndërkombëtarisht I njohur qendrimi I moderuar që vendi yne ka mbajtur në momentet e vështira që ka kaluar fqinji ynë lindor.
Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, si nevojë e nxjerrjes një here e mirë nga kriza ndëretnike e vendit, përbën sot një domosdoshmëri historike për klasën politike maqedone.
Qeveria shqiptare është e mendimit se zbatimi I kesaj marrëveshjeje është kusht „sine qua non" për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm të Maqedonise dhe për të ardhmen e saj evropiane.
Zbatimi rigoroz i kësaj marrëveshjeje historike do të ndikojë fuqishëm edhe në të ardhmen e stabilitetit politik dhe proceseve demokratizuese brenda vendit.
Qeveria shqiptare përshëndet rolin e shqiptarëve dhe të partive politike shqiptare, frymën e tyre moderuese në zgjidhjen e problemeve te vendit të tyre dhe i inkurajon të vazhdojnë në rrugën e tolerancës dhe dialogut politik.

Zgjedhjet parlamentare të shtatorit janë një test shumë i rëndësishëm demokratik, i cili do të përcaktojë në mënyrë të dukshme kahun e zhvillimeve në Maqedoni.
Ashtu si deri tani ne do te inkurajojme te gjithe përbërësit e jetës politike maqedone, në këtë kuadër edhe ata shqiptare, që të ecin në trasenë e hapur nga Marrëveshja e Ohrit.
Ne urojmë që këto zgjedhje të prodhojnë më shumë stabilitet dhe jo situata tensioni si ato që janë vërejtur më parë. Ne do të evitojmë cdo përpjekje sporadike për krijim tensioni artificial që cënon si atmosferën e tanishme elektorale ashtu edhe themelet e stabilizimit të mëtejshëm të vetë Maqedonisë dhe, në një kuadër më të gjerë, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

c) Rajoni ynë qeveriset tashmë kudo nga qeveri të zgjedhura demokratikisht. Ky realitet është një hap cilësor gjigand përpara në drejtim të konsolidimit të frymës së re të bashkëpunimit mes vendeve tona dhe për mendimin tonë, i pakthyeshëm. Duke pasur parasysh këtë element, në zbatim të vizionit të saj afatgjatë për integrimin europian, Shqipëria është shprehur e pozicionuar për nxitjen e mëtejshme dhe të gjithanshme të marrëdhënieve me Beogradin.

Qeveria shqiptare beson se mes dy vendeve ka hapesira të pashfrytezuara për zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, si në ekonomi, tregëti, turizëm, arsim, kulturë, etj.
Ngritja e nivelit diplomatik te marredhenieve Tirane-Beograd, që këto ditë u komunikua publikisht, do të shoqërohet me shtrirjen e marreveshjeve, shkëmbimeve dhe iniciativave të përbashkëta rajonale.

Historia e gjatë e tensionit, e moskomunikimit, e armiqësive të hapura e shpesh të shoqëruara me trauma vështirësisht të kapërcyeshme ndërmjet shqiptarëve dhe sërbeve, ku veçanërisht regjimi i Miloshevicit u shqua kobshëm me çmendurine e tij antishqiptare, kanë lënë natyrshëm plagë e gjurmë të forta në ndërgjegjen kolektive si të shqiptarëve ashtu edhe të serbëve.
Ngjarjet traumatike të vitit 1999, prologu i paralajmëruar i sagës Kosovare, nuk kanë nevojë të komentohen më tej. Por, ajo që ka rëndësi të theksohet sot, e rreth të cilës duhet të ndërtojmë të gjithë, është realiteti i ri, fryma e re, shpirti i ri, njerezit dhe idete e reja në rajon.
Unë i kam dëgjuar me vëmendje të gjitha komentet që shohin me skepticizëm pozicionimin e ri të politikës sonë ndaj Serbisë.
Unë kam qenë i vëmendshëm ndaj atyre që ende e kanë të vështirë të kuptojnë apo pranojnë se përse ne jemi të hapur, pa komplekse dhe të gatshëm të bashkëpunojmë ndershmërisht me drejtuesit e ri në Beograd. Dëshiroj tu them të gjithëve se kjo nuk vjen aspak sepse nuk dimë të lexojmë apo analizojmë të kaluarën.
Kjo vjen vetëm sepse ne jemi të bindur se po investojmë për të ardhmen; për një të ardhme të ndryshme që nuk mbështetet mbi „kanunin politik ballkanik" por mbi një filozofi të re si ajo që ishte në djepin e Bashkimit Europian.
Kësisoj, pa asnjë keqkuptim apo moskuptim, duke i siguruar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga Qeveria shqiptare, dëshiroj të theksoj edhe një herë, në frymën e asaj që kam përmenduar më lart, se dialogu dhe bashkëpunimi janë atribute të demokracive dhe këto parime janë ato që triumfojnë.
E nëse do të doja të risillja një shembull, atë nuk mundem ta gjej vecse përsëri në historinë e formimit të Bashkimit Evropian, në marrëdhëniet që u ndërtuan dhe u zhvilluan mes Francës dhe Gjermanisë pas luftës së Dytë Botërore. Këto marrëdhënie u ndërtuan pas dhjetra e dhjetra vitësh konfliktesh e pretendimesh nga më të ndryshmet, përfshirë ato territoriale, duke harruar të kaluarën dhe vështruar përpara, duke cvlerësuar mëritë dhe vlerësuar interesat e përbashkëta, për tu bërë sot një faktor i rëndësishëm e qendror për zhvillimin e BE-së.

c) Në po këtë kontekst, me vemendje të vecantë ne ndjekim zhvillimet në luginen e Preshevës, ku procesi I bashkepunimit mes faktoreve politike ndëretnike në vijim të zgjedhjeve të sapozhvilluara pritet të krijojë kushte të mëtejshme për njohjen dhe respektimin e njëmendtë të të drejtave të shqiptareve dhe komuniteteve të tjera që jetojnë aty.

Eshte jashtë cdo dyshimi se Integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administrates qendrore e vendore dhe respektimi i të drejtave të tyre do të sillte zhvillime pozitive në krahinë, në Serbi dhe padyshim në marrëdhëniet midis dy vendeve. Nënshkrimi i marrëveshjes në fushën e arsimit midis qeverise sonë dhe asaj të Beogradit, për njohjen e diplomave të studenteve nga Presheva që studiojnë në Shqipëri është një prioritet i shpejte i Qeverisë.

d) Qeveria shqiptare vlerëson nivelin e lartë të bashkëpunimit të deritanishëm me Malin e Zi.
Hapja e Pikave të reja të Kalimit Kufitar kontribuon në zgjerimin e lidhjeve dhe pikave të kontaktit midis dy vendeve dhe dy popujve tanë. Ne synojme që ky bashkëpunim të njohë zhvillime të reja në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët, si turizem, tregeti, infrastrukture, energji etj.
Duke vleresuar rolin përcaktues që shqiptarët në Malin e Zi kanë patur në vitet e fundit për zhvillimin e demokracisë atje, ne do te inkurajojmë që te vazhdohet ne këtë drejtim duke kerkuar edhe integrimin e tyre me te plotë në të gjitha institucionet demokratike atje.
Në këtë kontekst prioritet është arritja e një marrëveshje për nostrifikimin e diplomave ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi që do t'ju japë mundësi integrimi qindra shqiptarëve nga Mali i Zi.

Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore mbetet një proces i rëndësishëm në shërbim të kapërcimit të trashëgimisë konfliktuale në rajon, nxitjes së zhvillimit ekonomik e shoqëror, bashkëpunimit rajonal, paqes dhe demokracisë.
Objektivat tona në kuadër të Paktit të Stabilitetit, konvergojnë me vullnetin tonë për rindërtimin e rajonit, ku sanksionohen e zbatohen të drejtat dhe liritë universale të njeriut, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe kulturave, në nivelin e parametrave te BE-së.

Disa momente kryesore në marrëdhëniet dypalëshe me partnerët më kryesore.

Marrëdhëniet me SHBA-në, që është aleati ynë strategjik, përparojnë dhe zhvillohen në një terren të shkëlqyer bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Ato ruajnë gjithë rëndësinë dhe kanë gjithë vëmendjen tonë prioritare për t`i zhvilluar më tej në fushën politike, ekonomike, te sigurise e te mbrojtjes, atë të luftës kundër terrorizmit dhe të shkëmbimeve të tjera të dobishme. Ne jemi të bindur se ky bashkëpunim i ngushtë do të jetë një mbështetje e vazhdueshme për reformat dhe stabilitetin në vend.

Thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, rendit, luftës kundër trafiqeve, zbatimit të ligjit, reformës në drejtësi etj., janë synime parësore që do të përmbushen duke zgjeruar dhe intensifikuar një numër projektesh të përbashkëta.
Është po ashtu e rëndësishme të theksoj se harmonizimi i politikave tona rajonale me synimet afatgjata te SHBA ne Ballkan, do të gjenerojë jo vetëm stabilitet dhe siguri më të madhe ne Shqiperi, por edhe në pjesen tjeter te Evropës Juglindore.

Marredheniet tona me Italinë janë të shkëlqyera. Italia, si partner strategjik i Shqiperise, ka dhënë një ndihmesë të madhe në proceset integruese të vendit tonë në familjen euro-atlantike dhe mbetet donatori kryesor dypalësh për Shqipërinë.
Tërheqia më e madhe e investitoreve të mëdhenj italianë në ekonominë shqiptare dhe veçanërisht, në privatizimet e sektoreve strategjikë, përbën një drejtim të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, të cilin qeveria shqiptare do të përpiqet ta nxisë.
Gjithashtu, një vend të rëndësishëm do të zërë edhe bashkëpunimi për forcimin e luftës kundër trafiqeve klandestine, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Qeveria do të vazhdojë t'i kushtojë vëmendje të veçantë marrëdhënieve me Greqinë, të cilat, si dhe më parë, i konsiderojmë të një rëndësie me karakter strategjik.
Bashkëpunimi me këtë shtet, që është I vetmi anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s në rajon merr një rëndësi të vëcantë. Në Greqi jetojnë dhe punojnë mbi gjysëm milioni shqiptarë. Me Greqinë kemi lidhje historike. Ne e vlerësojmë per ndihmën e madhe që ajo i ka dhënë reformave dhe demokratizimit të Shqipërisë, por edhe për integrimin e vendit tonë për anëtarësim në BE dhe NATO, ku ndihma e saj ka qënë dhe do të jetë faktor i rëndësishëm. Përvoja e ditëve të fundit në pikat kufitare me Greqinë na kërkon që të jemi sa më të përgatitur, të reagojmë më shpejt dhe të jemi më parashikues për t`iu përgjigjur intesitetit të komunikimeve në rritje.

Marrëdhëniet dy palëshe ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të BE-së do të shtrihen natyrshëm dhe do të thellohen edhe më tej. Shqiptarët janë të ndërgjegjshëm se Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare janë kontributori i parë në ndihmë të reformave të brendshme, në ndërtimin dhe forcimin e demokracise dhe funksionimin e institucioneve shqiptare.
Marrëdhëniet dypalëshe me të gjitha vendet e BE-së janë një përbërës i natyrshëm i politikës sonë të integrimit europian.
Ne çmojmë se partneriteti i arritur në marrëdhëniet me Gjermaninë ka një rëndësi të vecantë. Ai bazohet në qëndrimet e përbashkëta për çështjet më të rëndësishme të politikës së jashtme dhe veçanërisht të zhvillimeve në Rajon. Bashkëpunimi i gjerë në fushën ekonomike, të sigurisë dhe mbrojtjes përbëjnë një bazë solide që duhet zhvilluar më tej në të ardhmen.
Marrëdhëniet me Britaninë e Madhe ndodhen në nivelin e tyre më të lartë që kanë njohur ndonjëherë. Ne vlerësojmë politikën rajonale të Britanisë si dhe ndihmën konkrete që I ka dhënë Shqipërisë në fusha të ndryshme, vecanërisht atë të sigurisë dhe luftës kundër krimit të orgnizuar. Ne jemi të bindur se duhet të punojmë më shumë në fushën e bashkëpunimit ekonomik për të rritur praninë e investitorëve Britanike dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare. Ne besojmë se Britamia e Madhe do të vazhdojë të inkurajojë integrimin e Shqipërisë në BE dhe në NATO si edhe më parë.
Marrëdhëniet tona me Francën kanë një pasuri të vecantë të shtresëzuar në vite. Ne vlerësojmë se shfrytëzimi I plotë i hapësirës që ofron Traktati I Miqësisë dhe Bashkëpunimit do të forcojë edhe më tej gjithë kuadrin e marrëdhënieve të tanishme në fushën ekonomike e kulturore, për ti zgjeruar ato edhe në fusha të tjera. Ne vlerësojmë interesin e vecantë të Francës për stabilitetin dhe zhvillimet demokratike në rajonin tonë.
Në po këtë kuadër do të mund të ndalesha gjatë për të përshkruar edhe rëndësinë që ne I kushtojmë zgjerimit të marrëdhënievë me Spanjën, Austrinë, Danimarkën, Suedinë, Hollandën, por edhe me Belgjikën, Luksemburgun dhe Irlandën.
Me të njëjtën dëshire, ne do të punojmë për të zgjeruar dhe forcuar marrëdhënieve me vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore.

Ne konsiderojmë të rëndësishme, gjithashtu, forcimin e mëtejshëm të mardhënieve shumë të mira e tradicionale me Turqinë, vecanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe të mbrojtjes. Duke vlerësuar ndihmën që Turqia I ka dhënë vendit tonë, ne synojmë konsolidimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, ku besojmë se një kontribut në rritje do të japë edhe komuniteti i mirënjohur shqiptar atje.
Eshtë me vend të përmend dhe rikonfirmoj ecurinë pozitive të marrëdhënieve me Zvicrën, me Kanadanë, por dhe me Rusinë, Kinën, Japoninë, vendet e Azisë, Amerikës Latine e vendet Arabe.
Diplomacia shqiptare konsideron të rendësishëm zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumëpalëshe dhe kontributit te saj si vend anëtar në kuadër të OKB-së e strukturat e saj, OSBE-në, Këshillin e Evropës e organizatave të tjera rajonale, përfshirë Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, si një organizëm i rëndësishëm në dialogun e kulturave.
Roli dhe prania e OSBE-së dhe Këshillit të Europës ne programet e zhvillimit te demokracise ne Shqiperi vleresohen nga qeveria e re si faktore partneriteti aktiv me organizata shumeplaneshe evropiane ku jemi anetaresuar.

II. Me lejoni tani të ndalem edhe në në disa cështje të tjera, të ndryshme por jo më pak të rëndësishme të aktivitetit tonë diplomatik.
1. Së pari, në domosdoshmërinë e vënies në mënyrë sa më efikase të të gjithë aktivitetit diplomatik në funksion dhe shërbim të zhvillimeve në vend.
Eshtë e njohur se për cdo vend politika e jashtme është natyrshëm edhe një reflektim i drejtëpërdrejtë i zhvillimeve të brendshme, pasqyre e nivelit dhe shkallës së zhvillimit të përgjithshëm dhe në vecanti e atij politik, ekonomik, institucional e të sigurisë.
Kjo është edhe më e vërtetë për një vend me të kaluar si e jona, ku pothuajse gjithçka ishte për tu ribërë.
Shqipëria nuk ka mundësi, e për rrjedhojë, nuk mund t'i lejojë vetes të ketë diplomaci për diplomaci në kuptimin klasik. Në konceptin tim diplomacia jonë, me përvojën që ka grumbulluar, duhet të vihet më mirë e më me shpejtësi ne eficence për të bërë realitetin shqiptar më të njohur në Botë.
Shqipëria është sot një vend evropian që ka fizionomine e tij, vendin e tij dhe rolin e tij në zhvillimet ndërkombëtare.
Por Shqipëria ka njëkohësisht një ekonomi tregu, te hapur, e cila zhvillohet me rritmet te shpejta, në një kontekst ekonomik gjithnjë e më konkurues. Kësisoj, theksimi i aspektit ekonomik në diplomacinë tonë është veçse një pleonazëm.
Është e domosdoshme që diplomacia jonë, brenda përgjegjësive të saj, të forcojë më tej e të shtrijë sa më gjerë gjithë kuadrin themelor kontraktual të bashkëpunimit ekonomik me jashtë, të nxisë bashkëpunimin sa më të gjerë ndërmjet dhomave të tregtisë dhe operatorëve ekonomike private e publikë, të ofrojë informacion të përditësuar mbi situatën në Shqipëri, mundësitë dhe oportunitetet si dhe në mënyrë të veçantë avantazhet konkuruese, kapitali i të cilave është ende i konsiderueshëm në Shqipëri.
Ne do të duhet të synojmë që krahas vlerësimit dhe zbatimit të ndihmës për zhvillim të shtojmë praninë ekonomike e tregtare të huaj në të gjitha format e leverdisshme në zhvillimin e sektorëve të ekonomisë shqiptare, në rritjen e rolit të Shqipërisë si faktor i rëndësishëm rajonal që gjeneron moderacion, mirëkuptim dhe ofron bashkëpunim.
Eshtë e rëndësishme që të interesuarit kudo në botë të kenë mundësi të dinë, të informohen përshtatshmërisht, në kohë dhe me sa më pak shpenzime se në Shqipëri mund të fitojnë më shumë sesa po të investojnë diku tjetër. Për këtë, krahas rrugëve e mjeteve të njohura dhe punës së agjensive të tjera në vend, nga përfaqësitë tona do të përdoren edhe mjetet elektronike, faqet e internetit, konferencat e specializuara etj.
Për të arritur këtë duhet të hiqet dorë përfundimisht nga një shkëputje e dukshme që vihet re në punën e stafit të Ministrisë dhe të përfaqësive diplomatike nga realiteti shqiptar. Kjo pasqyrohet në një shkallë relativisht të ulët të njohjes me progresin dhe vështirësitë e reformave në sektorë të ndryshëm brenda vendit, në bashkëpunimin dhe lidhjet e pakta me pjesën tjetër të administratës qendrore, në mungesën e kontakteve me pushtetin vendor, në një mentalitet të përgjithshëm për të qenë të azhornuar dhe specialistë vetëm për marrëdhëniet me jashtë, si dhe në efiçëncën e pakët të bashkëveprimit të stafit të Ministrisë dhe atij të përfaqësive jashtë vendit. Një situatë e tillë është joproduktive dhe duhet ndryshuar rrënjësisht dhe sa më parë.
2. Së dyti në rolin e rëndësishëm që duhet të luajmë për përmirësimin e imazhit të vendit. Ne jemi të ndërgjegjshëm për rolin, detyrat, pergjegjësitë, si dhe për vendin që zemë në komunitetin ndërkombëtar.
Por ne do te kemi parasysh edhe faktin që marrëdhëniet ndërkombëtare nuk jane statike, ato ndryshojnë, zhvillohen e përtërihen. Kjo kërkon që edhe në reflektimin tonë, në politikat tona, në planet tona të zhvillimit, në zhvillimet tona të brendshme, te kemi parasysh se duhet ti pergjigjemi ketij ritmi global.
Siguria e brendshme, progresi i reformave, niveli i zhvillimit të sistemit të drejtësisë, shkalla e profesionalizmit të administratës, reformimi i legjislacionit, lufta kundër trafiqeve dhe korrupsionit, reflektohen në menyrë automatike në imazhin që projektohet jashtë.
Në këtë imazh kanë lënë gjurmë ulje ngritjet qe kemi pësuar gjate dekades se tranzicionit edhe pse ndonjëherë stereotipet që hasen jashte nuk korrespondojnë me realitetin. Kjo duhet të kuptohet në tërsinë e saj, që nga elementet më të thjeshtë të paraqitjes në përfaqësi që jo rallë kanë konotacion të paneglizhueshëm, e deri tek profesionalizmi, aftësia shkalla e depërtimit dhe rrjeti i njohjes së diplomatëve tanë.
Në këtë kontekst do të shihet me shumë vëmendje shtrirja e mëtejshme e rrjetit të konsujve të nderit, jo vetëm në vendet ku ne nuk jemi aktualisht të përfaqësuar me diplomatë rezidentë, por edhe në vendet e tjera, në rajone e qytete të mëdha ku interesat tona e kërkojnë dhe justifikojnë një prani të tillë.
Diplomacia shqiptare duhet të angazhohet me shume ne promovimin e pasurisë dhe potencialit turistik të vendit. Eshtë shumë e rëndësishme të vendosim një bashkepunim efikas mes Ministrise së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe agjenteve tanë diplomatike duke përpunuar një koncept të konsoliduar të përdorimit të diplomacisë për të promovuar dhe reklamuar turizmin shqiptar duke forcuar lidhjet dhe marrëdhëniet me vendet qe kane industri turistike te zhvilluar si dhe vendosjen e kontakteve me tur-operatoret kryesore perendimore.
Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe duhet të synojë të bëhet sa më shpejt destinacioni i tretë turistik në Ballkan. Shifrat e këtij sezoni që ende nuk ka përfunduar flasin në këtë drejtim.
Eshtë gjithashtu momenti për të reflektuar më seriozisht për paraqitjen e kulturës shqiptare në botë. Siç e kam thënë më lart Shqipëria vuan jo vetëm nga keqnjohja por edhe nga mosnjohja, veçanërisht e kësaj pasurie e veçantësie siç është ajo kulturore. Në këtë drejtim ne kemi se cfarë të prezantojmë, me se të prezantohemi dhe ndoshta është momenti të mendojmë për hapjen e qendrave kulturore në disa vende të mëdha, të cilat e çmojnë lart këtë « eksport » Made in Albania dhe ku prania e madhe e shqiptarëve është njëkohësisht konsumatore dhe kontribuese si në Itali, Greqi, Francë, Gjermani, SHBA etj.
Aktivitete me llojshmëri dhe shtrirje si ai i organizuar në muajin Mars në Francë, titulluar « Shqipëria drejt pushtimit të diellit », janë një mënyrë shumë e mirë dhe e drejtpërdrejtë për të prezantuar Shqipërinë dhe shqiptarët ndryshe, në dritën e tyre të vërtetë dhe në pasurinë e tyre reale.
3. Së treti: Shqiptaret jashtë vendit përbëjnë një faktor të rëndësishëm të zhvillimit të marredhenieve me vendet ku ata jetojnë.
Diaspora dhe emigracioni, të shtrirë në të gjitha kontinentet, përmbajnë në vetvete potenciale kolosale njerezore, intelektuale e financiare, të cilat diplomacia jonë duhet të punojë për t'i vënë në lëvizje drejt Shqipërisë.
Diplomacia shqiptare do të angazhohet totalisht për të nxitur përfshirjen shumëplaneshe të shqiptarëve jashtë atdheut, në proceset e reformave demokratike, të zhvillimit ekonomik dhe të afrimit gradual të vendit në familjen evropiane dhe të forcimit të marëdhënieve me vendet ku ata jetojnë.
Këto ditë ka filluar në të gjitha përfaqësitë tona të krijohet një data base për studentet që shkollohen atje, për ti njohur, afruar, përfshirë në aktivitete kulturore, artistike, pritje të ndryshme etj. si dhe për t'i informuar rregullisht mbi cka ndodh në Shqipëri.
Unë do të dëshiroja ti cilësoja ata si pjesa informale e „diplomacisë së imazhit" të Shqipërisë në botë. Jo vetëm që me aftësitë e tyre kanë treguar se janë tërësisht konkurues në tregun e dijeve, por ata përbëjnë gjithashtu një potencial të vyer të aftësive për cka ka nevojë vendi në fusha të ndryshme.
Po kështu vemendje më e madhe duhet treguar ndaj personaliteve të fushave të ndryshme në diasporë, qofshin të politikës, të shkencës, të artit, kultures apo fushave të tjera për të nxitur vemendjen dhe interesin e tyre ndaj vendit.
Jam po kështu i bindur se të njëjtën vëmendje duhet të tregojmë edhe ndaj përfaqësuesve të biznesit në diasporë. Eshtë në detyrën tonë që jo vetëm t'i afrojmë e ndihmojmë ata por edhe të identifikojmë sa më përshtatshmërisht e ku është e nevojshme të shtojmë lehtësitë e mundshme për investime në vend nga kjo kategori.
4. Së katërti por po në këtë aspekt, mbi aktivitetin konsullor jashtë vendit. Ai është një ndër aspektet sa të rëndësishme aq dhe delikate, pasi duhet të jetë me konkret dhe më afër interesave të shtetasve tanë të shumtë që jetojnë kryesisht në vendet e Evropës Përendimore. Shtetasit shqiptare duhet ta ndjejne ndihmen e shtetit te tyre dhe ne duhet tua garantojmë këtë të drejtë.
Eshte fakt se, me gjithë perpjekjet jo të vogla, ne jemi ende larg profilit të një shteti që mbron sic duhet interesat dhe garanton dinjitetin e shtetasve te tij jashtë vendit. Ne do të rishikojmë në mënyrë të vazhdueshme gjithë praktikat e punës sonë për ta bërë shërbimin konsullor të shpejtë, efikas dhe modern.
Kështu shumë shpejt në shërbimin konsullor do të futen pullat fiskale si një mjet që jo vetëm shton seriozitetin e shërbimit por edhe ndikon në evitimin e abuzimeve eventuale. Është e rëndësishme që ne veprimtarinë e shërbimit tonë konsullor të fillojnë të përdoren gjerësisht teknologjitë e reja, të tilla si faqet e posacme të internetit, numra telefoni të dedikuar etj., që e bëjnë këtë shërbim më të shpejtë e më funksional.
5. Ne jemi angazhuar se nuk do ti rreshtim përpjekjet për krijimin e një trupi diplomatik efikas, profesional dhe te përgjegjshëm. Jo pak është bërë në këtë drejtim por ende ka nevojë për të persosur bazen legjislative dhe ate regullative, në mënyrë të veçantë sistemin e karierës diplomatike, si domosdoshmëri për te pasur nje diplomaci te angazhuar, të aftë e të sukseshme. Diplomacia është profesion që kërkon investim të vecante e të kushtueshëm.
Rrjedhjet që ka pasur trupi diplomatik shqiptar në keto vite, që janë një humbje jo e vogël, na bëjnë të mendojme seriozisht se ka ende vend për të përmirësuar, duke shtuar rregullat dhe pëmirësuar kushtet e punës, si dhe duke duke iu shmangur subjektivizmit apo ndikimit politik.
Në këtë drejtim ne jemi duke analizuar dhe shumë shpejt do të hartojmë një plan pune për të parë se cfarë duhet të përmirësojmë në personelin diplomatik, në format dhe mënyrat periodike të vlerësimit të punës individuale, për vendosjen e plotë dhe zbatimin rigoroz të sistemit të gradave diplomatike; në ndërtimin dhe shpërndarjen sa me efiksase të personelit diplomatik, në mënyrë të vecantë në strukturimin e përfaqësive tona diplomatike, përfshirë prioritarizimin e tyre, të cilat, e theksoj, duhen ti pergjigjen me mirë prioriteteve tona dhe dinamikës së sotme në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Po kështu, në komunikimin përfaqësi – MPJ ka gjithashtu jo pak për të përmirësuar. Së pari nga Ministria, e cila duhet të shtojë informacionin e dorës së parë mbi tërësinë e zhvillimeve në vend e që janë në bazë të infrmimit dhe punës së diplomatëve tanë jashtë. Nga ana tjetër, përfaqësitë duhet të përfshihen më mirë në hartimin e politikave, qendrimeve dhe përgjithësisht në mendim-dhënien në lidhje me ecurinë e marrëdhënieve me vendet ku punojnë e që mbulojnë.
Ndjehet veçanërisht nevoja e analizave më të thella, më të shtrira e më parashikuese dhe kjo do të jetë në qendër të punës së përfaqësive, për të bërë real një bashkëveprim efikas të të gjithë sistemit.
Ministria parashikon që të përmirësojë edhe cilësinë e punës së saj. Ndër të tjera do të rishihet i gjithë koncepti i marrëdhënieve ndër-instituicionale për të pasur një koordinim sa më të mirë, të shpejtë dhe efikas që në diplomaci është domosdoshmëri.
Diplomacia nuk toleron kakofoni e për me pak çkordinim.
Po kështu, do të futet koncepti i konferencave periodike tematike ku trupi ynë diplomatik, përfaqësues politikë në vend si dhe shoqëria civile do të ftohen për të debatuar periodokisht mbi cështje të ndryshme të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, cka është jo vetëm një formë e mendimarrjes për politikë-bërësit por edhe një forme e mendim-dhënies për të interresuarit.
Duke pasur parasysh veçoritë e aktivitetit diplomatik dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të sotme, nevojën e përgatitjes profesionale të diplomatëve tanë në një mjedis gjithnjë e më kërkues dhe shumëdimensional, ne do të shohim dhe analizojmë me përparësi mënyrat më të përshtatshme për të organizuar periodikisht si testimin e diplomatëve tanë për ecuri në karierë ashtu edhe kurset e trainimit të brendshëm sipas nevojave.
Ministria e Jashtme, institucionet e tjera qendrore dhe shoqëria civile kanë kapacitete të padiskutueshme të cilat, jam i bindur, do ti ofronin me kënaqësi njohuritë dhe ekspertizën e tyre. Shumë shpejt ne do të përgatisim një platformë të plotë e të detajuar për të gjitha këto aspekte, përfshirë vendosjen përfundimisht në eficencë të plotë të sistemit të gradave diplomatike.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Sic edhe e keni vënë re, jo rallë, në komente të ndryshme brenda vendit, diplomacisë shqiptare i sugjerohet që të mbajë qendrime, të ndërmarrë veprime, të deklarohet apo „ngrejë" më fort zërin e saj për cështje të vecanta. Këto komente bëhen edhe më të ashpra në momente apo situata të vështira, të padëshirueshme por gjithsesi të njohura në marrëdhëniet ndërkombëtare e po ashtu edhe rreth nesh. Kjo është mëse normale në demokraci.
Dua të siguroj cdokënd megjithatë se, pa asnjë dyshim, reciprociteti është një ndër parimet bazë të diplomacisë në përgjithësi e po ashtu dhe asaj shqiptare. Eshtë ky parimi që ndjekim, respektojmë e zbatojmë në zhvillimin e marrëdhënieve me botën, në tërësinë e aspekteve të veprimtarisë sonë diplomatike.
Por nga ana tjetër besoj se të gjithë e kuptojmë se në leximin tonë reciprociteti nuk ka vetem një përcaktim statik e të ngrirë. Ai përkthehet në tërësinë e elasticitetit që imponojnë ndërthurja e interresave me realitete të dhëna por gjithsesi në evoluim dhe përshtatshmëri.
Në botë nuk ka demokraci të mëdha e demokraci të vogla, por ka demokraci të vërteta e demokraci të rreme. Por, askush nuk mund të harrojë se përkundrazi ka ekonomi të mëdha e të vogla, vende të pasura e vende më pak të pasura, vende me potenciale të mëdha në fusha të ndryshme përfshirë ushtarake, të mbrojtjes e të sigurimit; vende që kanë përgjegjësi globale e që ofrojnë kontribute të konsiderueshme në krahasim me të tjera më pak të pajisura; vende që ofrojnë ndihmë e vende që ndihmohen.
Nuk ka sesi, që në organizimin e sotëm të marrëdhënieve ndërkombëtare faktorë të tillë të mos merren parasysh edhe nga ne, si nga cdo vend, por sigurisht, sic e kam theksuar më lart, duke respektuar parimet themelore në marrëdhëniet ndëkombëtare që rregullojnë në mënyrë të vecantë marrëdhëniet ndërmjet demokracive dhe partnerëve.
Cdo vend ka rolin e tij, përgjegjësitë e tij në arenën ndërkombëtare. Është e rëndësishme që ato të jenë kontribut, sado modest qoftë ai, në forcimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve larg cdo vartësie apo ndjenjë inferioriteti. Siç është fare lehtë të ngatërrohet heshtja me padijen ashtu mund të jetë jo shumë vështirë të ngatërrohet maturia me mosveprim dhe interesat afatshkurtëra të mbivendosen apo zhvendosin interresat themelorë e afatgjatë. Një diplomaci e përgjegjshme nuk i nënshtrohet tentacionit të padurimit e as nxitimit që fjalën e fundit ta thojë të parën. Përkundrazi.

Të nderuar zonja dhe zotërinj ambasadorë
Titullarë të përfaqësive diplomatike dhe konsullore,

Këto ishin disa nga cështjet që une kisha dëshirë të ndaja me ju sot. Jam i sigurtë se atyre do t'u shtohen edhe sugjerime të tjera që do të dalin nga diskutimet e këtyre dy ditëve, për cka une ju inkurajoj pa rezervë në mënyrë që ky takim t'i përgjigjet sa më mirë synimit për një analizë reale të punës sonë dhe të shërbejë si moment i rëndësishëm në hartimin e politikës së jashtme dhe zbatimit të vizionit tonë të ri për rolin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ju faleminderit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›