E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Të ndihmohen familjet dhe bizneset e dëmtuara"

Partia socialiste i kërkoi dje qeverisë të ndihmojë familjet që ditët e fundit janë përmbytur nga reshjet e shiut. Deputeti socialist, Ilir Beqja, tha se janë me qindra hektarë tokë bujqësore e kullota në Lezhë, Shkodër, Kurbin, Peqin të mbuluara nga uji, duke shkatërruar krejtësisht punën e mundin e fermerëve të këtyre zonave. "Janë me dhjetëra biznese që kanë pësuar dëme të mëdha dhe qindra banorë që sot nuk guxojnë të kalojnë natën në shtëpitë e tyre nga frika e përmbytjeve. Janë me dhjetëra shtëpitë që janë përmbytur duke shkaktuar dëme të pallogaritshme materiale për banorët e këtyre zonave. Dhe, fatkeqësisht, faji për këtë gjendje nuk është i motit, por i kësaj qeverie të paaftë, që ndër vite ka neglizhuar të marrë masa për të përballuar situata të tilla", tha ai. Ndaj, tha Beqja, PS-ja i bën thirrje qeverisë "Berisha" që në këtë moment të vështirë për këto qindra familje në nevojë, të mbështesë financiarisht çdo familje e biznes të dëmtuar ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet fqinje në situata të ngjashme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›