Në flakë automjetet e dy shtetasve të huaj
Një telefonatë rreth orës 01:40 të mëngjesit ka vënë në punë forcat e policisë në qytetin e Gjirokastrës. Zëri në linjën telefonike njoftoi se në rrugën nacionale Gjirokastër -Tepelenë, në vendin e quajtur Ura e Lumit Gjirokastër, në sheshin para dyqanit të pjesëve të makinave bujqësore të firmës “Agrotex Çarçani”, po digjej një makinë. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta të policisë, si dhe zjarrfikësit të cilët njoftuan se mjeti tip ‘Benz’ i shtetasit turk Ergyn Mehmet Arabazhi është djegur plotësisht, ndërsa në flakë është përfshirë dhe një tjetër mjet i ndodhur pranë tij, me pronësi një shtetas grek. Falë ndërhyrjes është arritur të shpëtohet nga djegia mjeti tip ‘Skoda’ me targa greke në pronësi të Panajot Sarasit, punonjës i konsullatës greke. Në fund të hetimeve paraprake grupi hetimor përcaktoi si shkak të rënies së zjarrit një shkëndijë elektrike në automjetin tip ‘Benz’, pronari 35-vjeçar i të cilit zotëronte një servis për lyerjen e makinave në Gjirokastër. Prokuroria ka vazhduar hetimet për detajimin e mëtejshëm të ngjarjes.