E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dakord për etikën

Ish-ministri i Drejtësisë thotë se e sheh pozitivisht idenë e diskutimit për përfshirjen në Kodin Zgjedhor të disa pikave të kodit të sjelljes dhe etikës zgjedhore

Ideja për përfshirjen e disa pikave të kodit të mirësjelljes dhe etikës zgjedhore në Kodin e ri Zgjedhor mirëpriten edhe nga ana e ish-ministrit të Drejtësisë dhe deputetit të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi. Pas propozimit të Partisë Republikane dhe Partisë Demokracia Sociale për nisjen e diskutimeve nëse mund të përfshihen disa pika të kodit të sjelljes dhe etikës zgjedhore në Kodin Zgjedhor, edhe deputeti i partisë më të madhe të mazhorancës është plotësisht dakord me nisjen e diskutimeve. Sipas tij, duke qenë se zgjedhjet e ardhshme kanë rëndësi të madhe, disa nga pikat e marrëveshjes morale të vitit 2005 mes forcave mazhoritare dhe opozitare në vend, do të ishte pozitive që të përfshiheshin në Kodin Zgjedhor. “Duhet diskutuar se cilat prej pikave të marrëveshjes mund të përfshihen në Kodin Zgjedhor, pasi ka pika që janë më shumë kulturë politike, sesa të kenë forcë ligjore. Duhet diskutuar se çfarë pikash mund të futen. Unë, personalisht, jam shumë dakord me nisjen e diskutimeve për këtë çështje”, thotë deputeti demokrat. Dy ditë më parë, dy forca politike, njëra aleate e opozitës, ndërsa  tjetra aleate e mazhorancës, i thanë “Korrierit” se do të ishte pozitive në rast se disa nga pikat e marrëveshjes morale të nënshkruara në vitin 2005 të përfshiheshin në Kodin e ri Zgjedhor. Sipas kreut të PDS-së, Paskal Milo, kjo marrëveshje morale nuk ka funksionuar, ashtu sikurse ndodh edhe me disa marrëveshje të cilat nënshkruhen, por shumë pak prej tyre zbatohen. “Nuk ka funksionuar, pasi për fat të keq në Shqipëri nënshkruhen shumë marrëveshje dhe bëhen shumë ligje, por shumë pak prej tyre zbatohen. Kështu që edhe kodi i etikës nuk bën përjashtim”, tha Milo, duke theksuar se vendi ynë tenton të shkojë drejt standardeve evropiane të zgjedhjeve. Edhe kryetari i grupit parlamentar republikan, Arian Madhi, tha se për sa kohë kanë shprehur vullnetin të gjitha partitë politike, do të ishte mirë që dispozitat e atij kodi të gjejnë shprehjen e tyre në Kodin Zgjedhor. Para se të zhvilloheshin zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2005, forcat politike në vend nënshkruar një marrëveshje morale, e cila parashikonte që forcat politike në vend të zbatonin disa rregulla morale gjatë fushatës zgjedhore. Megjithatë, duke qenë se pikat e kësaj marrëveshjeje nuk kishin fuqi ligjore, zbatimi i saj si në zgjedhjet e vitit 2005, ashtu edhe në zgjedhjet e vitit 2007, la shumë për të dëshiruar. Ndërkohë, disa nga pikat e kësaj marrëveshjeje me kalimin e kohës janë kthyer në ligj, si ai për përfaqësimin e grave në politike, ku pak kohë më parë u miratua një ligj. Megjithatë, shumë pika të tjera të kësaj marrëveshjeje do të ndikonin pozitivisht në rast se do të merrnin karakter ligjor duke u përfshirë në Kodin Zgjedhor, i cili më pas do të garantonte zbatimin e marrëveshjes së përbashkët të vitit 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›