“Të parët jeni ju” - Ftesa e së djathtës për 8 majin

Kryeministri Berisha konfirmon se kandidaturat e mazhorancës janë pritur më mirë se kurrë nga zgjedhësit, pavarësisht spektrit politik. Oferta për një Tiranë moderne, me parlament e stadium të ri paraqitet si projekti që do e çlirojë kryeqytetin nga dara e kartelit të krimit të organizuar, që e mban peng prej vitit 2000
Kryeministri Sali Berisha foli dje në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe sloganin me të cilin do prezantohet koalicioni i madh “Aleanca për Qytetarin”. Para ligjvënësve demokratë, Berisha përshëndeti grupet e punës së Partisë Demokratike për finalizimin në kohë të kandidaturave më të mira, edhe pse sipas tij, ka qenë një proces i vështirë nisur nga alternativat konstruktive që baza propozoi. Berisha tha se kandidaturat e Partisë Demokratike janë pritur më mirë se kurrë dhe se ky inkurajim do t’i shërbejë rezultatit dinjitoz të 8 majit. “Pas përzgjedhjes së kandidaturave, të cilat në tërësi janë pritur më mirë se kurrë më parë. Unë në radhë të parë dua të përgëzoj kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, për shkallën e lartë të përgjegjësisë që kanë dëshmuar në këtë proces. Shkallë kjo, që është dhe një kusht i domosdoshëm për suksesin e këtij procesi, të përgëzoj deputetët, drejtuesit e grupeve të punës, që e kanë udhëhequr këtë proces, me transparencë, me vendosmëri, me tolerancë me mirëkuptim dhe e vërteta është që, kurrë ndonjëherë ne nuk shkojmë drejt një procesi zgjedhor më konsensual dhe më të bashkuar se këtë radhë. Kjo është një premisë e shkëlqyer për të marrë rezultatin që ne presim. Është bërë një punë e madhe, është bërë një punë e përgjegjshme dhe e studiuar”- u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se kjo fushatë do jetë e gjitha për qytetarin dhe problemet e tij, ndaj për këtë duhet një slogan që i drejtohet pikërisht qytetarit. “Grupet e ekspertëve po punojnë prej kohësh për sloganin. Slogani ynë buron nga shpirti i vete sloganit, të qytetarit, me qytetarin, për qytetarin, dhe mesa duket slogani do të jetë “Të parët jeni ju” apo “ Ju jeni të partë”, sepse qytetarët janë të parët, ata do të jenë të parët ndaj dhe ne përqendrohemi së bashku me ta për të gjithë problematikën e këtyre zgjedhjeve. Ky slogan pothuajse përfundimtarë është “Ju jeni të parët”. Për sa i përket himnit diskutimet vazhdojnë. Himni ndërkombëtar, këtu diferencat janë reale dhe unë ju garantoj se nuk do ta vendos unë, do të përpiqem të dëgjoj sa më shumë dhe të fitojë ai që është më i kuotuari, sepse po të ishte për mua “Eye of the tiger” për të mos thënë dhe “Barracuda”, ato janë këngët e adrenalinës sime, por nuk do të jenë, sepse dikush po më thoshte, po e vumë këngën “Eye of the tiger”, iku nga frika kandidati kundërshtar. Ajo fjalët i ka të bukura por prapë nuk mund ta kemi, “Thunder Strike” është një tjetër këngë, jashtëzakonisht frymëzuese, ndezëse, prapë nuk mund të them se do të jenë etalon. Pra diskutimet janë, përpjekje të shumta po bëjnë për të zgjedhur himnin më të bukur ndërkombëtarë. I përshtatet tërësisht, shpirtit të programit tonë, qytetarit. E bukur shumë është “Victory” e Michael Flatley, por ende nuk është konkluduar se duhet të jetë në një valë me qytetarin, urojmë dhe shpresojmë të zgjedhim më të bukurin. Duhet dhe një himn kombëtar. Përveç himnin kombëtar duhet himni i fushatës dhe aty po bëhen përpjekje, por këto dy –tre ditë do të konkludohet, sepse himni është element i rëndësishëm. Ju jeni dëshmitarë sesi “Ëin the Race” dhe “Shqipëria po Ndryshon”, u bënë këngët më të dashura të fushatës. Sërish do të bëjmë përpjekjet më të mëdha për të përzgjedhur, himnet më të bukura elektorale për këtë fushatë. Slogani sipas testimeve të gjëra, del më i pëlqyeri nga një seri sloganesh, “Ju jeni të parët”- vuri në dukje kryeministri Berisha. Po ashtu shefi i ekzekutivit foli dhe për parlamentin e ri, konkursin e të cilit e cilësoi si të hapur dhe transparent. Duke iu referuar akuzave të opozitës për konkursin e zhvilluar për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar theksoi se përzgjedhja e studios fituese ishte transparente. Sipas tij, ishte juria ndërkombëtare ajo e cila ka përzgjedhur edhe studion austriake si fituese të konkursit. “Dua të theksoj edhe njëherë se ky ka qenë, konkursi më i hapur në historinë e këtij vendi. Konkurs në të cilin, siç e dini morën pjesë 25 studio nga më prestigjiozet dhe më të njohurat e botës, për hir të transparencës, sepse kur ata paraqesin projektin lidhet një marrëdhënie kontraktuale me ta, siç është ruajtja e pronësisë mbi projektin, një çmim për hartimin e tij. Ne vendosëm të mos përjashtonim asnjë prej 25 kompanive. Si forma absolute më transparente e veprimit, pranuam të 25 kompanitë dhe nuk bëmë përzgjedhje paraprake. Ne nuk bëmë shortistime apo gjysëm listime që komiteti të zgjidhte 10 nga 25, ne u dhamë të drejtën të gjithave dhe kjo funksionoi në mënyrë të shkëlqyer. 12 prej tyre erdhën me projektet e tyre dhe disa me arkitektët më të njohur të kohës. Me këtë projekt ne hedhim themelet e Tiranës së këtij shekulli, e Tiranës që do të jetë një nga qytetet më moderne të rajonit”- theksoi Berisha. Ndërkohë kryeministri Berisha bëri të ditur edhe emrin e stadiumit të ri kombëtar do të mbajë emrin stadiumi “Kuq e Zi” i cili do të inaugurohet me rastin e 100- vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Kryeministri Berisha theksoi se ky është vetëm fillimi pasi projektet e kryetarit të ri të bashkisë së Tiranës do të kenë mbështetjen më të madhe të qeverisë në mënyrë që Tirana të kthehet në një simotër kulturore të kryeqyteteve të Europës. “Tirana sesi më duket, si një ëndërr e ndrydhur, e vërteta është që nuk përfaqëson variantin më të mirë, e ndrydhur, sepse ky qytet për fatin jo të mirë në të gjithë qenien e saj arkitekturore, urbanistike, ndihet shumë larg kryeqyteteve të tjera të Rajonit dhe të Europës. Tirana duhet të zhvillojë ëndrrën e saj dhe ëndrra e saj është Tirana kryeqytet Europian. Një kryeqytet i vendit që në të gjithë pamjen e saj të jetë Europiane, siç ka qytetarët, sepse qytetarët e Tiranës janë qytetarë europianë, por ndërtesat e Tiranës janë problemi i saj, ndaj dhe me parlamentin, me stadiumin Kuq e Zi, ashtu do ta quajmë atë stadium, sepse kështu e quajtën tifozët. Ne nuk i vëmë emër tjetër atij, përveç emrit të atyre qindra e mijëra të rinjve që mblidhen nga të katër anët e trojeve shqiptare për të mbështetur ekipin tonë kombëtarë. Le të jetë stadiumi i Kuq e Zinjve, atyre ju takon, ju takon edhe futbollistëve sigurisht dhe besoj se dhe futbollistët do të jenë të kënaqur, që stadiumi të quhet “Kuq e Zi”. Ky është vetëm fillimi dhe për këtë ju garantoj, sepse projektet e kryetarit të ardhshëm të bashkisë do të gjejnë mbështetjen më të fuqishme, në interesin e shndërrimit të këtij kryeqyteti në një simotër kulturore të kryeqyteteve të tjera të Europës” - deklaroi kryeministri i vendit Sali Berisha.
...