Tadiç sqaron Hashim Thaçin mbi përfundimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd
Boris Tadiq, në mënyrë shumë të qartë, të drejtpërdrejtë, dhe pa e fshehur fare, bëri të qartë, se realiteti në Kosovë duhet të njihet. Ai më konkretisht tha: “Realitet është se shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë sovranitetin e Serbisë, siç është realitet se serbët nga veriu i Kosovës kurrë nuk do të pranojnë sovranitetin e Kosovës”. Për njohësit e zhvillimeve rajonale, e më konkretisht për njohësit e zhvillimeve që kanë të bëjnë me raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Boris Tadiq nuk ka thënë asgjë të re nga ato që janë thënë më parë nga zyrtarë serbë, qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi. Mirëpo, kjo deklaratë, për herë të parë në mënyrë kaq të hapur, hedh dritë në deklaratën e përsëritur të Hashim Thaçit, se në fund të negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të pasojë njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tash, pas kësaj deklarate të Boris Tadiqit, mund të kuptojmë edhe më qartë, edhe pse unë këtë e kam thënë vazhdimisht, se Serbia do të jetë e gatshme ta njohë pavarësinë e Kosovës, pas një zgjidhjeje për veriun e Kosovës, e që do të jetë e pranueshme edhe për të. Respektimi i realitetit të krijuar, ndërkaq, do të thotë, respektim i atij realiteti që është krijuar gjatë viteve 1998-1999, e që kurrë nuk u zhbë. Në fakt, tashmë është e qartë se dështimi i diplomacisë hap pas hapi gjatë viteve 1996-1997, e që ishte diplomaci që do ta dëbonte Serbinë nga Kosova pa mundësinë e ndarjes së Kosovës, dhe zëvendësimi i saj me diplomacinë e luftës, kishte për qëllim pikërisht krijimin e një realiteti të ri, të atij realiteti që solli ndryshimin e relievit etnik në Kosovë, si dhe ndarjen e veriut të Kosovës. Dhe që atëherë, ky realitet nuk u zhbë kurrë, për t’u forcuar dhe për t’u zyrtarizuar hap pas hapi. Dhe zyrtarizimi i parë konkret, u bë me Pakon e Ahtisarit, me ndihmën e përfaqësuesve të dy linjave të dëmshme: linjës së Tiranës/Kretës dhe linjës udbasho-jugosllavokomuniste. Siç e kam thënë disa herë, dhe siç dihet tashmë, planin për ndarjen e Mitrovicës, për decentralizimin, dhe për trashëgiminë fetare dhe kulturore, e kanë hartuar këto dy linja nëpërmjet përfqësuesve të tyre: Bajram Rexhepi, Veton Surroi, Ylber Hysa etj. Tashmë, kur Serbia ka siguruar të drejtën e trashëgimisë së kishave, një pjesë e madhe e të cilave janë të periudhës para ardhjes së sllavëve në Ballkan, tashmë kur ka konsoliduar enklavat dhe pushtetin në veri të Kosovës, pra, tashmë kur ky realitet nuk zhbëhet dot me dhunë e as me marrëveshje, Boris Tadiq nuk e ka për gjë ta deklarojë hapur rezultatin përfundimtar të këtyre negociatave, apo edhe të një “Dejtoni” të ri për Kosovën. Kjo deklaratë, ndërkaq, fiton rëndësi më të madhe se është bërë pas takimeve me zyrtarë të lartë të BE-së, përfshirë edhe kryetarin, Herman von Rompui, gjatë qëndrimit në Bruksel, ku po merr pjesë në një Forum të BE-së, e në të cilin nuk ka asnjë përfaqësues nga Kosova.
Zaten, historia e deklaratave të zyrtarëve serbë lidhur me Kosovën, është një histori e shpërfaqjes se synimeve të tyre për ndarjen e Kosovës në baza etnike. Pas ofertës serbe për ndarjen e Kosovës, që e bëri Dobrica Qosiq më 1993, e që e kishte refuzuar presidenti Rugova, më 1999, në kontekst të Konferencës së Rambujesë, një delegacion i serbëve të Kosovës, në Rambuje, bëri të qartë se shqiptarë e serbë nuk mund të bashkëjetonin më. Ky ishte paralajmërimi i parë serioz, si dhe dëshmia e parë konkrete se konflikti i armatosur në Kosovë, Serbisë i duhej për ndarjen e Kosovës në baza etnike. Pas këtij konflikti, ishte Momçilo Trajkoviq, ai që pas takimit me Hashim Thaçin, deklaroi se kishte kërkuar kantonizimin e Kosovës. Dhe kjo deklaratë ishte bërë, kur ndarja etnike ishte bërë faktike. Më pastaj, Nebojsha Çoviq, e lansoi tezën për krijimin e dy rajoneve në Kosovë, edhe pse zyrtarisht kurrë Serbia nuk ka pohuar se do të mund ta njihte pavarësinë e Kosovës. Është për t’u vënë në dukje, se sa herë ka pasur ndonjë zhvillim të rëndësishëm rreth Kosovës, siç ishin edhe debatet për statusin e saj, siç ishin debatet e zhvilluara më 2001 e më pastaj, kanë ndodhur ngjarje që e thellonin komprometimin e shqiptarëve në sy të bashkësisë ndërkombëtare. Ishin demonstratat e ashtuquajtura gjithëpopullore në Mitrovicë që u motivuan nga një vrasje e një çunaku shqiptar, por që kishin për qëllim nxitjen e një konflikti ndëretnik në veri, ato që bënë një radikalizim të situatës dhe që e thelluan edhe më ndarjen e veriut të Kosovës. Në anën tjetër, ngjarjet e 17 dhe 18 marsit 2004, sikur i dhanë vulën ndarjes përfundimtare veriut të Kosovës. Dhe të gjitha këto veprime i realizonin rekrutët shqiptarë të shërbimeve sekrete, kurse i dirigjonin kanale mafiozo-politike dhe agjenturore serbe dhe të tjera. Fakti se kurrë nuk u bënë të njohura detaje të këtyre zhvillimeve, dëshmon se të gjitha këto ngjarje kanë qenë të orkestruara mirë dhe ishin të drejtuara kundër unitaritetit territorial dhe politiko-kushtetues të Kosovës, pra ishin në funksion të realizimit të interesave serbe në Kosovë, të cilat, presidenti Tadiq, tashmë i shprehu në mënyrë shumë të qartë dhe konkrete. Edhe gatishmëria e Bajram Rexhepit, në cilësinë e kryeninistrit të Kosovës, për t’u takuar me kryeminstrin e Serbisë, Zoran Xhinxhiq, ishte në këtë funksion, pra të legalizimit të ndarjes së veriut të Kosovës dhe të zyrtarizimit të enklavave në emër të decentralizimit, edhe takimet e shpeshta me drejtues të pushtetit serb në Kosovë që Bajram Rexhepi i zhvillonte ditën dhe natën, kanë qenë në këtë funksion. Tashmë kur Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës i kanë zyrtarizuar këto realitete, nuk ka mbetur tjetër, që, ashtu siç tha Tadiq, të njihet realiteti në terren, pra që Serbia ta njohë Kosovën, por edhe Kosova ta pranojë se e ka humbur veriun e Kosovës. Tash është radha e Hashim Thaçit që të sqarojë se a ka menduar këtë lloj zgjidhjeje kur ka thënë se në fund të këtyre negociatave do të pasojë njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse Tadiq, ka përdorur ndajfoljen “kurrë”, e që do të thotë se ka folur me vendosmëri shumë të madhe, “se serbët nga veriu i Kosovës kurrë nuk do të pranojnë sovranitetin e Kosovës”. Kjo do të thotë, që për ta njohur Serbia pavarësinë e Kosovës në fund të këtyre negociatave, duhet që edhe Kosova ta njohë “realietin në terren”.