Të pastrehët, 1000 banesa sociale dorëzohen në mars
Deri në maj të këtij viti, Ministria e Transportit parashikon të përfundojnë 1138 banesa sociale në të gjithë vendin. Qeveria synon të shpërndajë banesat sociale para zgjedhjeve lokale të këtij viti. Sipas të dhënave të fundit zyrtare nga Ministria e Transportit, afati fundor për dorëzimin e tyre është muaji mars i këtij viti deri në qershor. Ndërkohë që mësohet se janë dorëzuar 72 apartamente, të cilat i përkasin prefekturës së Beratit dhe Peshkopisë. Ministria e Transportit, nëpërmjet një udhëzuesi të posaçëm për këtë qëllim, sqaron se, ata që janë përzgjedhur në fazën e parë, do t’ju vijë njoftimi nga Bashkia përkatëse për t’u paraqitur për plotësimin e fazës së dytë të formularit, i cili mund të shkarkohet nga internet. Në këtë fazë, të gjitha të dhënat duhet të jenë të mbështetura me dokumentacionin përkatës. Nëse nga dokumentacioni rrjedhin fakte të ndryshme nga ato të deklaruara, bashkia mund të t’ju skualifikojë. Por nëse je përzgjedhur dhe keni pretendime mbi procedurën e përzgjedhjes, mund të paraqisni ankimin pranë strukturave vendore. Sipas planifikimit të vitit 2007 – 2008, me këtë skemë pritet të trajtohen rreth 6,000, që kanë aplikuar pranë bashkive dhe që përfitojnë kredinë me interes 3% në vit. Për rreth 1,500 – 2,000 familje qiramarrëse në ish-pronë private, që përfitojnë kredinë me interes 0%; dhe rreth 500 – 700 familje të funksionarëve të lartë të shtetit dhe nëpunësve civil, të cilët përfitojnë kredinë me 4% interes në vit. Niveli i të ardhurave është përcaktuar për çdo qytet dhe strukturë familjare. Duke filluar nga mesi i vitit 2009, e deri në fund të vitit 2010, janë disbursuar kreditë për 430 familje. Procedurën e përzgjedhjes për të pastrehët e kryejnë bashkitë. Kështu, drejtoria e strehimit, ose sektori i shërbimeve, bën evidentimin e aplikimeve që janë dorëzuar deri në atë kohë. Më pas miratohet sistemi i pikëzimit dhe 3- Ngrihet Komisioni i Strehimit, në përbërje të të cilit duhet të ketë përfaqësues të shoqatave, që mbrojnë interesat e grupeve të veçanta (jetimë, të verbër, para a tetraplegjik, etj..) Komisioni, çdo personi që ka aplikuar për banesa sociale, i vendos pikët e grumbulluara dhe bën radhitjen. Struktura përkatëse në bashki, harton materialin me renditjen sipas pikëve dhe e vendos në një vend të dukshëm për të pritur ankesat. Më pas, lista përfundimtare i kalohet Këshillit Bashkiak për miratim.