Çmendet çmimi i bukës në rrethe
Çmimi i bukës çmendet në disa prej qyteteve të jugut. Ndërsa Vlora, Korça e Pogradeci, gjatë tre muajve të fundit kanë pësuar herë pas here rritje të çmimit të produktit jetik, duke e çuar atë në 100 lekë për çdo bukë normale, qytetarët e Fierit prej disa ditësh e blejnë atë me 120-140 lekë, sipas furrave dhe pikave të tregtimit. Por këta qytetarë janë paralajmëruar se në ditët në vazhdim do të blejnë bukën normale me 160 lekë. “Nga 100 lekë, buka u rrit 1 javë më parë dhe u bë 120 lekë, e vetëm për dy ditë ajo shkoi 140 lekë. Na kanë thënë se do të shkojë 160 lekë. Nuk e përballojmë dot këtë çmim dhe kemi filluar ta gatuajmë vetë bukën”, - u shpreh një qytetare. Shumë familje të tjera në këtë qytet kanë nisur ta gatuajnë vetë bukën, duke u përpjekur të ulin koston e produktit jetik. Ndërsa tregtuesit e bukës justifikojnë rritjen e çmimit të këtij produkti, me rritjen e çmimit të grurit dhe miellit. Sipas tyre, janë furnizuesit që ua sjellin me këtë çmim. Ndërsa kur kryeqyteti është vërejtur gjithmonë si vendi me çmime më të larta, të produkteve ushqimore, në krahasim me qytetet e tjera të vendit, gjatë vëzhgimit që MAPO bëri në furrat dhe pikat e tregtimit të bukës, rezulton se kjo tabu ka rënë. Në kryeqytet, çmimi i bukës ka pësuar vetëm 10 lekë rritje, që prej dy muajsh. Por ajo që konstatohet është se për të njëjtin çmim, në pika të ndryshme tregtimi, nuk merr të njëjtën sasi buke. Nga 4 furra që kontaktuam përgjatë rrugës së ‘Brrylit” , vumë re se çmimi varionte nga 70 lekë për një bukë, në një pikë 700 gramë, në një tjetër 750 gramë, e në një tjetër buka 700- gramëshe kushtonte 80 lekë. Ndërkohë që vendin e ka përfshirë kriza politike dhe gjithë vëmendja është përqendruar aty, përsa i përket ekonomisë, vendi po përjeton krizën më të madhe të çmimeve të çmendura që ka pasur ndonjëherë. Furnizuesit dhe tregtarët po spekulojnë falë situatës së nderë në vend, duke rritur në stratosferë çmimet e mallrave të shportës. Si produktet bazë, duke nisur nga buka, vaji, orizi, mielli, sheqeri, fruta-perimet, ashtu edhe karburantet kanë bërë që të rëndojnë xhepat e konsumatorëve dhe psikologjinë e tyre. Ndërsa duke iu referuar raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë rezulton se në fundin e vitit që sapo u mbyll, rritja e çmimeve të mallrave të produkteve të shportës, ishte e fortë duke mbetur vetëm disa pikë përqindjeje larg vlerave të larta të regjistruara në mesin e vitit 2008. Gjatë këtij gjashtëmujori, pati rritje në nënkategorinë “Bukë dhe drithëra”. Inflacioni i kategorisë “Bukë dhe drithëra” ishte 5% në periudhën gusht-shtator, ndërkohë që përgjatë gjithë periudhës janar-korrik shënonte vlera negative me një mesatare prej -2.2%. Duke iu referuar të njëjtit raport, ecuria e normës së inflacionit, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010, reflektoi nivelin e çmimeve të larta të produkteve ushqimore dhe atyre të lëndëve të para për energjinë (kryesisht nafta dhe gazi) në muajin e fundit të tij, si dhe shuarjen e efektit inflacionist të rritjes të çmimeve të disa prej mallrave me çmime të administruara në fundin e vitit të kaluar. Gjithashtu, një pjesë e rritjes së çmimeve në tregun vendas, shpjegohet nga ekspertët me reflektimin e tregut ndërkombëtar. Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tregjet ndërkombëtare, çmimet e ushqimeve janë rritur kryesisht si pasojë e kushteve të papërshtatshme klimatike në Rusi, të cilat kanë ndryshuar pritshmëritë botërore për ofertën e drithërave për vitin 2011. Ndërsa parashikimet për vitin 2011, sipas Bankës Qendrore, niveli i përgjithshëm i çmimit të ushqimeve pritet të vazhdojë të jetë nën veprimin e hendekut negativ të prodhimit, por në një masë më të vogël se në vitin 2010. Po sipas raportit të BSH-së, ritmet pozitive të rritjes së kërkesës së brendshme do të ngushtojnë më tej hendekun negativ të prodhimit, megjithatë, ato nuk do ta eliminojnë plotësisht atë. Në këtë mënyrë, kërkesa konsumatore do t’i ngjajë vitit që lamë pas. Nga ana tjetër, sqaron raporti i BSH-së, i pranishëm do të vazhdojë të jetë edhe veprimi i rritjes së çmimeve të huaja dhe të atyre të administruara.