Të pavarur nga Pavarësia
• Nga Prishtina Suela RusetiIndipendence is better than vodka”. (Pavarësia është më mirë se vodka) shkruhej në një nga bluzat e stampuara ndër shumë syresh origjinale që shihje rrugëve të Prishtinës, të dielën më 17 shkurt. Vodka, pija e famshme ruse që ironikisht sot nuk deh kurrë më shumë se pavarësia. Dhe, përjetimi ishte pikërisht ai, njerëz lumturimisht të ekzaltuar, me sy që shkëlqenin, të gatshëm të të përqafonin pa të njohur (aq më tepër nëse vije nga Tirana). Nuk dua të hyj në arsyetime politiko-historike. Do t’i shkruaj një tjetër herë. Dua vetëm të rrëfej një përjetim.Rruga nga Kukësi ishte e gjatë, vende-vende me ngrica dhe makinat tona, jo fort të përshtatshme, gati nuk po e përballonin. Por ani, ishim nis me do miq për me festue pavarësinë e Kosovës. A kish kuptim me u frigue?! Ishim nisur me përshtypjen se do të gjenim kalvar të gjatë makinash në kufi, por jo Këtë gjë e ndjemë edhe më pas, rrugëve të Prishtinës, ku takuam plot gazetarë, por jo aq prisnim të ardhur nga Shqipëria, me rrugë e mjete të ndryshme, edhe pse jam e bindur shumë do kishin dashur. Ndoshta moti, mjetet, mundësitë… Drejt të themi, në një të tillë ngjarje të ngjashme, Kosova do ishte shkulur e gjitha në Tiranë. Dhe të freskëta i kemi pamjet e tifozëve të mrekullueshëm nga Kosova, që ta themi hapur, na kanë ngritur edhe ne adrenalinën jo fort të lartë prej tifozi nacionalist. Lemë kufirin, ku në të dy anët e postbllokut na përgëzojnë shqip. Jemi në Prizren, një mik na flet plot krenari e emocion për flamurin 3 mijë e 5 metra e 98 centimetra që do rrethojë të nesërmen gjithë Prizrenin. “A po vini nesër n’Prishtinë” e pyesim. “Besa, si s’po vijmë, po s’dimë a mujm, se do bllokohen rrugt. Po ju me targa Tirane i keni t’çbllokume”. Qeshëm, se menduam se ishte batutë. Por paska pas të drejtë. Rrugët ishin vërtet gati të bllokuara, por targa TR ishte e magjishme si gjithmonë në Prishtinë, por shumëfish më shumë, edhe në një ditë kaq të ngarkuar me qarkullim. Prishtinë. Lodhja na u fanit magjishmërisht menjëherë posa dolëm në shesh të shtunën në mbrëmje. E kishim menduar, por përjetimi ishte krejt tjetër, emocioni ishte i pashmangshëm, përfshirja e paevitueshme, ekzaltimi i pafjalë. Takojmë miq e plot gazetarë nga Shqipëria... Vigjilja më e bukur e përjetuar. Një darkë në restorant tipik, ku nuk mungon suxhuku e rakia, i mbushur plot, por vende do të gjejmë... jemi nga Tirana. 17 shkurt, në minus 11 gradë, dëbora dukej më e ngrohtë se kurrë. Zgjohemi jo fort herët, zbresim në bulevardin që nis të mbushet. Tezgat përgjatë tij ofrojnë ushqim festiv… pa pagesë… fitimi nuk ka sot kuptim në vlerë monetare, asnjë valutë nuk do të arrinte të këmbehej me vlerën dhe nivelin hiper të lartë emocional. Njerëz të lumtur, thirrje, bori makinash, fishekzjarrë, përqafime, urime, këngë, hare… më mirë se vodka, padyshim.Ora 14.00. Rrugët janë në të derdhur e sipër nga moria e njerëzve “të dehur” nga ajo që pritej pas shumë sakrifice, gjaku, lotësh, përpjekjesh, ëndrrash. Në hotel “Grand” ka nis vallja, e holli gati s’po kish ndasi nga sheshi. Nga një ekran mesatarisht i madh shfaqet drejtpërdrejt seanca e Kuvendit të Kosovë. Dëgjohet pak, por ndihet shumë. Jakup Krasniqi, diç tha, në holl brohoria ia mbyt zërin, e në efekt seri të gjithë thërrasin, duartrokasin, ngrenë duar, filmojë, bëjnë foto, përqafohen… vejnë e vijnë njerëz të veshur me kostume kombëtare, që duket sikur mbijnë nga një tjetër kohë. Në ç’vit jemi? Jemi në vitin e Pavarësisë, ç’rëndësi kanë shifrat. I gjithë holli voton me duar lart gjithçka që votohet në Kuvendin e Kosovës.Organizim i paorganizuar, por i vetprogramuar në mënyrën më fantastike të mundshme. Dehja është në kulm, pa alkool. Një mjet policie shoqëron një makinë të mbushur plot me të rinj që thërrasin pafund brenda e mbi makinë, …pa e ndalur, thjesht i qëndron pranë, jam e bindur, edhe me buzëqeshje madje.Na duhet të kthehemi, të hënën nis puna në Shqipëri. Me kokën e zemrën pas, marrim rrugën e kthimit. Makina, lënë në periferi për lehtësi daljeje nga qyteti. Ecim në këmbë, nuk është larg. Për koordinatat deri në atë pikë pyesim një polic. I lumtur, gati harruar autoritetin, na përgjigjet me humor “Do ua shpjegoj me tekstin tuaj”. Dhe duke gërmëzuar çdo fjalë në një shqipe letrare të sforcuar, por të mrekullueshme na shpjegon rrugën duke i shtuar në mënyrë shumë të këndshme shumë “ë” fjalëve: “Për të mbërriturë deri në vendin e duhurë duhet bërë një kthesë majtas, e pastajë një rrotullimë…”. Dhe e mbyll shpjegimin me: “Ju marrsha t’keçen”.Rrugët e kthimit na hapen pa më t’imtën pengesë nga policia, shoqëruar me buzëqeshje falënderimi. Shkëmbehemi me makina të tjera plot kosovarë që janë gati të na shoqërojnë deri në kufi, na fotografojnë, na falënderojnë, na urojnë, na dhurojnë pije freskuese “për me i pas gjatë rrugës”… jemi nga Tirana. Do vijmë edhe shumë herë të tjera në Prishtinë, tanimë në kryeqytetin vëlla të shtetit më të ri në Botë. Të shtetit që do të dijë t’u tregojë të gjithëve vlerat shtetformuese, të shtetit që do të shkëlqejë më shumë në Ballkan.Pavarësia është mjeti, jo qëllimi. Sfida nis tani. Tani që Kosova është e pavarur nga Pavarësia.