E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri: Me Shqipërinë deri në Botërorin e 2010

• Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Debatik Curri, ka thënë se do të qëndrojë në këtë skuadër deri në fund të eliminatoreve për Botërorin 2010.“Kombëtarja shqiptare po përgatitet për eliminatoret e Botërorit ‘Afrika 2010’. Sigurisht, që ne do të jemi pjesë e Kombëtares shqiptare edhe për këtë edicion, ndërsa se çfarë do të bëhet më pas, do të bisedojmë të gjithë së bashku dhe do të marrim vendimin e duhur. Për momentin është ende herët, sepse Kosova në këto eliminatore nuk merr pjesë dhe do të ishte e palogjikshme të braktisim Kombëtaren shqiptare”, ka thënë Curri për të përditshmen kosovare “Kosova Sot”. Curri është shprehur optimist se Kosova do të anëtarësohet shumë shpejt në organizmat ndërkombëtare dhe futbolli kosovar po ashtu. “Mendoj se pas formimit të shtetit në Kosovë do të ketë zhvillime pozitive edhe në futboll. Ka shumë talente, por deri tani kanë munguar kushtet. Sigurisht, që pas zgjedhjes së Vokrrit, do të ecin punët më mirë dhe FFK-ja do të marrë edhe donacione nga UEFA e FIFA, çka do të rrisë edhe cilësinë në kampionatin e Kosovës dhe në përgjithësi në futbollin kosovar”, është shprehur Curri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›