E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesimizmin e triumfit të linjës së bllokimit s’do ta lëmë të na mposhtë

10-06-2012 / Nga Eden Babani

Thonë se më e fundit që e lë njeriun, është shpresa. Shpresuam në mënyrë të vagulluar të kishim një president jashtë politikës, i cili do të përmbushte të gjitha kërkesat e çastit dhe do të bindte faktorin ndërkombëtar se krahu bllokues i politikës shqiptare, më në fund, do të hynte ca nga ca në hullinë e kërkuar prej tyre dhe prej interesave të vendit. Shpirti i bllokimit i kreut të opozitës ngadhënjeu sërish të premten e shkuar. Fill pas lajmit se u dogj edhe raundi i tretë dhe i fundit për të pasur një president me konsensus të gjerë të palëve, një tjetër “fitore” e përkohshme e Ramës: tërheqja e zotit Zaganjori nga gara presidenciale. Vendimi që mori kandidati i paraqitur prej shumicës qeverisëse, ndonëse jo në të mirë të procesit, është për t’u përshëndetur, pasi vërtetoi katërçipërisht karakterin dhe dinjitetin njerëzor që e karakterizojnë. Tashmë, klaneve të majta që synojnë pushtetin në tryezë, iu dogjën letrat përfundimisht. Ua vërtetoi shqiptarëve njeriu i njëzet flamurëve, Spartak Ngjela, i cili, dashur-padashur, ia zbuloi petët lakrorit kur tha se radhën për të propozuar emrin e presidentit të ardhshëm e paska opozita, pasi shumicës nuk i takon më kjo e drejtë, meqë propozimin e saj  nuk e pranoi pakica! A ka logjikë  kushtetuese (edhe politike, po të doni) më të çakorduar se mbroçkullat e avokatit? A thua me të tilla marrëzi do të vijë radha e rrotacionit në vendin tonë, të cilit i ra fati i keq të mos ketë një opozitë të vërtetë? Mjerë ne ç’na pret!
Pika kritike ku është katandisur zgjedhja e presidentit të Shqipërisë, s’lë pikë dyshimi se do ta vështirësojë konsensusin europian për integrimin e saj në BE. Këtë synonte Edi Rama, këtë arriti, ndonëse fshehur pas fjalëve, “konsensus”, “mirëkuptim”, “palë pjesëmarrëse në proces” etj, ndonëse gjithnjë e më tepër po na del ekraneve të televizionit si ujku me lëkurë qengji.
Pretendimet e tij se mot do të jetë kryeministër i vendit dhe se, për këtë arsye, më në fund do të japë konsensus për ta bërë vendin me një president të denjë ngase i duhet mbështetja e saj për reforma të mëtejshme, është demagogji e gjallë, përzier me cinizëm, me karagjozllëk dhe me dashakeqësi. Duhet të jesh i pafytyrë që t’i kërkosh konsensus dhe bashkëpunim shumicës qeverisës, pasi ke shkelmuar konsensusin e saj në mënyrën më të paskrupullt. Gjëmë pas gjëme, dhe nga një shashkë deklaratë po na shohin sytë e po na dëgjojnë veshët, shashkë deklaratë për të mbijetuar në politikë.
Një veprim politik, i frytshëm ose jo, matet me rezultatet që jep. Ndërsa rezultatet e shumicës qeverisëse i shohin të gjithë -faktori ndërkombëtar gjithashtu - ato të politikës së Ramës tashmë kanë dalë lakuriq në dritën e diellit. Ato i perceptojnë edhe të verbrit me ndjesitë e tyre, përveç një shpure pranë tij, lidhur me interesa vetjake të çastit, dhe përveç një turme militantësh të droguar me frymën e urrejtjes që pasardhësi i Bllokut e ka trashëguar prej babait të tij shpirtëror dhe e ka ushqyer jo më pak mjeshtërisht se ai? A mund të shpresojnë shqiptarët se do t’u afrohen ndonjë herë dyerve të Europës së Bashkuar me një anrtieuropian të kultivuar në oborrin e Enver Hoxhës, i cili mban në krah si ndihmësin më të afërt, ministrin e fundit të brendshëm të diktaturës komuniste?
Do apo s’do Edi Rama, takohet a s’takohet më me Berishën, i cili - ma marr mendja - s’ka kohë të tepërt për pazarllëqe politike, Shqipëria do të ketë një president të denjë për institucionin. Të pabesëve nuk u duhet zënë besë, as kur trimërohen, as kur bëhen qaramanë dhe derdhin lot krokodili. Deklarata e djeshme e kreut socialist, i fsheh të dyja maskat.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›