Fokus/Fati i çiftit Nano-Rama, në shtratin e Prokustit
Njëra prej të përditshmeve është ajo të cilën unë e lexoj në mënyrë të pandërprerë. Nuk është e nevojshme ta citojmë me emër, se do të qortohemi për publicitet organesh të preferuara. Më pëlqen ai organ i shtypit, se më duket se herë-herë ka disa nga pikëpamje si ato të “55-s”, sido që ndonjë medie, nuk e paraqet gazetën tonë në shtypin e përditshëm. Dy ditë më parë, në parlamentin tonë u bë një fshikullimë kundër gazetarëve, në përgjithësi. Dihet se nga cili krah i politikës. Sepse dr. Berisha ka folur kurdoherë me simpati për gazetarët. Në një artikull me titullin “F.Nano, fundi i një rruge”, jepet një profil politik i kryetarit historik të PS-së. Origjinaliteti qëndron në atë se, përkundrejt opinionit të përgjithësuar (jo të përgjithshëm), në panelet e medieve dhe në organet e shtypit është bërë një portret tërë zulmë ndaj liberalizmit të politikanit që i humbi zgjedhjet në 2005-n, duke i dhënë rastin E. Ramës, që të shprehë, për herë të parë buzëqeshjen e tij (ngërdheshjen, në të vërtetë) dhe të quajë të vetmet zgjedhje ku ai është humbës, si të paqortueshme. Arsyeja është e thjeshtë. Për Ramën nuk ka rëndësi fitimi ose jo i zgjedhjeve: Ka rëndësi karriera e tij vetjake; arsyeja e arsyeve që ai të jetë i parë mbi të parët, qoftë edhe me stratagjema mefistofelike (Këto nuk janë të autorit që po citojmë). Që të jem i qartë për lexuesin, do të më duhet që të përmbledh fare shkurtimisht këtë fizionomi të politikanit-dinosaur, - siç e quan ai z. Nano, - “që po kërkon të shkojë në majë të piramidës shqiptare, prej 10 vjetësh”. Ai i ngjan présë që kishte aq qejf kur ishte gjahtar – vijohet më poshtë në këtë artikull. Autori nuk është në njëmendje me z. Nano, kur ky „vajton mungesën e integrimit, moszhvillimin ekonomik, korrupsionin e lartë“ sepse „ai e kishte rolin e përkeqësimit të këtyre faktorëve“. Ai e kishte në dorë integrimin, kur e drejtoi për tetë vjet mazhorancën e majtë - sipas artikullshkruesit. Dhe e shpjegon me një fragment mjaft rëndues: “Keqqeverisja e tij, manipulimi i zgjedhjeve, nepotizmi, klientelizmi dhe stili rrugaçëror i drejtimit të shtetit ishin faktorët që në çdo raport të Brukselit për Shqipërinë të thuhej: “dy hapa para dhe një pas”. Nuk lë pa përmendur edhe monopolet e krijuara nën qeverinë Nano, si edhe klientelizmin e pashembullt për biznesin. Më tej flitet për modelin e F. Nanos: „Korrupsioni i lartë në drejtësi dhe në të gjitha fushat shoqërore, (…) është “par exellence”, modeli i Fatos Nanos“. Sipas autorit, ”është një model i thjeshtë, një model korrupsioni, një model „se si të zhvatësh shtetin dhe popullin për t’u pasuruar vetë, me praninë e një grusht njerëzish servilë, që të ndjekin nga frika e pushtetit me adhurim si perëndi“. Për unitetin kombëtar: Ideologët e tij, e Nanos, ishin ata që fabrikonin termat “çeçenë” dhe “malokë”. Për ish-të përndjekurit politikë: „Nuk bëri asgjë në 8 vjet për ta, as për ish-pronarët, të cilët edhe sot e kësaj dite dalin dhe kërkojnë të drejtën e tyre të munguar“. Dhe vazhdon: „Nuk pati kurajë të kërkonte një ndjesë publike, nuk bëri një përpjekje të ishte kryeministër i të gjithë shqiptarëve”. Nuk marrim përsipër të shqiptohemi nëse pajtohemi ose jo me këto mendime. Ndërhyrja jonë i përket pjesës së këtij shkrimi, në mbarim të paraqitjes së mendimit të plotë të autorit që flet edhe për “KPD-në e famshme socialiste”, për mbytjen në Adriatik në gomone të dhjetëra qytetarëve, „ndërsa ai festonte buzuqeve të Selanikut“. Promovimin në krye të piramidës shtetërore ky shkrim e quan “lajm të keq të riciklimit“. Por vazhdimësia më duket interesante: “Lajmi i mirë paradoksalisht është fakti që sistemi që Nano ngriti dhe i bëri hyzmet aq shumë, (…) po tregon se „në këtë vend, po ré nga kali, ata që deri dje (të) mbanin shalën që të hipje lart, pasi ke rënë, të futin një shkelm bythëve. Kjo është ironia që po i ndodh sot Fatos Nanos. Janë ata të vetët, që ai i bënte leckë, që sot nxitojnë “ta shkelmojnë”. Konformizmi në shoqërinë shqiptare solli frustrimin e individëve të përfshirë në politikë, të cilët, të fyer e të nëpërkëmbur, presin shansin e tyre për t’i dhënë një goditje ish-liderit. Fatmirësisht, edhe pse nisur nga norma morale jo të lavdërueshme, është vetë modeli i tij që s’e lejon të ngjitet lart. Ajo çka po pësojnë sot Fatos Nano dhe dalëbojësit e tij është një shembull shumë i mirë, një rreze shprese për të nesërmen e këtij vendi. Një frymë pozitiviste, ku jepen shenjat se shoqëria nuk lejon riciklimin e abuzimit; askush nuk harron. Kujtesa e fortë dhe e mirë është vërtet shpresë për një të nesërme ndryshe“.
***
I bëj të njohur lexuesit se pjesët kryesore të shkrimit janë pasqyruar dhe cituar, madje. Nuk mund të mëtoj se autori duhej të shkruante edhe për Edi Ramën. Jemi të një mendjeje ose jo për z. Nano, kjo s’ka rëndësi për shkrimin tim. Mua po më kujtohet, me këtë rast, ai shablloni i përçartur i Ramës, që të quajë të gjitha zgjedhjet në të cilat ai është humbës, si “të manipuluara”. Në leksikun e tij, këto janë “të vjedhura”. Kjo shpjegon faktin përse zgjedhjet e 2005-s, nuk cilësohen kurrë nga ai, si “të vjedhura”. Për dy “arsye” ato zgjedhje do të duhet të quheshin më të dobëta se të gjitha pasardhëset. Dhe, sidomos, më të dobëta se ato të 8 majit të vitit 2011. 1.Se ato u bënë me lista zgjedhore që u quajtën të Bashkim Finos. Dhe mbështeteshin në regjistrat e minibashkive, me gabime të panumërta dhe me mundësinë që të merrje edhe dhjetë të tilla, me 50 lekë të reja, secilën. Listat nuk u ekspozuan në kohën e duhur. Por as që kishte kohë të bëheshin korrigjimet. Se në të njëjtën familje, burri ishte regjistruar në Kinostudio, gruaja në Kombinat! Krahasimi me kartat biometrike, për kah shkalla e sigurisë, është absurd. Vetëm një tru hiperbolik si ai i E. Ramës mund të supozojë 70.000 karta të tilla të falsifikuara! As dy, jo 70 mijë, s’mund të jenë të tilla. Kur doli G. Ruçi, me dy karta të tilla të mbajtura në distancë nga kamerat, ai tha se ato të dyja ishin të falsifikuara. Duke qenë se manipuluesit na paskëshin qenë demokratët (!), atëherë ai, thjeshtësisht mund të nxirrte emrat e “armiqve!”. Duhet të procedoheshin. Nuk e bëri këtë. I vinte keq për kundërshtarët falsifikatorë? Është e tepërt t’i japësh përgjigje pohuese kësaj idiocie. Përgjigja është elementare. Ishte një blof! Gënjeshtrat e Ramës janë të karakterit të pabesueshëm. Është si të besosh se 20.000 komisionerët e tij e kishin tradhtuar! Duhej ngritur një shoqatë, ajo “E Komisionerëve”, që ta hidhte në gjyq dhe të kërkonte 20.000 euro gjobë, nga një euro për secilin, për atë akuzë në havá! (Ndonëse i akuzuari i shkretë, nuk kishte veçse 3000 euro, gjithsej!). 2. Për nga transparenca, asnjëherë nuk ka pasur zgjedhje të tilla, si ato të 8 majit. Gjithçka përpara syve të shikuesve. 24 orë në 24, vetëm në emisionin TV të abc News-it. Por duket se “transparente” Rama quan vetëm ato kur mposhti brutalisht, në mënyrë obskurantiste, mbledhjet për të mposhtur elitën e PS-së, kundërshtare të tij, nën emblemën e LMN-së (Lëvizjes për Mendimin Ndryshe). Tani ajo lëvizje u shkërmoq dhunshëm. Mund të dëshmojë Kastriot Islami! Ka ardhur koha t’i thuhet Edvinit të heqë dorë nga propaganda e tij mashtruese me akuza anonime. Në vend të “M’i vodhën votat”, të thuhet troç e shkoqur: “I vodhi filani e filania”. I tillë mund të dilte dilte nga shikimi i qindra mijëra shikuesve, që nuk vunë ré asnjë anomalí, përveç një kutie votimi që kishte pësuar një plasurinë se i kishte rrëshqitur nga dora një militanteje të PS-së e kishte rënë nga kamioni në tokë. Atë krisje né, shikuesit, e pamë që ishte e tillë sa s’mund të hynte dot as miza e dheut dhe jo më e gjithë dora, gjer në bërryl (!), sipas halucinacioneve e syve daltonikë të Edi Ramës! Abuzimet propagandistike në këtë rrjedhë janë bërë të padurueshme: “Dy deputetë të majtë na qenkan yshtur për t’u blerë, në një votim parlamentar!”. I thënë kështu, si një lajm pa përmendur emrin, personit që i ka në ADN-në e tij këto huqe djallëzore utilitariste, le t’i vihen nga gazetarët që nuk i durojnë dot këto hile pa kripë, tiparet e aventurierëve politikë. E kuptojmë se E. Rama, edhe në 1913, me humbjen elektorale, do ta përdorë sërish atë sloganin e pështirë, “M’i vodhën votat”! Natyrisht, pa vënë gishtin në individë konkretë. U bë bozë. Prandaj do të bëhet i pabesueshëm. Madje me një mbrojtje kapërcipërisht vulgare!
Për ta përfunduar, duke e lënë titullin e shkrimit për në fund, vijmë te Prokusti i mitologjisë greke. Ky ishte një brigant me shtratin e tij të famshëm. I ndëshkonte viktimat e tij, duke i vënë në këtë shtrat. Të gjatit, ia priste këmbët. Personit të shkurtër, ia tërhiqnin këmbët sa ta zinte plotësisht atë që quhej shtrati i Prokustit. Sipas kësaj mitologjie, të dy personat e këtij tregimi do ta pësonin më keq. Për shkak të ndryshesës së theksuar me këtë shtrat ndëshkues. Por, duke dalë nga mitologjia në realitetin tonë, mund të bëhet një hipotezë, që më duket se ka munguar gjer tani: - Ç’do të ndodhte sikur z. Nano, pas përfundimit zgjedhor të vitit 2005, ky të dilte me vendosmëri dhe me paturpësi e të thoshte me grintën, që nuk i mungonte: “Unë fitova! Por m’i kanë vjedhur votat!”. A do të zbatohej neni 28 i Statutit të PS-së? Pyetja i drejtohet, natyrisht, Edi Ramës. Mendoj se do ta kishte të vështirë të jepte një përgjigje bindëse. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se duelin do ta fitonte Nano. Çka është një dëshmi e epërsisë së tij ndaj E. Ramës. Atëherë, jo tani kur Rama po e trajton me shpërfillje ish-bamirësin e tij.