Komenti/Maska e Elisa Spiropalit dhe Erjon Velisë
Ditën e martë 12 qershor, Forumi rinor Eurosocialist, në kujdesen e veçantë të sekretarit për rininë z. Erjon Veliaj, organizon zgjedhjen kreut të kësaj strukture partiake. Partia Socialiste me një strukturë organizative të themeluar 70 vjet më parë, me një kulturë ideologjike thellësisht antiamerikane, po synon të instalojë formulën amerikane të “primareve”: zgjedhje përmes debateve dhe konfrontimit të platformës politike. Kjo formulë amerikane e Erjon Velisë, siç është njoftuar më parë, pati oponencën e saj të fortë nga xhaketat e vjetra të partisë (Ruçi, Dade, Braçe, etj), por mbështetja e Edi Ramës për këtë lojë imazhi mbizotëroi. Dukja, si duket, është më e rëndësishme sesa përmbajtja. Prandaj prej një muaji kanë filluar “mbledhjet” e mini-partisë në çdo rreth të vendit, ku telefonohen mediat dhe afrohen miqtë reporterë, sepse 6 rioshë të pafajshëm me pikëpamje “të majta” japin freskinë e tyre në këmbim të ëndrrës për marrjen e çelësave të zyrës së kryetarit të FRESH-it.
Gjithsesi, kjo “garë” ka të gjitha gjasat të jetë veçse një operacion imazhi. Një lojë me maska njëlloj si në teatrot italiane të “Commedia dell’arte”. Këtë tezë e përforcon fakti se, në garë me rioshët socialistë, është edhe “plaka” Elisa Spiropali, e komanduara e Ramës pas silurimit të ish-drejtueses Megi Ajtyresa. Elisa Spiropali, e afërt me Erjon Velinë qysh prej Mjaft-it, është 29 vjeçe, në kufijtë e moshës 30 vjeçare që duhet të ketë drejtuesi i forumit. Statuti i PS-së përcakton tavanin 30 vjeç për fundin e mandatit të kreut të FRESH, prandaj nëse e komanduara e Ramës, Elisa Spiropali do të “fitojë” garën, ajo do ta drejtojë forumin për 9 muaj. Komandantja Spiropali, për t’u dukur sa më e afërt me formulën amerikane të Erjon Velisë, ka përmbledhur në libër shkrimet kundër qeverisë, të titulluara “Maska ra”. Libri do të dhurohet falas ditën e martë, si një shpërblim intelektual për 5 aktorët-kandidatë për kreun e FRESSH.
Gjithashtu, propaganda me të rinjtë, sipas formulës së importuar të “primareve” amerikane në Partinë Socialiste, është produkti i parë i punëtorëve të ish-fabrikës “Mjaft”. Kooptimi i Erjon Velisë dhe shumë 99-shave të tjerë (Olta Xhaçka, Endri Fuga, Arbër Mazniku, Elisa Spiropali, etj) në forumet e larta të PS-së, është përfundimi i një rezultanteje të njohur: transfuzioni i gjakut të ri brenda një organizmi të konsideruar i sëmurë. FRESSH është themeluar më 15 janar të vitit 1992 nga një grupi të rinjsh studentë dhe gjimnazistë me prindër komunistë dhe sot komandohet nga Elisa Spiropali, ish-drejtuese e fondacionit “Mjaft”.
Ditën e martë, 12 qershor, në përvjetorin e PS, i ashtuquajturi kongres i FRESH, me mbi 2 mijë delegatë, do japë spektakël për sytë e xhaketave të vjetra të PS. Shpërfytyrimi i një forumi politik rinor në një organizatë joqeveritare pret aktin e parë të themelimit. Erjon Veliaj dhe shokët ish-Mjaftistë po hedhin rrënjën brenda një toke të djegur për shumë vite. Se çfarë do të prodhojë ky terren vështirë s’parashikohet, por mund të merret me mend se produkti do të jetë jo i ëmbël.