PD, gjueti "shtrigash" ndaj mbështetësve të PS-së
Arta Dade denoncoi dje fenomenin e shkarkimeve dhe presionit të vazhdueshëm nga ana e drejtuesve vendorë ndaj mbështetësve të PS-së
TIRANË - Partia Demokratike po ndërmerr një gjueti "shtrigash" ndaj gjithë atyre që mbështetën Partinë Socialiste në fushatën për zgjedhjet e 28 qershorit. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, Arta Dade, denoncoi dje këtë fenomen, duke theksuar se, rastet në fjalë, PS-ja ua ka servirur ndërkombëtarëve.
"Mbasi Partia Demokratike përdori gjithë burimet shtetërore, në dispozicion të fushatës së saj, jam sot këtu për të ripërsëritur denoncimin tonë publik, lidhur me largimet nga puna, për arsye thjesht politike, të mbështetësve të Partisë Socialiste.
Ky akt i paprecedent për një shoqëri demokratike, tregon edhe njëherë mentalitetin e vjetruar të përfaqësuesve të Partisë Demokratike në nivel lokal dhe qendror. Gjithashtu, jo më larg se dje, struktura të specializuara të Ministrisë së Financave, vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi mbështetësit e Partisë Socialiste, pa kursyer as kandidatët për deputetë",- tha Dade.
Ajo shtoi se "këto shqetësime i kemi ndarë me përfaqësuesit e nderuar tanë ndërkombëtarë, të cilët nga ana e tyre kanë bërë verifikimet përkatëse dhe madje është konstatuar që lista e mbështetësve të Partisë Socialiste të larguar nga puna thjesht për qëllime politike, madje që javën e parë mbas zgjedhjeve të 28 qershorit, rezulton të jetë edhe më e madhe sesa ajo që i është vënë në dispozicion trupit diplomatik nga ana e Partisë Socialiste".
Për këtë arsye, Dade ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, të cilët, nga ana e tyre kanë konstatuar këtë gjë, duke venë në funksionim edhe mjaft shoqata joqeveritare, që janë të angazhuara në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
"Kjo është njëherazi shkelje e së drejtës ekonomike, gjithashtu edhe të drejtës së shprehjes nga ana e përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Unë dua të falënderoj gjithë mbështetësit e PS-së dhe t'ju garantoj atyre, ashtu sikurse kemi bërë deri më sot, duke u ofruar edhe asistencë ligjore, që do të na kenë në mbështetje, deri në rifitimin e së drejtës së tyre", tha ajo.
Dade i ka bërë thirrje Kryeministrit Berisha, se në rast se nuk është ai që e ka dhënë këtë urdhër për largimin e mbështetësve të Partisë Socialiste, t'i udhëzojë përfaqësuesit e tij në nivel lokal, të rikthejnë urgjentisht në punë, të gjithë ata që janë larguar për motive thjesht politike, për shkak të mbështetjes së Partisë Socialiste, apo të përfaqësimit të saj në nivel komisionerësh apo të grupeve të numërimit.
-----------------------------------------------------------------------------
Shkeljet në zgjedhje, PS, dosje ndërkombëtarëve
TIRANË - Ashtu siç ishte paralajmëruar në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, Partia Socialiste ka depozituar tek ndërkombëtaret dosjen e shkeljeve që janë evidentuar para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.
Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS-së, Arta Dade, sqaroi se selia rozë po pret me qetësi raportin final të OSBE/ODIHR-it, për të artikuluar më pas edhe veprimin politik të PS-së.
"PS-ja, ashtu sikurse ka vepruar në vazhdimësi në të gjitha veprimet e saj politike, ka venë në dispozicion të partnerëve tanë ndërkombëtarë një material, i cili shpreh të gjitha parregullsitë e konstatuara nga përfaqësuesit tanë, para fushatës elektorale, gjatë fushatës elektorale, ditën e votimit dhe mbas votimit, pra, përkatësisht në kohën që numëroheshin votat.
Sigurisht ne presim me qetësi raportin përfundimtar të OSBE-ODHIR-it, për të pasur më në konsideratë, atë çka ata do të shprehin, por gjithsesi edhe për të artikuluar veprimin tonë politik",- tha ajo.
Dade theksoi se gjatë këtyre ditëve ajo ka qenë në takime me përfaqësues të trupit diplomatik, dhe materiali që PS-ja u ka vënë atyre në dispozicion është duke u studiuar prej tyre.
"Njëkohësisht, materiali është dërguar në të gjithë partnerët edhe parlamentet, sikurse është Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e NATO-s, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, përfshirë këtu edhe partnerët tanë të grupimeve socialiste dhe Socialdemokrate, brenda këtyre organizmave",- tha Dade.
PS-ja akuzon Berishën për pasuri marramendëse. PD-ja sulmon Edi Ramën
Pasuria e Berishës, replika PD-PS
TIRANË - Pasuritë e familjes kryeministrore dhe liderit të opozitës, vijojnë të jenë objekt replikash mes dy partive kryesore në vend. Elisa Spiropali deklaroi dje se pasuria e familjes së Kryeministrit Berisha është marramendëse.
"Deklarimet e pasurisë familjare të Sali Berishës janë marramendëse dhe pas tyre fshihen pasuri të padeklaruara edhe më marramendëse, para të zeza, dhe të cilat janë ogurzeza për demokracinë.
Sali Berisha flet për Shqipërinë dhe pasuron vetëm familjen e tij, e cila sot e ka kapur shtetin si asnjëherë më keq. Ndërsa akuzat për të ashtuquajturat pasuri të Edi Ramës do t'i shkojnë gjykatës, duke e ftuar Sali Berishën të paraqesë provat",- tha dje Spiropali, deklarata e së cilës ka sjellë edhe reagimin e PD-së, përmes zëdhënëses, Erla Mëhilli.
"Turpi është për z. Rama, që tallet me shqiptarët dhe deklaron se pasuria e tij është në limitet e varfërisë. Z. Rama, në deklaratën e depozituar ka deklaruar se ka 400.000 lekë të vjetra të kursyera nga paga në llogarinë e tij bankare.
Pra, praktikisht, z. Rama deklaron se ka në llogari aq sa ka pagën mujore një punonjës i thjeshtë në bashkinë e tij. PD-ja është e gatshme të hapë një llogari bankare për kryetarin e bashkisë që strehohet në kullën e Myslym Pezës dhe fton të gjithë shqiptarët të kontribuojnë me aq sa kanë mundësi për të zbutur varfërinë e skajshme të z. Rama",- tha dje Mëhilli.