E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit: Rusmali na provokoi

Lirak Bejko

Ilir Rusmali na provokoi. Ai qeshi përpara kufomës së shokut dhe mikut tonë. Me këtë argument, gjashtë të përndjekur politikë shpjeguan para trupit gjykues në Gjykatën e Tiranës incidentin e 16 shkurtit 2012 para Parlamentit, ku deputeti Ilir Rusmali u godit nga i përndjekuri Lirak Bejko. Dëshmitë u dëgjuan në seancën e djeshme në ngarkim të Bejkos dhe të bashkëpandehurit të tij, Gjergj Ndreca. Njëri pas tjetrit, dëshmitarët e thirrur në seancën e djeshme shpjeguan se situata kishte precipituar për shkak të veprimit fyes të deputetit Rusmali. Po sipas tyre, një veprim i tillë nuk ishte bërë nga deputeti tjetër Fatos Hoxha, që ishte bashkë me Rusmalin. Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca po gjykohen në Gjykatën e Tiranës për akuzat e ngritura ndaj tyre goditje për shkak të detyrës të deputetit Rusmali dhe ish-hetuesit Agim Tirana, si dhe kundërshtimit të punonjësit të rendit publik në episode të shënuara më 16 dhe 22 shkurt 2012. Në vijim zbardhen dëshmitë e dhëna dje para gjyqtarit Artan Gjermeni.
FATMIR LAME
Atë ditë ne ishim duke bërë homazhet për një shokun tonë. Pamë në një distancë Ilir Rusmalin dhe Fatos Hoxhën. Deputeti Hoxha pa situatën dhe u tërhoq. Rusmali mori guximin me tendencë fyerjeje ndaj nesh. Rusmali u qëllua në krye të detyrës, pasi kishte marrë detyrë nga shefi i tij, Sali Berisha, të na provokonte. Ai qeshi kur pa kufomën dhe ky vendim u konsiderua nga ne si tallje. Pas këtij veprimi ishte edhe reagimi ynë. I thamë: Zoti deputet, mund të nderohet kjo kufomë?. Rusmali, me indiferencë fyese, bëri një gjest irritues me dorë. Pas këtij veprimi Liraku veproi me të drejtë. Ai shkoi dhe i kërkoi shpjegime. Pastaj u hodhën policët sipër Lirakut. Nuk e mora vesh nga erdhën në atë vend gjithë ata policë.
SHPETIM KARAMUÇA

Shpëtim Karamuça

Unë jam jurist. Kam punuar jashtë shtetit si jurist në sindikata për mbrojtjen e emigrantëve. Atë ditë ne po bënim homazh për shokun tonë, të ndjerin Grigor Zaharia. Ai vdiq i vetëm dhe ishte pa përkrahje. Na u desh që ti organizonim ceremoninë mortore. Ilir Rusmali u afrua te makina, kurse ai personi tjetër që ishte me të nuk u afrua. Deputeti Rusmali po qeshte. Veprimi i tij ishte shumë fyes ndaj nesh. Nga irritimi iu tha nga Liraku ik o palaço andej!. Atëherë ai hëngri shpullën dhe u lamë. Kurse Gjergj Ndreca u fut në mes për ti ndarë. Policia iu hodh lart, i morën frymën Lirakut. Liraku u keqtrajtua nga ana e policisë. Ne kemi dëgjuar, e kemi parë dhe në filma që edhe gjermanët qëndronin gatitu para arkivolit të një partizani, kurse Rusmali bëri ironi me xhenazen. Rusmalit ti vijë turp për veprimin e paedukatë që bëri.
AGRON TALO
Ishim duke bërë homazhet e shokut tonë të vdekur. Ai vdiq i vetëm dhe për shkak se nuk kishte familje, qëndroi 20 ditë në morg. Gjetëm ca lekë, na i mundësoi dikush, dhe thamë ta varrosnim si njerëzit. Erdhi na provokoi qeveria. Deputeti Ilir Rusmali qeshi karshi arkivolit. Pastaj pashë policinë që iu turr një pjese të shokëve tanë. Policia vazhdoi të na keqtrajtonte.
BUJAR SALA
Ilir Rusmali na provokoi atë ditë. Veprimi i tij ishte shumë fyes për ne. Gjithçka ndodhi në fraksion sekonde aty dhe pastaj u sul policia. Shoqërimi i shokëve nga ana e policisë u bë në mënyrë të ashpër dhe duke vepruar në formë të dhunshme.
YLLI GJONÇAJ
Rreth 10-12 ditë para ngjarjes ne debatuam me Rusmalin. I thamë çfarë bëhet me lekët tona?. Na tha se nuk ka lekë për ju. Ju shkelni në tokë të thatë. Paratë duhen për tjetër vend, pasi në atë kohë ishte dëbora e madhe në veri të vendit. I thamë që i ngjake edhe ti Çajupit. Pastaj, ditën e ngjarjes, erdhi një X5 aty, se ishte ditë e enjte dhe kishte parlament. Pastaj u sulën ata të policisë. Unë pashë që e kishin shtrirë Lirakun përtokë dhe po i gjuanin turinjve me shkelma.
LUTFI KELMENDI
Po bënim homazhe para Institutit të të Përndjekurve kur erdhi policia. Njëherë u larguan, pastaj erdhën prapë. Fatos Hoxha u tregua burrë zotëri. Kurse deputeti Ilir Rusmali erdhi duke qeshur. Pastaj i kapi policia këta të dy (të pandehurit Ndreca dhe Bejko) dhe i shtriu përtokë. Unë di të them një gjë, që po të ishte në rrethin e Krujës dhe të talleshin me xhenazen, do të ishte në gjak për tërë jetën.

Aksioni do të vazhdojë
Gjergj Ndreca ripërsëriti dje deklaratën e dhënë prej tij pas ngjarjes, se ai dhe ish-të përndjekurit politikë do të ndërmerrnin një aksion për të goditur gjithë deputetët. Aksioni do të vazhdojë, ja do ta shikoni, tha Ndreca, duke iu drejtuar kryesuesit të seancës. Fraza e Ndrecës ishte në përgjigje të rikujtimit të kësaj deklarate në formë batute nga ana e gjykatës. Deklaratën për goditjen e deputetëve Ndreca e tha në një intervistë për gazetën Panorama pak ditë pas ngjarjes.

E godita me të majtën
I pandehuri Lirak Bejko korrigjoi dje dëshminë e policit Florian H. në seancë, në lidhje me goditjen e Rusmalit. Teksa dëshmitari tha se një person e gjuajti me dorën e djathë, i pandehuri foli pa leje nga vendi duke sqaruar se e godita me të majtën. Për shkak të mënyrës së sjelljes së të pandehurve dhe ish-të përndjekurve të pranishëm në sallë, kryesuesit Gjermeni i duhet shpesh herë të flasë jashtë gjyqësisht për tiu sqaruar anën procedurale të një seance gjyqësore.

Të përndjekurit goditën Rusmalin
TIRANE Punonjësi i Policisë, Florian H., e kishte parë të pandehurin Lirak Bejko kur kishte qëlluar deputetin Ilir Rusmali. Para gjykatës dëshmitari tha se më parë kishte dëgjuar një zë që kishte thirrur në drejtim të deputetit. Ditën e ngjarjes ishim planizuar për të qëndruar përballë Parlamentit, për shkak se kishte seancë plenare. Para Institutit të të Përndjekurve Politikë erdhi një makinë funeralesh. Nxorën një arkivol dhe po bënin ritualet e një ceremonie mortore. Në këtë kohë, nga ana e Parlamentit doli deputeti Ilir Rusmali dhe po afrohej për tek automjeti i tij. Dëgjuam një zë me të lartë që thirri O deputet dhe pastaj një o Ilir. U afruan më drejtimin nga erdhi zëri për të pasur nën vëzhgim personin që bërtiti. Një person i dytë vrapoi drejt deputetit dhe e gjuajti me dorën e djathtë. Menjëherë u afruam unë dhe kolegët e mi, dhe bëmë bllokimin e këtij personi. Në këtë moment patëm kundërshti me fjalë dhe veprime nga një person tjetër. Ai gjithashtu adresoi fyerje dhe sharje në drejtimin e forcave të Policisë. Në vijim të dy këta persona i shoqëruam për në komisariat, tha polici para gjykatës. ar.ba

ARAMND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›